Evropa ‘zbret’ në Tiranë/ Mbahet sot Samiti i Komunitetit Politik, mblidhen 47 liderë! Fokusi te Ukraina, siguria dhe e ardhmja e kontinentit

Politikë

Publikuar: 16/05/2025

Evropa ‘zbret’ në Tiranë/ Mbahet sot Samiti i Komunitetit Politik, mblidhen 47 liderë! Fokusi te Ukraina, siguria dhe e ardhmja e kontinentit

Tirana mirëpret Samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian, një ngjarje që zhvillohet për herë të parë në një vend të Ballkanit Perëndimor. Samiti do të mbahet në Sheshin Skënderbej, ku do të marrin pjesë liderët e 47 vendeve evropiane, së bashku me drejtuesit e institucioneve më të larta ndërkombëtare.

Mes tyre do të jenë kryeministri britanik Keir Starmer, i cili mbërriti një ditë më parë në kuadër të vizitës zyrtare, kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, kreu i NATO-s Mark Rutte, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Kryeministri Edi Rama do ta nisë ditën me një sërë takimesh dypalëshe që i paraprijnë punimeve të samitit. Ai do të takohet fillimisht me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe më pas me kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez. Në total, Rama pritet të zhvillojë 10 takime me homologë të ndryshëm evropianë, përfshirë kryeministren italiane Meloni, presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidentin turk Erdogan.

Samiti do të bashkëdrejtohet nga kryeministri Rama dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Tema e samitit është: “Evropa e re në një botë të re: Unitet, bashkëpunim, veprim i përbashkët”, ndërsa diskutimet do të përqendrohen në tri tryeza të rrumbullakëta që do të trajtojnë çështje të sigurisë, konkurrencës ekonomike dhe fuqizimit të të rinjve, përballë sfidave si lufta në Ukrainë, mbrojtja evropiane dhe transformimi teknologjik.

Punimet e samitit do të përmbyllen me një konferencë për shtyp të përbashkët mes kryeministrit Rama dhe homologes së tij nga Danimarka, Mette Frederiksen, vendi ku do të mbahet samiti i radhës.

Diskutimet e samitit do të strukturohen në tryeza të larta tematike:

Tryeza e parë do të fokusohet në sigurinë e Evropës dhe qëndrueshmërinë demokratike, duke trajtuar çështje të rëndësishme si mbështetja për Ukrainën në arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, si dhe sfida afatgjata si mbrojtja e institucioneve demokratike nga ndërhyrjet e huaja dhe përforcimi i kapaciteteve të mbrojtjes së përbashkët evropiane. 

Tryeza e dytë do të trajtojë forcimin e konkurrueshmërisë dhe sigurisë ekonomike, me fokus në inovacionin, infrastrukturën digjitale, qëndrueshmërinë energjetike dhe autonominë strategjike për mbrojtjen e zinxhirëve kritikë të furnizimit dhe balancimin e objektivave klimatike me fuqinë industriale.

Sesioni i tretë do të fokusohet në dinamikat komplekse të migracionit, mobilitetit dhe fuqizimit të të rinjve, në një epokë të shënuar nga inteligjenca artificiale dhe përshpejtimi i ndryshimeve teknologjike.

Komuniteti Politik Evropian është një nismë e propozuar për herë të parë nga presidenti francez Emmanuel Macron gjatë një fjalimi në Parlamentin Evropian më 9 maj 2022, me qëllim nxitjen e dialogut politik dhe bashkëpunimit për çështje të interesit të përbashkët, si dhe forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe mirëqenies në kontinentin evropian.

Mbajtja e Samitit përfaqëson një moment me rëndësi historike si për Shqipërinë, ashtu edhe për rajonin në tërësi. Samiti i Tiranës zhvillohet gjithashtu në një moment vendimtar për Evropën, teksa kontinenti përballet me tensione në rritje në nivel global. Kërcënimet hibride, vështirësitë ekonomike dhe fragmentimi teknologjik po vënë në provë qëndrueshmërinë demokratike dhe nënvizojnë nevojën urgjente për një përgjigje më të koordinuar dhe të bashkuar evropiane.

AXHENDA E PLOTË E SAMITIT

10:00 – Mbërritje 

11:00 – Ceremonia e hapjes

11:30 – Foto familjare

11:45 – Seanca e parë plenare

13:00 – Dreka zyrtare

14:30 – Tryeza tematike

15:45 – Takime dypalëshe midis Kryetarëve të Delegacioneve

17:30 – Seanca plenare mbyllëse

18:30 – Konferencë e përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Shqipërisë dhe Kryeministren e Danimarkës (pritesi i radhës)

Liderët dhe zyrtarët që do të marrin pjesë:

1.       Antonio Costa, Presidenti i Këshillit Evropian

2.       Robert Abela, kryeministri i Maltës

3.       Albert II, princ i Monakos

4.       Ilham Aliyev, presidenti i Azerbajxhanit

5.       Luca Beccari, Ministër i Punëve të Jashtme, Bashkëpunimit Ekonomik Ndërkombëtar dhe Telekomunikacionit të San Marinos

6.       Alain Berset, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës

7.       Ilie Bolojan, Presidenti i Përkohshëm i Rumanisë

8.       Nikos Christodoulides, president i Qipros

9.       Zeljka Cvijanovic, kryetare e presidencës së Boshnjes dhe Hercegovinës

10.    Bart De Wever, Kryeministri i Belgjikës

11.    Rexhep Tayip Erdogan, president i Turqisë

12.    Xavier Espot Zamora, kryeministër i Andorës

13.    Petr Fiala, kryeministër i Republikës Çeke

14.    Robert Fico, kryeministër i Sllovakisë

15.    Mette Frederiksen, kryeministre e Danimarkës

16.    Luc Frieden, kryeministri i Luksemburgut

17.    Kristrún Mjöll Frostadóttir, kryeministre e Islandës

18.    Jonas Gahr Støre, kryeministri i Norvegjisë

19.    Robert Golob, kryeministri i Sllovenisë

20.    Brigitte Haas , kryeministre e Lihtenshtajnit

21.    Rosen Zhelyazkov, kryeministri i Bullgarisë

22.    Kaja Kallas, Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian

23.    Karin Keller-Sutter, Presidente e Konfederatës Zvicerane

24.    Irakli Kobakhidze, kryeministri i Gjeorgjisë

25.    Ulf Kristersson, kryeministri i Suedisë

26.    Emmanuel Macron, presidenti i Francës

27.    Giorgia Meloni, kryeministre e Italisë

28.    Friedrich Merz, kancelari i Gjermanisë

29.    Roberta Metsola, presidente e Parlamentit Evropian

30.    Kristen Michal, kryeministër i Estonisë

31.    Hristijan Mickoski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut

32.    Jakov Milatoviç, president i Malit të Zi

33.    Viktor Orban, kryeministër i Hungarisë

34.    Petteri Orpo, kryeministër i Finlandës

35.    Vjosa Osmani, presidente e Kosovës

36.    Gintautas Paluckas, kryeministër i Lituanisë

37.    Nikol Pashinyan, kryeministër i Armenisë

38.    Andrej Plenković, kryeministër i Kroacisë

39.    Mark Rutte, Sekretari i Përgjithshëm i NATO

40.    Maia Sandu, presidente e Moldavisë

41.    Dick Schoof, kryeministër i Holandës

42.    Evika Siliņa, kryeministre e Letonisë

43.    Feridun Sinirlioglu, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së

44.    Keir Starmer, kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar

45.    Christian Stocker, kancelari i Austrisë

46.    Pedro Sanchez, kryeministër i Spanjës

47.    Konstantinos Tassoulas, president i Greqisë

48.    Donald Tusk, kryeministër i Polonisë

49.    Ursula Von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian

50.    Aleksandër Vuçiç, president i Serbisë

51.    Volodymyr Zelensky, president i Ukrainës