A po i zhduk Kristo Qirici njerëzit e Sanços së Memaliajt? Lidhjet policore, pasuria dhe krimet e narkosit të Sarandës që kërkohet nga SPAK, lufta me Kalemin që do dalë pas disa muajsh nga burgu

Investigim

Publikuar: 07/07/2025

A po i zhduk Kristo Qirici njerëzit e Sanços së Memaliajt? Lidhjet policore, pasuria dhe krimet e narkosit të Sarandës që kërkohet nga SPAK,  lufta me Kalemin që do dalë pas disa muajsh nga burgu

30-vjeçari Eraldo Muçi, nga fshati Bylysh i Memaliaj, prej 20 ditësh rezulton i zhdukur. Nuk ka asnjë gjurmë rreth tij. Eraldo Muçi ishte një prej miqve më të besuar të Aleksandër Sadikaj, i njohur si “Sanço i Memaliajt”, i ekzekutuar me bombë me telekomandë më 11 qershorit të vitit 2022 në afërsi të rrethrrotullimit të Saukut, pranë qendrës tregtare TEG.

Kjo lidhje ngre dyshime se mund të kemi të bëjmë me një tjetër ngjarje kriminale, pasi saga e hakmarrjes dhe luftës mes dy grupeve kriminale Sadikaj-Papa ose më saktë Kalemi-Papa, ka lënë të paktën pesë viktima në pesë vitet e fundit, dhe duket se misteri për këto ngjarje nuk ka të mbaruar.

Eraldo Muçi kujdesej për fermën e Aleksandër Sadikajt, i ekzekutuar në 2022. Para se të zhdukej, Eraldo ka ndaluar tek ferma e kuajve të familjes Sadikaj dhe më pas ka udhëtuar drejt Durrësit. Për herë të fundit është parë në autostradën Tiranë-Durrës dhe prej aty ka humbur gjurmët. Kërkimet për gjetjen e të riut po vazhdojnë, kurse prindërit apelojnë për gjetjen e djalit të vetëm.

Kristo Qiriçi (alias Jetmir Hoxhaj, alias Jetmir Qiriçi), në kërkim nga SPAK-u për grup kriminal dhe trafik droge, konsiderohet si koka e një grupi kriminal në Sarandë dhe jo vetëm, ku aktiviteti i tij shtrihet në trafikun e hashashit, kokainës, vrasjet, zhdukjet, pastrim parash etj. Kristo Qirici është vëllai i Edmond Papa, i vrarë në 16 dhjetor 2022 në Tiranë. Papa u ekzekutua në shenjë hakmarrje për vrasjen e Aleksandër Sadikajt.

Kristo Qiriçi (alias Jetmir Hoxhaj, alias Jetmir Qiriçi), me lidhje të forta policore, fuqi të madhe ekonomike dhe potencial kriminal, është pronar i hotelit “Blues Sky” në zonën e Sarandës. Hoteli përmendet shpesh në dosjet penale si një vend ku organizohen krime, por edhe ku mblidheshin punonjës e drejtues policie për të raportuar dhe marrë udhëzime nga personazhi me disa emra.

Pikërisht në këtë hotel ka fjetur dy ditë para se të ekzekutohej në 11 qershor 2022 në Tiranë, Alekandër Sadikaj, i cili edhe pse vetëm 27 vjeç kishte një historik të pasur kriminal me plagosje, vjedhje, grabitje dhe trafik droge. Njerëzit e Sadikajt dyshuan se bomba poshtë makinës së tij është montuar pikërisht në garazhin e hotelit nga vëllezërit Para-Qirici, kur i riu po flinte lart.

Fakti që Sadikaj ishte lidhje e Qiricit dhe frekuentonte në mirëbesim hotelin e tij, tregon se Sadikaj mund të ishte pjesë e të njëjtit grup kriminal ose grup më vete, por që bashkëpunonin. Edhe pse vetëm 27-vjeç, duket se Sadikaj nuk ishte ngjitur rastësisht aq lart në trafikun e kokainës dhe botën e krimit, pasi besohet se mbështetej tek Adriatik allias Andrea Kalemi, i cili është djali i dajës së Aleksandër Sadikajt.

53-vjeçari Andrea Kalemi, i cili u ka shpëtuar disa atentateve, është një emër i lakuar në botën e krimit, me historik që në vitin 2001, kur u akuzua nga drejtësia belge për vrasjen e vëllezërve shqiptarë Mevlan e Adriatik Çaça.

Gjashtë muaj pas vrasjes së djalit të hallës (Aleksandër Sadikaj), Adriatik Kalemi dyshohet se ka organizuar vrasjen Edmond Papës në Tiranë, në shenjë hakmarrje. Për vrasjen e Papës u arrestuan dhe më pas u dënuan me 55 vite burg Albano Velo dhe Andrew Bode. Në dosjen hetimore Albano Velo dhe Andrew Bode evidentohen si shokë të Adriatik Kalemit.

(Albano Velo, Edmond Papa dhe Andrew Bode)

Dy tentativa për të vrarë Kalemin

Në 9 gusht të vitit 2023, Adriatik Kalemi i shpëtoi një atentati në ishullin Paxos të Greqisë, teksa pushonte me familjen. Autori, ende i paidentifikuar, i cili dyshohet se mbërriti në ishull me jet-ski, hapi zjarr ndaj Kalemit duke e lënë të plagosur rëndë. Kalemi nuk e kishte meduar se rivali do t’a ndiqte deri aty.

Në vendngjarje policia greke gjeti 14 gëzhoja. Ai u transportua me skaf në limanin Arila në Perdika dhe më pas me autoambulancë drejt Janinës ku mori ndihmën e parë. Policia greke e arrestoi Kalemin pasi zbuloi se ai kërkohej nga policia për një çështje të vjetër dhe e transferoi atë në burgun e Koridhalos pas kaloi rrezikun për jetën dhe u rehabilitua plotësisht.

Në 15 dhjetor 2023, Adriatik Kalemi i shpëtoi sërish vdekjes pasi u sulmua me thikë në burgun e sigurisë së lartë “Koridhalos” në Athinë. Kalemi godit disa herë me thikë nga një i burgosur 28 vjeçar egjiptian, i cili dyshohet se ishte paguar për për t’a vrarë. Kalemi mori plagë në kraharor, qafë e krah dhe u transportua në spitalin e burgut ku mori ndihmën e parë.

Tentohet vrasja e vëllait

Më 12 Janar të vitit 2024, iu bë atentat Zamir Kalemit, vëllait të Andrea (Adriatik) Kalemit. Ai u qëllua me breshëri kallashnikovi, nga një mjet në lëvizje, por mundi të shpëtojë edhe pse u godit nga 4 plumba. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:55, në vendin e quajtur “Nënkalimi i Selitës”. Kalemi lëvizte me një automjet “Smart” kur u qëllua me breshëri kallashnikovi. Pas ngjarjes atentatorët kanë vijuar rrugën në drejtim të Bërzhitës, ku më pas i kanë vënë flakën makinës tip “Nissan”. Brenda mjetit të djegur u gjet edhe arma që dyshohet se është përdorur në krim. Policia tha se nga verifikimet paraprake, targat e automjetit AA 968 JD, të përdorura nga autorët, ishin kallëzuar të vjedhura në Tiranë, në vitin 2018, dhe po ashtu edhe mjeti tip “Nissan”, ngjyrë gri me targë MHY 66 50, rezulton i vjedhur në Greqi më datë 13 shkurt 2023.

Vritet babai i Kalemit, masakra e Memaliajt

Masakra e Memelaijt, një hakmarrje brutale, pas të cilës dyshohet se qëndron Kristo Qirici (alias Jetmir Hoxhaj, alias Jetmir Qiriçi), ishte një ngjarje e paralajmëruar. Në pamundësi për të goditur Adriatik Kalemin, i cili kishte marrë masa të forta pas tre atentateve ndaj tij dhe vëllait, grupi kundërshtar nis të godasë anëtarët e tjerë të familjes, të cilët mbroheshin më pak.

Me 20 qershor 2024, tre persona janë afruar me automjetin e tyre pranë një lokali në Memaliaj ku ndodhej ulur Shyqyri Kalemi, 74 vjeç, babai i Adriatik Kalemit. Autorët kanë hapur zjarr duke lënë pas tre viktima.

Viktima në këtë atentat mbetën Shyqyri Kalemi, 74 vjeç, ndërsa është plagosur vëllai i tij, Artur Kalemi 57 vjeç. Si pasojë e breshërive, kanë humbur jetën edhe Gledjon Muka, i cili punonte si kamerier në lokalin ku u qëllua, si dhe Marsel Çela, i cili ishte klient i rastësishëm në momentin kur kanë nisur të shtënat.

Arrestohet Adriatik Kalemi, kishte mbushur shtëpinë me armë

Andrea alias Adriatik Kalemi u arrestua më 28 gusht të vitit të 2024, gjatë një aksioni të forcave RENEA, të cilit i gjetën në banesën e tij në Gjirokastë arsenal armësh, më konkretisht 1 armë zjarri automatike, 1 armë gjahu, 1 gjerdan fishekësh, fishekë luftarakë, 2 silenciatorë, 1 jelek antiplumb, 40 145 Euro, mbi 400 mijë lekë dhe 3470 dollarë. Në atë aksion u arrestua edhe Andrew (Edvin) Bode, i akuzuar për vrasjen e biznesmenit Edmond Papa, në Selitë në kryeqytet në dhjetor të vitit 2022, teksa strehohej në banesë nga Julian Kalemi, kushëriri i Adriatik Kalemit. Adriatik Kalemi u dënuar me 2 vite burgim nga Gjykata e Gjirokastrës.

Kristo Qiriçit i sekuestrohen 90 pasuri

Në mars 2025 SPAK sekuestroi mbi 90 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në pronësi të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të Kristo Qiricit dhe grupit të tij. Grupi i Qiriçit akuzohet si i përfshirë gjatë viteve 2019-2021 në veprimtarinë kriminale të kultivimit të kanabisit në zonën e Sarandës dhe rrethinat e saj, si dhe trafikimit të narkotikëve nga Shqipëria për në Greqi, të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Në lidhje me këtë grup kriminal, SPAK lëshoi urdhër-arrestet pak ditë më parë, ku në pranga përfunduan zyrtarë të Policisë, më konkretisht Shkëlzen Ruska, shefi i Krimeve në Himarë, Ervis Alisinanaj shefi i Krimeve në Lushnjë dhe u shpall në kërkim shefi i Policisë Kufitare Elvis Dervishi.

Ky grup kriminal u godit nga SPAK pas zbërthimit të bisedave në aplikacionin e enkriptuar “Sky Ecc”. Nga bisedat në Sky del në pah edhe rrezikshmëria, fuqia financiare, kriminale dhe korruptuese e Kristo Qiriçit, vëllai i Palës. Qiriçi kishte rekrutuar shefat e policisë si të ishin kamarierë.

Në pranga përfunduan zyrtarë të policisë, më konkretisht Shkëlzen Ruska, shefi i Krimeve në Himarë, Ervis Alisinanaj shefi i Krimeve në Lushnjë dhe u shpall në kërkim shefi i Policisë Kufitare Elvis Dervishi. Ndërkohë, në kërkim u shpallën dhe Kristo Qiriçi, i cili njihet edhe me emrat Jetmir Hoxhaj dhe Jetmir Qirici, Eldjon Alushaj i njohur edhe si Kosta Alushaj, Benci Toska, Shkelzen Kraja, Xhino Nebi, Luiz Bala i njohur dhe si Edmond Sinanaj.

Ndaj anëtarëve të këtij grupi kriminal rëndojnë akuzat për veprat penale “Fallsifikim i dokumentave”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” , “Shpërdorim i detyrës” , “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Trafikimit të lëndëve narkotikëve”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të struktuar kriminal, “Kultivim i bimëve narkotike”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal , “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të struktuar kriminal,  “Grupi i strukturuar Kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Por, nga 5 vrasje, 1 plagosje dhe 3 atentate, vetëm për vrasjen e Edmond Papës kemi zbulim dhe ndëshkim të autorëve. Për vrasjen e Sadikajt, për masakrën e Memaliajt me 3 viktima dhe një të plagosur, për 3 atentate ndaj Kalemit dhe vëllai të tij, nuk ka autorë të identifikuar edhe pse dyshimet bien mbi vëllain e Edmond Papës. Ky i fundit është i lirë, rrethanë e cila i krijon lehtësi për vijimin e aktivitetit kriminal. Nga ana tjetër, njeriu më i fuqishëm i grupit rival, me fuqi të madhe ekonomike dhe potencial kriminal, Adriatik Kalemi, për disa muaj do të jetë i lirë, ku mund të shenjestrojë Qiricin, dhe në mungesë të tij, lidhjet e afërta. Nëse policia dhe SPAK nuk veprojnë, vrasjet e radhës janë thjeshtë çështje kohe.