Pronari i televizionit News24, Irfan Hysenbelliu, ka reaguar pas angazhimit të policisë për të zbatuar një vendim të formës së prerë, që parashikon që biznesmeni duhet të lirojë njërën godinë shtetërore, të cilën e ka përdorur prej 20 vitesh si zyra për televizionin e tij privat, ndonëse kontrata e qirasë (që nuk e pagoi kurrë) i kishte përfunduar që në vitin 2022.
Zaptimin e godinave publike, Hysenbelliu po e kamuflon me lirinë e medias, ndërsa po përdor gazetarët e tij të nëpërkëmbur, duke krijuar zhurmë, me qëllim për të mbajtur edhe dy godina të tjera publike të zaptuara, konviktin e Gjuhëve të Huaja dhe një tjetër sipërfaqe pronë publike në Shkozë 13 mijë m2, për të cilën ia ka zgjatur kontratën e qirasë Arben Ahmetaj deri në vitin 2033.
Dhjetëra gazetarë pranë mediave të Fanes ka katër muaj që nuk marrin rroga dhe prej dy vitesh pa siguracione. Në reagimin e tij, biznesmeni Hysenbelliu nuk dha asnjë sinjal shprese për problemin e pagave, por u kërkoi gazetarëve që të qëndrojnë të fortë pasi misioni do vazhdojë. Në reagimin e tij, Hysenbelliu flet për një realitet imagjinar, sikur shteti po sulmon pronën e tij private dhe jo që është ai që ka zaptuar pasuritë publike.
Reagimi i Hysenbelliut
Si botues i “Focus Group”, i News24, Panorama TV, Gazeta Panorama, Panorama Sport, Panorama Online dhe Gazeta Shqiptare Online dënoj me forcë të gjitha veprimet e rënda, të paprecedenta dhe tërësisht të paligjshme që janë ndërmarrë ndaj Grupit tonë mediatik.
Sot, pa asnjë paralajmërim, pa urdhër gjykate dhe pa asnjë bazë ligjore të justifikuar, forca të shumta të policisë dhe ushtrisë kanë bllokuar hyrjen në ambientet e televizionit, kanë ndërprerë me forcë sinjalin e transmetimit dhe kanë ndërhyrë në mënyrë të papranueshme në punën e gazetarëve tanë dhe stafit teknik.
Ky nuk është një incident i zakonshëm. Ky është një akt brutal dhe përbën një shkelje flagrante të lirisë së shtypit dhe të të drejtës themelore të qytetarëve për t’u informuar.
Në mënyrë të fshehtë, civilë me automjete të paidentifikuara janë futur në ambientet tona dhe kanë marrë dokumente konfidenciale, materiale të ndjeshme dhe dosje që lidhen me hetime serioze mbi korrupsionin dhe abuzimet me pushtetin.
Këto materiale janë rezultat i një pune të ndershme, të rrezikshme dhe të palodhur nga gazetarët tanë – dhe tani, përveç dëmit moral, po rrezikohet realisht edhe jeta e tyre.
Ky është një paralajmërim i qartë dhe i rrezikshëm për çdo media që guxon të hetojë dhe të flasë dhe të publikojë të vërtetën.
Ju drejtohem të gjithë punonjësve të News24 dhe grupit mediatik “Panorama”: Mos u dorëzoni! Qëndroni të fortë, të qetë dhe krenarë për misionin tuaj. Ne kemi raportuar me ndershmëri, profesionalizëm dhe integritet – dhe nuk do të lejojmë që dhuna apo presioni ta shuajë zërin tonë.
News24 nuk mbyllet. E vërteta nuk zhduket.
Ju bëj thirrje institucioneve të shtetit: Të ndalojnë menjëherë çdo veprim represiv, të rikthejnë sinjalin e televizionit, të lejojnë gazetarët të kthehen në vendin e tyre të punës dhe të respektojnë ligjin dhe parimet e shtetit të së drejtës.
I falënderoj përzemërsisht gazetarët tanë, organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare të medias, partnerët tanë dhe qytetarët që po tregojnë solidaritet në këtë moment kritik.
News24 do vazhdoje te jete dritarja e së vërtetës, misioni ynë do vazhdojë!
Ne nuk do të heshtim. Ne nuk do të tërhiqemi.