Personi që shihni në foton e mësipërme është 30-vjeçari Elvis Shkambi nga Shkodra, autori i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Apelit.
Si pasojë e të shtënave mbetën të plagosur edhe babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, palë kundërshtare në gjyq me Shkambin. Njëri prej tyre, i është nënshtruar një operacioni, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën
Elvis Shkambi kreu krimin, pasi xhaxhai i tij Gjon Shkambi humbi gjyqin për një godinë në lagjen “Skënderbeg” të Shkodrës, ku janë të strehuar 31 familje.
Familja Shkambi pretendon pronësinë mbi atë godinë, teksa gjyqi i sotëm kishte të bënte me një seancë për masat administrative të dhëna nga përmbaruesi, ku 31 familjet duhet të paguanin nga 500 mijë lekë të vjetra për shkak se nuk kishin liruar godinën.
Vrasësi priti policinë 10 minuta
Sipas informacioneve, Elvis Shkambi, pasi kreu vrasjen, doli në korridor, i dorëzoi armën rojes së sigurisë. Pas kësaj, autori ka dalë jashtë ambienteve të gjykatës, duke pritur në oborr. Ai ka pritur gati 10 minuta derisa ka ardhur policia. Ai është dorëzuar duke treguar ngjarjen e rëndë që ka tronditur sot gjithë Tiranën. Elvis Shkambi pritet të dënohet me burgim të përjetshëm.
Arrestohet roja i gjykatës
Roja i Gjykatës së Apelit të Tiranës është arrestuar pak çaste pas krimit të rëndë që tronditi mbarë opinionin publik, vrasjen me armë zjarri brenda sallës të gjyqtarit Astrit Kalaja.
Oficeri i Sigurisë që qëndron te dera e Apelit ka dështuar të kontrollojë autorin, 30-vjeçarin Ervis Shkambi, i cili hyri me armë zjarri, një pistoletë tip “Beretta”, dhe qëndroi i armatosur në sallë deri në dhënien e vendimit.
Gjykatat në vend ruhen nga roje të kompanive private, si dhe në hyre të tyre kanë skanera elektronikë, me qëllim identifikimin e objekteve të ndaluara. Është e paqartë se si ka dështuar siguria në këtë rast.