Situata e zjarrit në Gramsh dhe Delvinë vazhdon të jetë shumë e vështirë. Era ka përhapur zjarrin dhe vatra të reja kanë dalë në zona të ndryshme.
Në Skënderbegas të Gramshit, po digjet dhe fshati i fundit. Gjithsej janë 6 fshatra të shkrumbuar totalisht, fshati i 7 sapo është përfshirë nga flakët ndërsa flakët janë shumë afër tek një tjetër fshat.
Në njësinë Kodovjat zjarri është shumë afër fshatit Posnovisht ndërsa fshatrat e tjerë janë zinxhir afër njëri-tjetrit.
Ditën e djeshme u shënua viktima e parë në Gramsh, një 80-vjeçar, i cili humbi jetën nga asfiksia. Zjarri që vetë ai ndezi në oborrin e shtëpisë, u përhap me shpejtësi duke përfshirë dhe fshatra të tjerë të zonës, pranë pyjeve të pishës në faqen e malit Koshnicë.
Ekipet e emergjencace kanë evakuuar banorët e 9 fshatrave të Gramshit. Flakët e zjarrit dogjën edhe Teqenë e Shemberdhenjes që ndodhet në këtë zonë. Për shuarjen e zjarreve kanë shkuar 2 helikopterë Cougar që po ndihmojnë nga ajri.
8 banorë të fshatrave që janë përfshirë nga flakët në Gramsh, janë trajtuar me ndihmë mjekësore. Mësohet se 200 të tjerë u evakuuan nga zonat e rrezikut dhe deri në përmirësimin e situatës do të akomodohen përkohësisht në hotele. Gjithashtu, në dispozicion të tyre janë edhe rreth 165 pako kampingjesh në palestrat sportive, të marra në rezervat e shtetit. Ministria e Mbrojtjes, përmes disa njoftimeve urgjente e të njëpasnjëshme, ka urdhëruar evakuimet e banorëve nga fshatrat e Gramshit.
Gjatë mbrëmjes situata u rëndua edhe më shumë nga vatra e shfaqur në Delvinë, pasi zjarri iu afrua puseve të naftës në zonë. Gjendja u deklarua si kritike dhe qindra forca zjarrfikëse dhe të Emergjencave u hodhën në aksion për ta lokalizuar. Përmasat e zjarrit ishin të frikshme, ndërsa vatra e zjarrit rrezikoi edhe qytetin, e favorizuar nga era.
Banorët e lagjeve Mukërs dhe Llakë janë evakuuar, ndërsa në ndihmë të zjarrfikësve të Delvinës, kanë shkuar edhe ato të Konispolit dhe Himarës. Shumë nga banorët e qytetit të Delvinës po tentojnë të largohen, ndërsa flakët po rrezikojnë edhe spitalin e Delvinës.
Nga raportimet mësohet se për të frenuar avancimin e flakëve, veçanërisht te puset e naftës, janë dislokuar forca të shtuara zjarrfikëse, trupa ushtarake dhe një helikopter që kreu hedhje uji nga ajri.