Deputetja e Partisë Socialiste në Qarkun e Shkodrës, Marjana Koçeku, ka njoftuar pasditen e sotme se nuk do të jetë më pjesë e grupit parlamentar socialist dhe do të vijojë mandatin si deputete e pavarur.
Sipas informacioneve, në Partinë Socialiste nesër do të zhvillohet një mbledhje e kryesisë në orën 09:30, e ndjekur nga mbledhja e grupit parlamentar në orën 10:00.
Ndërkohë, bëhet me dije se Koçeku nuk ka qenë e pranishme as në festimet e 34-vjetorit të Partisë Socialiste, të zhvilluara në sheshin “Italia” në Tiranë.
Në reagimin e saj publik, ajo ka theksuar se idealet dhe vlerat e saj mbeten të njëjta që para angazhimit në politikë, duke nënvizuar se ato përcaktojnë kufijtë e saj politikë.
“Prej sot jam deputete e pavarur. Idealet e vlerat e mia janë ato që i kam pasë e i kam shprehë qysh para se me u asociu me një parti. Ato m’i diftojnë kufijtë”, ka shkruar Koçeku.