Rrëfimet e bashkëpunëtorëve të drejtësisë:Nuredin Dumani identifikoi Troplinin e Elvis Doçin si më të fuqishmit në Durrës

Kronike

Publikuar: 25/05/2025

Rrëfimet e bashkëpunëtorëve të drejtësisë:Nuredin Dumani identifikoi Troplinin e Elvis Doçin si më të fuqishmit në Durrës

Në dosjen hetimore italiane janë përfshirë edhe dëshmitë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë, që kanë pasur një rol thelbësor në identifikimin e drejtuesve të grupit kriminal. Një prej tyre është edhe Nuredin Dumani, që në Shqipëri ka zbërthyer dhjetëra krime e disa grupe kriminale.

Në dosje thuhet se deklaratat e bashkëpunëtorit të drejtësisë janë të rëndësishme për qëllimet e rindërtimit të kontekstit, në të cilin vepruan të dyshuarit, si dhe të transaksioneve individuale të paligjshme, me të cilat ata u morën. Bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani, spontanisht, raportoi fakte që ishin objekt i perceptimit të drejtpërdrejtë, duke dhënë informacione specifike mbi aktivitetin e kryer, ndër të tjera, nga Elvis Doçi dhe Xhevdet Troplini, si dhe pseudonimet e tyre.

Ai tha se e filloi karrierën e tij kriminale duke kryer vrasje me pagesë. Për këtë aktivitet kriminal, ai përdori telefona të koduar, të cilët u blenë në një dyqan në Tiranë, me një çmim fillestar prej 2 mijë eurosh, duke përfshirë një abonim gjashtëmujor në platformat e koduara, çmim që më vonë u ul në 1300 – 1400 euro. Bashkëpunëtori i drejtësisë tha se përdori platformat e koduara SKY, BC1 dhe MATRIX. Më pas, ai filloi të trafikonte drogë, duke thënë se paratë transportoheshin nga Italia në Shqipëri me anë të autobusëve të kompanisë shqiptare “La Firenze lines”, të cilët niseshin nga porti i Barit për të mbërritur në Durrës. Për transportin, shoferi ishte i siguruar me një shumë parash që korrespondonte me 10% ose 12% të shumës së parave të transportuara për udhëtimet nga Italia në Shqipëri, si dhe një shumë që korrespondonte me 3% ose 4% për udhëtimet nga Shqipëria në Itali.

Në fakt, gjatë marrjes në pyetje më 18 janar 2024, të kryer brenda ekipit të përbashkët hetimor, në zyrat e Prokurorisë së Posaçëm në Tiranë, Nuredin Dumani, anëtar i një grupi kriminal shqiptar, tha se ishte përfshirë në trafikun e drogës nga viti 2010 deri në vitin 2013 dhe se ata ishin më të fuqishmit. Sipas tij ky ishte grupi i Xhevdet Troplinit, që në vitet e fundit ishte bërë grupi më i madh, të paktën në qytetin e Durrësit. Atij iu vu përpara një fotografi që mbante numrin 5, të cilin e identifikoi si “Visi i Pojës”, djali i motrës së Xhevdet Troplinit.