Evi Kokalari: Televizioni i familjes Berisha nuk i paguan me muaj gazetarët

Politikë

Publikuar: 11/08/2025

Evi Kokalari: Televizioni i familjes Berisha nuk i paguan me muaj gazetarët

Evi Kokalari, nisur nga debati i fundit për News 24, ka botuar shkrimin e gazetares Trëndafile Visha, e cila shkruante se e kishin hequr nga puna, pse ishte ankuar që nuk kishte marrë rrogën prej muajsh.

Kokalari thotë se kjo është gjëndja në shumicën e medias shqiptare dhe për këtë sjell shembullin e televizionit të familjes Berisha.

Ky është realiteti i shumicës së gazetarëve dhe të gjithë atyre që punojnë në stacionet televizive në Shqipëri.

Vjet, në Tiranë, një simpatizant i flaktë i PD-së, më tregoi si vajza iku nga puna sepse Syri TV kishte 3 muaj që nuk e paguante.

‘Nëse është pa pagesë’ – më tha, – ‘preferoj ta mbaj vajzën në shtëpi’. Dhe të drejtë kishte.

Cili institucion i qeverisë Edi Rama, merret me mbrojtjen e të drejtave të punonjësve në sektorin privat? Në SHBA kemi një mekanizëm ku mund të ankohesh nëse nuk të paguajnë – dhe është ‘Department of Labor’. Ky departament fillon një investigim dhe nëse gjen se rroga ju është mbajtur pa të drejtë, ndërkohë që një individ ka punuar, ka gjoba marramëndëse ndaj pronarëve dhe bisnesit, aq sa mund të të falimentojnë.

Këto katër vitet e fundit më ka rënë rasti të flas privatisht me shumë gazetarë, kameramanë dhe ata që puna i konsiston mbas ekraneve, të cilët më kanë treguar që rrogat janë minimale në krahasim me standartin e jetesës në Tiranë.

Gazetarët vet, përveç se duhet të mbijetojnë në shumë raste pa pagesë, nuk kanë shans kurrë të ngrihen profesionalisht, sepse ashtu si partitë politike, dhe emisionet kryesore janë marrë peng nga ata që kanë luajtur lojën e kupolës këto 34 vjet.

Pra – gjëndja ku ndodhet media shqiptare, është në këtë pikë falë kupolës vet, sepse mediat janë ndërtuar si patericë e qeverive të korruptuara nga Rama-Berisha-Meta, kanë mbrojtur gjithë kohën këta dhe gazetarët e ndershëm, nuk e kanë patur kurrë mundësinë e fjalës së lirë, si në ekran, dhe mbas saj.

Prandaj sot, ata që ngritën zërin për ‘shtypje të lirisë së fjalës’, janë ata që kanë shtypur lirinë e votës dhe ata që e kuptojnë thelbin, nuk janë ngritur në mbrojtje të Irfanit, por janë në një mendim me mua dhe ata që duan pastrim rrënjësor të medias dhe të politikës, dhe thonë ‘kokën të hanë’”, shkruan Kokalari.