Arben Rakipi, në mbyllje të prezantimit të projekt-Kodit të ri Penal, tha i nënqeshur: pas këtij prezantimi, nuk pres telefonata se jam me pushime.
Rakipi e dinte se ç’do plaste pas mbylljes së ekspozesë së “Kodit Penal”, kur dibrani tjetër Ulsi Manja do ta publikonte, si draft të plotë, në Facebook-un e vet. Ekzaktësisht ajo ndodhi; të gjithë u zhytën në Kodin me 800 nene, duke e trajtuar nga seriozisht deri në barsoletë.
Ndërkohë Arben Rakipi nisi pushimet me të birin holandez, Jonin, i cili ka hequr dorë nga shtetësia shqiptare, ashtu siç ka hequr dorë edhe bija e personit tjetër kyç, në Shkollën e Magjistraturës, Sokol Berberi, Silvia.
Të njëjtën rrugë po ndjek edhe djali i pedagoges së kësaj shkolle Mariana Semini e kështu me radhë, pinjollët e të gjithë pedagogëve të institucioneve tona elitare. Ata, me të drejtë, jo vetëm po i çojnë fëmijët në Holandë, por po u thonë: As shqiptarë mos jini më!


Dekretet flasin vetë!
Kodi Penal dhe MIA e kryeministrit
Për shqiptarët dhe fëmijët e tyre, duhet një kod që t’iu disiplinojë e drejtojë jetën sikur të ishin duke jetuar në Holandë apo Suedi… si në Europë.
“Nuk është Kod, nuk është Kod…”, nxituan ta mbronin disa syresh, që u ngeci në dorë autorësia e të qenit, “punëtorët” e zellshëm të tij. Është thjesht një draft… draft, që do përmirësohet, që do rishihet dhe për më tepër nuk do kalojë pa u vulosur në fund nga BE. Do ketë vulë europiane, ndaj mos u merakosni kot!
Këtë ka ditë që e thotë edhe kryeministri Rama. E tha edhe sot te MIA e tij, që ngjan me MIA-n e Florjan Mumajesit, me NIPT L32117002H. Në QKB-në e Shqipërisë, MIA e Mumajesit është licencuar për të bërë veprimtari artistike, muzikë, këngë dhe art, pa u kufizuar që të ndërtojë dhe pallate apo rrugë, ndërtime me betonarme apo materiale me bazë bitumi. Në MIA-n e kryeministrit, mund të shkruhet çfarëdolloj budallallëku, mjafton që të jetë në kundërshtim me ligjin, konkretisht me ligjin nr. 146, të vitit 2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”.
Një paçavure me emërtesën “Kodi Penal”
Shqipëria ka një ligj për konsultimin publik. Një ligj që garanton transparencën dhe pjesëmarrjen në procesin e hartimit të politikave dhe legjislacionit të popullit. Edhe pse fiktiv, ligji është aty, bashkë me Regjistrin Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike. Kryeministri Rama dhe ministri Manja duhet të ishin kampionë për zbatimin e këtij ligji. Projekt-Kodi i ri Penal duhet të dilte ballëhapur në Regjistrin e “popullit”, pastaj në Fb-në e Ulsiut, apo MIA-n e kryeministrit.
Skandal? Jo më i madh se shumë të tjerë. Kjo nismë themelore që prek çdo shqiptar – pasi përcakton se çfarë është krim dhe si “krimi” do ndëshkohet nesër – nuk është publikuar akoma në Regjistrin Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike. S’ka asnjë publikim në faqen elektronike të popullit, aty ku drafti duhet të shfaqej bashkë me një relacion shpjegues, me emra autorësh apo ekspertësh që e kanë hartuar atë. Aty populli duhet të lexonte edhe një analizë të impaktit ligjor e social në të ardhmen e tij.
Por “Kodi Penal” u hodh në Fb, në MIA, në portale si një paçavure, për t’u komentuar si e tillë, ndërkohë që në faqen e Konsultimeve Publike Popullore, 800 nenet e tij mund të merrnin nga një koment ku të përfshiheshin teorikisht të gjithë shqiptarët e kodit, e jo vetëm ata që i kanë fëmijët holandezë…
ChatGPT dhe Kodi Penal i 2055
ChatGPT për draftin “Rakipi & Co” thotë: projektligji shqiptar për veprat penale kundër integritetit seksual është dukshëm i frymëzuar nga modeli suedez dhe në një masë të konsiderueshme nga praktikat e avancuara të Gjermanisë, Holandës dhe Francës.
Suedia ka modelin e bazuar në “pëlqimin afirmativ”, ku pëlqimi i qartë dhe i vullnetshëm, siç përshkruhet në nenin 797, është thuajse identik me përkufizimin që Suedia përdor në Kodin Penal të saj pas reformës së vitit 2018. Në Suedi, përdhunimi bazohet te mungesa e pëlqimit dhe jo më te përdorimi i forcës – kjo filozofi është reflektuar identikisht edhe në draftin shqiptar.
Gjermania ka të njëjtën frymë në modelin “jo do të thotë jo” (“Nein heißt Nein”) dhe përkufizimet shqiptare mbi paaftësinë për të shprehur pëlqim për shkak të dehjes, sëmundjes, gjumit etj., janë identike me përkufizimet gjermane në §177 StGB. Franca dhe Holanda kanë në fokus teknologjinë dhe krimet seksuale digjitale, të huazuara njëlloj edhe nga ligji shqiptar.
A është kopjuar? ChatGPT thotë që “Kodi” shqiptar nuk është një kopje e verbër, por një përkthim i përpjekur të adaptojë më shumë Kodin Suedez të reformuar para 6 vjetësh.
Kush e përktheu?
Mjafton të lexosh disa nene të këtij kodi për të kuptuar se mangësitë nuk janë vetëm në formë, por thellësisht në përmbajtje. Dhe nuk janë 50, 100 apo 200, janë të gjitha!
Shembull: në një nga nenet që trajton çështje të ndjeshme të jetës dhe riprodhimit, vezës së fekonduar “përkthimi” i referohet si “vezore” – një gafë që tregon jo vetëm mungesë njohurish bazike biologjike, por edhe mungesë themelore të formimit të përgjithshëm të një juristi apo juristeje.


Mirë Arben Rakipi, me ekspertët e tij meshkuj që nuk “pjellin”, po vajzat apo ekspertet e Kodit Penal, si mundet ta ngatërrojnë “embrionin” me “vezoren”?!
E gjithë struktura e draft-kodit penal ka deformuar jo vetëm “vezoren”, por në tërësi logjikën sistematike mbi të cilën është ndërtuar prej dekadash Kodi Penal i Shqipërisë. Dispozitat që janë të përgjithshme dhe horizontale, si rrethanat lehtësuese, rrethanat rënduese, dënimet plotësuese apo konkurrimi i veprave penale, në këtë hibrid të ri, janë shkëputur dhe vendosur në fund të çdo kreu, sikur kodi nuk është Kod, por komentar shpjegues i tij.
Ky ndryshim nuk është thjesht stilistik, por një ndryshim i panjohur metodologjik, i pashpjegueshëm dhe i paargumentueshëm, as nga ChatGPT. Sepse sikur t’ia jepje detyrën “më bëj Kodin Penal” ChatGPT-së, ndoshta “Rakipi 2055” do ta kishte bërë më mirë kodin, se të paktën do kishte ndjekur një logjikë homogjene në hartimin e tij.
Autorët e “Kodit” të Koranit në Pogradec
Pasi u alarmuan edhe plakat e Vlorës për nene të veçanta të draftit të Kodit Penal, filluan të dalin si njësitë guerile, nga ilegaliteti, grupe emrash të ekspertëve që punuan mbi të. Në çdo grup, “njësitin” e drejtonte Arben Rakipi, drejtori ish-prokuror i Shkollës së Magjistraturës.
Ligji nr. 115, i vitit 2016 njeh dhe rendit si organin drejtues më të rëndësishëm të Shkollës së Magjistraturës, Këshillin Drejtues të saj, me plot 18 anëtarë. Ky këshill, ndër personat kryesorë e më të rëndësishëm ka: Kryetarin e Gjykatës së Lartë, i cili është njëkohësisht edhe Kryetari i Këshillit Drejtues, pra Sokol Sadushin, dhe Prokurorin e Përgjithshëm, i cili është dhe Zëvendëskryetar i këtij këshilli, dmth. kryeprokurorin Olsian Çela. Ligji parashikon që anëtar të jetë (dhe është) Kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, dmth. kryeavokatin Maks Haxhia.
Të tre këta titullarë institucionesh u shprehën hapur kundër Kodit “Rakipian”.
Përse atëherë këta tre anëtarë kryesorë të këtij këshilli të Shkollës së Magjistraturës, nuk ngrihen dhe t’i “shkulin” me ligj, veshin, qoftë edhe karrigen, drejtor Arben Rakipit, atij që ata vetë e zgjedhin dhe e shkarkojnë?
Natyrisht që për këtë lloj “shkuljeje” që quhet votim, anëtarët e tjerë duhen pyetur, paçka se disa janë numёrorë, thjesht topi për të ngritur dorën. Ata janë përzgjedhur me kujdes nga dora e qeverisë së “drejtësisë”. Ligji parashikon që në këshill duhet të jenë edhe dy përfaqësues të caktuar nga Ministri i Drejtësisë. Dhe a e dini kë ka caktuar ministri Ulsi Manja tre vitet e fundit? Veten. Ky është rast tipik shqiptar, kur caktohet vetja, si në një votim të fshehtë që edhe mund ta votosh atë. Anëtarët e tjerë janë përzgjedhur me kujdes të mos cedojnë rrugës, si studentët, si dy magjistratët studentë të shkollës, si përfaqësuesja e Ministrisë së Arsimit, si dy pedagogët e brendshëm të shkollës, apo prokurori dhe gjyqtari i marrë në këtë këshill nga jashtë.


Në Pogradec, në 14 shtator 2023, kanë dalë në foto pas një pune të lodhshme ekspertë të kodit. Nga e majta në të djathtë: Sokol Binaj, Klobeta Zylyfi, Skënder Kaçupi, Ulsi Manja, Arben Rakipi, Kristina Puçi, Gerd Hoxha, Andia Dragoj. Është për të ardhur keq që, tre vartëse të ministrit Manja, pas tavës me “belushka”, pozojnë për një punë që u dha një çmim: të gjitha fituan Shkollën e Magjistraturës, me meritë. Gjyqtari kontrovers Gerd Hoxha, doli në TV para një dite, për të justifikuar punën e tij, alla suedeze si ekspert i kodit.
Si mund të imagjinohet në Suedi, vettingu i këtij gjyqtari, 2 me 1 në KPK, 3 me 2 në KPA, dhe si mund të binden suedezët për makina dhe shtëpi që dalin tepër, krahasuar me pagën zyrtare të një gjyqtari?
Në media, doli një tjetër grup pune me oponentë dhe draftues, si ajka e ekspertëve në vend. Aty u panë emra si Bledar Mustafaraj, i larguar nga Vettingu, Ylli Pjetёrnikaj, prokurori që kohën e lirë dhe vettingun e kaloi duke nxjerrë në pah dashurinë për delet dhe dhentë, në fermën e tij. Kujtim Luli, një tjetër ekspert që mbylli pa lavdi karrierën duke u shkarkuar nga Vetting. Apo Tereza Merkaj, që bashkëshortin Eduart Merkaj, e ka vartës të qeverisё nё Akademinё e Policisё.
Në grupin e punës spikat Skënder Kaçupi, i kudondodhur në 30 vitet e fundit në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin publik, Shkollën e Magjistraturës dhe gjithë sistemin e drejtësisë. Eksperti Kaçupi, në Sekretariatin Teknik, futi edhe mbesën e tij Ketiona Kaçupi, e cila nga përkthimi i Kodit Penal, me Google Translate, fitoi para një jave të drejtën për të qenë kandidate gjyqtare në Shkollën e Magjistraturës.
Eksperti i Kodit Penal, Skënder Kaçupi shkëlqen me rekordin farefisnor të punësuar në sistemin e drejtësisë: me gruan notere, kunatën ndërmjetëse, vëllain përmbarues, djalin me kompani mikrofinancë, vetë avokat, mbesёn gjyqtare dhe nipin sekretar të përgjithshëm në ILDKPKI.
Kryeeksperti Arben Rakipi, në dy vjet draftim të Kodit Penal, përdori zyrën e tij te ish-Blloku, në adresën Rruga Ibrahim Rugova, pallatet Green Park Tower, Kulla Nr.1, Kati Nr.11, Ap Nr.54. Aty u futën ekspertët ChatGPT, me radhë, një e nga një apo dy e nga dy, derisa Kodi Penal përfundoi.

Zyra Ligjore “Rakipi & Partners” ka një karakteristikë të veçantë: dy avokatët e saj shqiptarë (Ermir Beta dhe Romina Zano Lleshi) dhe njëri holandez (Jon Rakipi), në dy vitet e fundit kanë mbrojtur në proceset vetting mbi 50 gjyqtarë dhe prokurorë të rëndësishëm. Shumica e tyre shpëtuan dhe vazhdojnë punë edhe sot. Të shohim nëse do shpëtojë Kodi Penal…!