Mafia e pronave në Vlorë Helidon Gjikoka përballet me drejtësinë, Prokuroria e merr të pandehur për falsifikim dokumentesh

Kryesore

Publikuar: 24/09/2025

Mafia e pronave në Vlorë Helidon Gjikoka përballet me drejtësinë, Prokuroria e merr të pandehur për falsifikim dokumentesh

Edhe pse Gjikoka ishte dënuar më parë, ai nuk u ndal dhe u rikthye sërish në të njëjtën skemë mashtruese. Ai përdori dokumente të falsifikuara për të marrë leje plazhi në një zonë strategjike të bregdetit, duke treguar qartë se ligji nuk po zbatohet siç duhet dhe se shteti shpesh funksionon si një teatër ku krimi vendos rregullat.

Prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur biznesmenin e përfolur të jugut, Helidon Gjikoka, i cili akuzohet për veprën penale të “Përdorimit të dokumenteve të falsifikuara”. Ky është vetëm kapitulli më i fundit i një historie të gjatë mashtrimesh, falsifikimesh dhe abuzimesh, që kanë kthyer jugun e vendit në një “tokë të askujt” ku krimi ekonomiko urbanistik është më i fortë se ligji.

Prokurori Bledar Valikaj ka ndjekur me seriozitet dhe përkushtim çështjen e përdorimit të dokumenteve të falsifikuara nga Helidon Gjikoka, duke treguar vëmendje ndaj detajeve dhe vendosmëri në hetimin e një rasti të ndërlikuar dhe me impakt të lartë publik.

Sipas dosjes hetimore, Gjikoka kishte aplikuar për leje plazhi në bregdet duke përdorur dokumente të falsifikuara, megjithëse pronat ishin nën sekuestro. Për më tepër, këto prona ishin objekt i një procesi penal që në vitin 2023, kur Prokuroria e Vlorës kërkoi dënimin e tij me 4 vite burg për tjetërsimin e 1430 m² tokë në zonën turistike të “Perivollos” në Dhërmi.

Hetimet ekspozuan një skemë kriminale ku u përfshinë edhe 20 zyrtarë të Hipotekës së Vlorës, të cilët, përmes falsifikimeve dhe shpërdorimit të detyrës, favorizuan tjetërsimin e pasurisë. Si pasojë, ata u morën të pandehur dhe më pas u dënuan, duke vërtetuar përfshirjen e drejtuesve institucionalë në një rrjet që shfrytëzonte funksionin publik për përfitime të paligjshme.

Helidon Gjikoka është dënuar për faktin penal se ka vjedhur me mashtrim 12 objekte të një kompleksi të cilat ishin të shtetasit Ilir Koka. Këto objekte në fillim këto i kishte marrë me qira nga shtetasi Ilir Koka dhe më pas, përmes korrupsionit me shefin e ALUIZN-it, Adiseldo Rrapaj, i regjistroi në emrin e tij, duke përvetësuar pronat në mënyrë të paligjshme dhe duke shfaqur një model të qartë të abuzimit me ndikimin dhe korrupsionin në institucionet publike.

Edhe pse Gjikoka ishte dënuar më parë, ai nuk u ndal dhe u rikthye sërish në të njëjtën skemë mashtruese. Ai përdori dokumente të falsifikuara për të marrë leje plazhi në një zonë strategjike të bregdetit, duke treguar qartë se ligji nuk po zbatohet siç duhet dhe se shteti shpesh funksionon si një teatër ku krimi vendos rregullat.

Agjencia Kombëtare e Bregdetit ndërhyri vetëm pasi skandali u bë publik dhe u kallëzua penalisht, duke e detyruar të revokonte lejen e dhënë me dokumente të pavlefshme, por kjo ndërhyrje erdhi shumë vonë për të mbuluar gjurmët e papërgjegjësisë dhe për të parandaluar përfitimet e paligjshme që Gjikoka kishte arritur të sigurojë. Rasti tregon qartë dobësinë e sistemit dhe pasivitetin e institucioneve, që lejojnë individë të fortë të shfrytëzojnë çdo hapësirë ligjore për përfitim personal.

Në vijim, Prokuroria e Tiranës pritet të kërkojë edhe caktimin e një mase sigurie ndaj Helidon Gjikokës, pasi ai është përsëritës i së njëjtës vepër penale dhe përbën rrezik real për të vijuar abuzimet me dokumente të falsifikuara dhe pronat bregdetare.

Kjo çështje është finalizuar vetëm pak ditë pasi IKMT ndërhyri duke gjobitur Helidon Gjikokën me shumën rekord prej 113 milionë lekësh dhe duke shembur objektin informal të ngritur prej tij në zonën e Drimadhes, një aksion që u zhvillua me urdhër të kryeministrit Edi Rama.

Pavarësisht se dëmi ekonomik u vlerësua në 113 milionë lekë dhe objekti mbi 200 m² u prish nga IKMT, Prokuroria e Vlorës vijon të heshtë, ndonëse ndaj Helidon Gjikokës janë depozituar 4 kallëzime penale, duke dëshmuar edhe një herë se drejtësia shqiptare mbetet selektive dhe shpesh e kapur përballë interesave të fortëve të bregdetit.

Dyshohet se prokurorët e Vlorës që kanë trajtuar çështjen e ndërtimit pa leje nga Helidon Gjikoka janë përfshirë në korrupsion, duke u bërë jo garantë të ligjit, por mburojë për krimin. Në vend që të vepronin me shpejtësi dhe të siguronin ndalimin e menjëhershëm të tij, ata kanë zgjedhur të mbyllin sytë, duke i krijuar mundësi një individi me precedent penal të vazhdojë të sfidojë shtetin dhe të përfitojë mbi kurrizin e interesit publik.

Ky rast është edhe më i rëndë, pasi ndërtimi pa leje për qëllim përfitimi sipas Kodit Penal ka një marzh dënimi deri në 7 vite burgim. Pra, kemi të bëjmë me një vepër penale të rëndë që në çdo shtet normal do të sillte menjëherë masë sigurie dhe hetim të thelluar.

Megjithatë, prokurorët e Vlorës kanë zgjedhur të zvarrisin çështjen dhe të heshtë, pavarësisht dëmit të shkaktuar, pavarësisht gjobës rekord prej 113 milionë lekësh, pavarësisht shembjes së objektit mbi 200 m² dhe pavarësisht depozitimit të 4 kallëzimeve penale. Heshtja e tyre tregon qartë se korrupsioni ka depërtuar thellë në sistemin e drejtësisë, duke e kthyer atë në instrument mbrojtës për të fortët dhe jo për qytetarët e thjeshtë.

Pyetja që lind është se, a do të ketë SPAK kurajon të hetojë se si prokurorët e Vlorës “menaxhuan” dosjet e Helidon Gjikokës në mënyrë kaq… korruptive, duke i hapur rrugën të vazhdojë mashtrimet, falsifikimet dhe përvetësimin e pronave, ndërkohë që kallëzimet e shumta dhe dëmet milionëshe duket se nuk meritojnë as një buzëqeshje hetimore?