Mashtrim i rëndë/ Prokuroria kërkon 1 vit e 8 muaj burg për influencuesen më të famshme të Italisë

Kronike

Publikuar: 25/11/2025

Mashtrim i rëndë/ Prokuroria kërkon 1 vit e 8 muaj burg për influencuesen më të famshme të Italisë

Prokuroria e Milanos ka kërkuar dënimin me 1 vit e 8 muaj burg për influencuesen e njohur italiane Chiara Ferragni, në kuadër të çështjes së njohur si “Pandoro-gate”. Ferragni akuzohet për mashtrim të rënduar, pasi produktet e promovuara prej saj, pandorot “Pink Christmas” dhe vezët e Pashkëve, u reklamuan si të lidhura me nisma bamirësie, ndërkohë që donacionet nuk përputheshin me mënyrën si ishin prezantuar.

Sipas prokurorit Eugenio Fusco, influencuesja dhe ekipi i saj kanë përfituar përmes një komunikimi të rremë, duke i lënë konsumatorët të besonin se blerja e produkteve do të kontribuonte drejtpërdrejt për kauza të caktuara humanitare.

Së bashku me Ferragnin, prokuroria ka kërkuar të njëjtin dënim edhe për ish-drejtorin e operacioneve të saj, Fabio Maria Damato, ndërsa për presidentin e Cerealitalia-s, Francesco Cannillo, është kërkuar një vit burg.

Në total, Ferragni ka paguar tashmë 3.4 milionë euro në gjoba dhe dëmshpërblime, përpara se çështja të hynte në fazën kryesore të procesit. Ajo dhe bashkëpunëtorët e saj kanë kërkuar gjykim të shkurtuar, i cili mund të sjellë ulje të një pjese të dënimit.

Ferragni ishte e pranishme në gjykatë, ku deklaroi se “gjithçka është bërë me mirëbesim” dhe se është e bindur në pafajësinë e saj. Seanca e radhës do të zhvillohet më 5 dhjetor, ku do të flasë mbrojtja.

Burimi: TGCOM24