Hakmarrja që s’ndalet/ Policia merr në pyetje Preng Gjinin për vrasjen e Pjetër Kazës

Kronike

Publikuar: 22/06/2025

Hakmarrja që s’ndalet/ Policia merr në pyetje Preng Gjinin për vrasjen e Pjetër Kazës

Policia e Lezhës ka shoqëruar dhe marrë në pyetje për disa orë Preng Gjinin, në lidhje me atentatin ndaj Pjetër Kazës, i cili u ekzekutua me 12 plumba para banesës së tij në Tale, më 1 qershor. Familjet Gjini dhe Kaza janë në konflikt gjakmarrjeje që nga viti 1994, çka i shton dyshimet se ngjarja ka motive hakmarrjeje. Preng Gjini, i cili ka mbijetuar më herët një atentat me eksploziv, ka mohuar përfshirjen në krim dhe ka pretenduar se në momentin e ngjarjes ndodhej në Tiranë, duke paraqitur edhe prova për alibinë e tij. Megjithatë, hetuesit dyshojnë se ai dhe një kushëri i tij, aktualisht i shpallur në kërkim, mund të jenë organizatorët e atentatit.

Historia e përgjakshme mes dy fiseve nis në vitin 1994, kur në Rrëshen u vra shefi i krimeve Ndue Kaza, ndërsa përplasja e radhës ndodhi më 3 korrik 1997, kur Martin Kaza ekzekutoi vëllezërit Dod dhe Agustin Gjini në qendër të Laçit. Ai u arratis dhe qëndroi për vite të tëra i fshehur në Britaninë e Madhe, derisa u ekstradua në Shqipëri në vitin 2018.

Pavarësisht se dukej se konflikti ishte shuar, hakmarrja u rikthye në vitin 2024 në Belgjikë, ku u vra Agustin Kaza, ndërsa atentati më i fundit ndodhi më 1 qershor të këtij viti, me ekzekutimin e Pjetër Kazës, 57 vjeç, në derën e shtëpisë së tij.

Policia bën me dije se hetimet vijojnë intensivisht dhe se pista kryesore mbetet ajo e gjakmarrjes. Personi i shpallur në kërkim për këtë ngjarje është vëllai i viktimave Dod dhe Agustin Gjini./ News 24