Pas nxjerrjes jashtë loje të Aida Hajnajt, e cila ishte e padëshiruar nga kreu i SPAK-ut Altin Dumani, një ‘luftë e ftohtë’ ka nisur për të diktuar drejtuesin e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Sipas burimeve, kreu i SPAK-ut Altin Dumani po ‘lëviz gurët’ për të zgjedhur në krye të BKH-së nënkryetarin aktual, Joni Keta, i cili është djali i prokurorit Hysen Keta, i cili mban postin e këshilltarit të etikës në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Joni Keta e ka nisur karrierën në Prokurorinë për Krime të Rënda, si OPGJ. Keta ishte ndër të parët që iu bashkua BKH-së dhe besohet se e njeh mirë se si funksionon struktura hetimore që mbështet SPAK-un. Në vitin 2024, Keta garoi për postin e zëvendësdrejtorit dhe doli fitues mes disa kandidatëve. Sot, me përvojë të konsoliduar në hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, Keta kërkon të marrë drejtimin e plotë të “FBI-së shqiptare”.
Por, Joni Keta ka një pengesë të fortë për t’u ngjitur në krye të BKH-së. Ai është Haki Çako, kreu i Emergjencave Civile, ish drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, një personazh që ka arritur t’u mbijetojë dallgëve, intrigave dhe lëkundjes pas rënies së Saimir Tahirit. Haki Çako ka mbështetjen dhe besimin e plotë të Edi Ramës, pushteti dhe ndikimi i cilit ka marrë një tjetër dimension pas 11 majit.
Ditët e fundit Çako ka zhvilluar një takim me Ramën. Thuhet se Rama i ka propozuar më herët postin e ministrit të Brendshëm, propozim që nuk është pranuar nga Rama. Sipas burimeve, Rama i ka garantuar mbështetje për postin e kreut të BKH-së.
Në garë për drejtimin e BKH-së është edhe Gledis Nano, ish drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Nano ka një avantazh në raport me Ketën dhe Çakon: Ka mbështetjen e SHBA-BE. Gledis Nano konsiderohet një bashkëpunëtor i sprovuar dhe i besueshëm i partnerëve ndërkombëtarë, ndonëse nuk dihet nëse Ambasada Amerikane në Tiranë do të angazhohet si më parë në procesin e zgjedhjes së kreut të BKH-së dhe më pas të SPAK-ut.
Që të tre kandidatët nuk janë lakuar për lidhje me krimin dhe afera korruptive. Secili kandidat posedon një pasuri normale dhe ka përvojë në fushën e hetimit. Emri që do të zgjidhet në krye të SPAK do të tregojë edhe fuqinë e infulencës mbi SPAK dhe KLP.