Deputeti i PS-së Plarent Ndreca është paraqitur sot në SPAK. Sipas burimeve, Ndreca është thirrur nga prokurori Ols Dado në kuadër të një procedimi penal që lidhet me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Po sipas burimeve, Ols Dado e ka pyetur deputetin Ndreca se pse ka zhvilluar një takim me kryebashkiakun Erion Veliaj në burgun e Durrësit dhe çfarë kanë biseduar.
Nuk dihet se çfarë përgjigje ka dhënë deputeti Ngreca, i cili ka qenë kritik dhe është shprehur hapur për një mekanizëm kontrolli ndaj SPAK-ut. Por, deputeti ka shpërthyer duke akuzuar prokurorë të SPAK-ut se po keqpërdorin funksionin publik, ndërsa ka folur per qasje qasje korporatiste.
“Thirrja e një deputeti për të dhënë sqarime në një institucion kushtetues si Prokuroria e Posaçme, ashtu si edhe përgjigjja ime vullnetare ndaj kësaj thirrjeje, nuk përbën as lajm, as diçka të jashtëzakonshme. Është pjesë e marrëdhënies normale institucionale që përcakton vetë Kushtetuta. Nga ana tjetër, ky respekt për institucionet nuk e përjashton, përkundrazi, e nxit detyrimin për t’i vëzhguar ato nga afër — veçanërisht në mënyrën se si ushtrojnë kompetencat e tyre. Kjo mbetet pjesë thelbësore e veprimtarisë sime parlamentare, deri në ditën e fundit të mandatit. Veprimtari që do të ushtrohet në ditët në vijim përmes publikimit të sjelljeve të disa institucioneve kushtetuese, të cilat në këndvështrimin tim, me heshtjen ndaj shkeljeve, veprojnë në kundërshtim me mandatin e tyre kushtetues dhe brenda një qasje korporatiste, që vetëm drejtësisë për njerzit nuk i shërben“, shkruan Ndreca.