Në Prokurorinë e Tiranës ka një dojse penale për televizionin e Familjes Berisha, Syri Tv, për përfshirje në pastrim parash dhe evazion fiskal. Madje, në mars të këtij viti, kryeministri Edi Rama kritikoi Prokurorinë e Tiranës, e cila po pluhuros dosjen penale të Syri Tv, i cili ushqehet me para të pista. Prapaskena ka lexuar këtë dosje. Një grup faktesh dhe provash jo vetëm konfirmojnë pastrimin flagrant të parave të pista dhe evazionin fiskal, por ngrihen dyshime të forta për një grup të strukturuar kriminal, duke futur në lojë SPAK-un.

Me faktet dhe provat që përmban dosja, në Shqipëri vështirë të gjendet ndonjë prokuror apo gjyqtar që të mbyllë këtë çështje pa përgjegjës, por dilema qëndron në faktin nëse Prokuroria e Tiranës do t’a referojë dosjen për kompetencë në SPAK ose nëse Tatimet do të referojnë një tjetër material kallëzues në SPAK.
Qindra mijëra euro janë hedhur cash në arkën Syrit Tv. Paratë nuk justifikohen me burime të ligjshme. Në operacionin e pastrimit të parave nga Syri Tv, vepër që besohet se vijon të konsumohet edhe sot, rezulton se ka marrë pjesë edhe Astrit Veliaj me universitetin UFO (Albanian University). Përmes UFO-s, Astrit Veliaj ka hedhur në arkën e Syri Tv dhjetëra mijëra euro.

Një numër i konsiderueshëm personash, në pamundësi për të ardhura të atilla të ligjshme, kanë kontribuar me qindra mijëra euro në arkën e Syri Tv. Edhe vetë Çim Peka, pronari në letra i Syri Tv, i cili paguhet nga Syri Tv me 800 euro rrogë mujore, ka futur para në arkën e Syri Tv. Dyshimet janë të forta se këto subjekte janë përdorur në një skemë gati banale pastrimi parash. Atyre u janë dhënë para të pista cash, duke i futur më pas në arkën e Syri Tv për të mundësuar funksionimin e televizionit, i cili vijon të qarkullojë para të pista.
Historiku i Syri Tv dhe pronari përfitues
Syri TV, i cili operon si televizion, është emri tregtar i kompanisë 3 DS & AF Entertainment, me nipt L71821001T, themeluar në qershor të vitit 2017, me objekt aktivitet në fushën e medias dhe televizionit. Pronarë të 3 DS & AF Entertainment deri në vitin 2019 rezulojnë Donald, Erjona, Arledia, David, Daisy dhe Deon Shena.
Në maj të vitit 2019, kompania 3 DS & AF Entertainment (Syri TV), blihet për 100 mijë lekë nga organizata jofitimprurese Qendra për Informim të Hapur, me nipt: L71603456N.
Sipas dokumenteve, kjo organizatë jofitimprurese është themeluar nga Çlirim Peka, i njohur si Çim Peka, 50 vjeç, i cili është edhe drejtor ekzekutiv i organizatës. Si i tillë, Peka rezulton edhe pronar përfitues me 100 % të aksioneve të organizatës jofitimprurëse Qendra për Informim të Hapur.

Në letrat e blerjes së kompanisë, anëtarë të Bordit Drejtues të organizatës figurojnë Çlirim Peka, Andi Bejtja, Artan Hoxha, Lutfi Dervishi, Sokol Shameti, Bledi Kasmi, Klodian Tomorri, Brikena Kasmi dhe Armela Kromici. Shumica prej tyre janë pjesë fiktive e këtij bordi dhe organizata është thjeshtë një fantazmë për të mbuluar Syrin Tv.

Pas blerjes, Çim Peka bëhet administrator i Syri Tv, konkretisht në 3 maj 2019. Disa muaj më pas, në 29 tetor 2019, Peka largohet si administrator dhe në vend të tij emërohet Gazmir Spahija, ish drejtor i Tatimeve gjatë qeverisjes Berisha.
Kompania 3 DS & AF Entertainment (Syri Tv), në pronësi të organizatës jofitimprurese Qendra për Informim të Hapur, me adresë Tiranë Kashar MEZEZ Rruga ”Veli Dedi”, Ndërtesa Nr.9, Kati 1, Tiranë, ka si administrator Gazmir Spahija, i cili është gjithashtu administrator i organizatës me kryetar/drejtor Çlirim Peka.

Kur organizata e Çim Pekës bleu kompaninë 3 DS & AF Entertainment për 100 mijë lekë, kjo kompani kishte në pronësi një radio dhe një televizion, i cili më parë ishte blerë për 340 mijë USD.

Më konkretisht, kompania 3 DS & AF Entertainment (Syri Tv), në pronësi të organizatës jofitimprurese Qendra për Informim të Hapur, ka në pronësi edhe dy kompani të tjera; TIRANA TV me nipt K21602004F dhe Emi Media Group (ish “G.M.RADIO“) me nipt L01510002C, me emër tregtar BEST Radio.
Kompania TIRANA TV, me aktivitet në fushën e medias dhe televizionit, ka si administrator shtetasin Donal Shena, ndërsa është pezulluar në vitin 2017. Kompania TIRANA TV ka pasur si pronar Haxhi Jusufin. Në gusht 2017, Haxhi Jusufi ia shet kompaninë për 340 mijë USD firmës 3 DS & AF Entertainment, e cila e pezullon 2 muaj më vonë.

Kompania tjetër Emi Media Group (ish “G.M.RADIO“) me nipt L01510002C, në pronësi të kompania 3 DS & AF Entertainment (Syri TV), me objekt në fushën e medias, radio-televizive, transmetimi i programeve muzikore artistike etj., është pezulluar në vitin 2018. Kompania Emi Media Group (ish “G.M.RADIO”) është themeluar në vitin 2010 nga këngëtarja Greta Koçi.