Miliona euro tendera / Institucionet që mashtroi Gentian Sadiku me veshmbathje false kineze, i shet si evropiane

Krim & Korrupsion

Publikuar: 23/10/2025

Miliona euro tendera / Institucionet që mashtroi Gentian Sadiku me veshmbathje false kineze, i shet si evropiane

Biznesmeni Gentian Sadiku, përmes një dyqani me nipt L42314005A, ka përfituar gjatë dhjetë viteve të fundit 120 tendera publikë me vlerë miliona euro, me perspektivë për të hyrë edhe në tendera me vlerë të madhe.

Gjatë pesë viteve të fundit, në llogarinë e Gentian Sadikut kanë kaluar rreth 2.5 milionë euro, në zbatim të kontratave publike për furnizimin e institucioneve publike me uniforma, veshje pune, këpucë, atlete etj.

Gentian Sadiku, përpos të tjerave, ka furnizuara me veshmbathje edhe Akademisë së Sigurisë.

Në fund të vitit të kaluar, Kontrolli i Lartë i Shtetit përfundoi një raport auditimi të veprimtarisë së Akademisë së Sigurisë. Sipas KLSH-së, Gentian Sadiku furnizonte me veshmbathje Akademinë e Policisë në letra sikur e kishin origjinën nga Evropa, por në fakt i blinte në vendet aziatike, me cilësi shumë të dobët.

Por, Akademia e Sigurisë nuk është i vetmi institucion publik që ka kontraktuar Gentian Sadikun për furnizim me veshmbathje. Garda e Republikës, Bashkitë Tiranë, Vlorë, Korçë, Durrës, Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, ECO-ELB etj., kanë kontraktuar Getian Sadikun për rroba pune dhe uniforma.