Prapaskena

Investigim

Lidhjet e shtrirja e bandës “Seci”. Kush janë “patriotët” e Familjes që kërkojnë të korruptojnë SHBA-të për t’i hequr nongratën Berishës? Gjurmët e Shkëlzenit dhe një detaji që tregon se Noka nuk e ka lexuar kontratën

Publikuar: 06/05/2025

Kontrata e lobimit të Partisë Demokratike me kompaninë amerikane “Continental Strategy LLC”, është përpjekja e fundit që Sali Berisha po ndërmerr për t’iu afruar “faljes” së Presidentit amerikan.

Dy firmëtarë, Flamur Noka nga Kukësi dhe Nuredin Seci nga Tropoja, pranuan të hedhin firmat mbi Kartën që formalisht do të qarkullojë se paku 10 milionë USD, por që poshtë tavolinës mund të paguhen deri në 100 milionë, për të negociuar çmimin e FALJES.

A do mjaftojë gjysma, çereku apo gjithë pasuria e Berishajve për të blerë “firmën” e Trump?

Testi është kontrata e lobimit që Carlos Trujillo, një lobist rishtar amerikan, ish ambasador në presidencën e parë të Trump, firmosi me Flamur Nokën dhe Nuredin Secin, i pari në emër të PD-së, i dyti në emër të Magës shqiptare, “Make Albania Great Again”, një fondacion i krijuar më 27 mars 2025.

Tre ditë pasi u krijua fondacioni MAGA, njujorkezi Trujillo i dërgoi kontratën e lobimit tropojanit Seci me të gjitha detajet e pagesave e të shërbimit, dhe në fund i shkruan:

Ju lutem, shqyrtojeni me kujdes këtë marrëveshje dhe, nëse keni ndonjë pyetje në lidhje me kushtet e saj, mos hezitoni të më kontaktoni.”

Natyrisht që Nuredin Seci, nuk kishte çfarë t’i shihte kontratës së lobimit. As ai, as Flamur Noka, nuk kishin ç’t’i lexonin. Të dy firmosën më 4 prill 2025, ndërsa Nuredini pagoi 750 mijë $ amerikane në llogarinë e “Continental Strategy LLC”.

Kush është familja Seci?

Nuredin Secit nuk i kishte dalë as në ëndërr që një ditë do t’i vinte një letër nga një amerikan që kishte ngrënë “bukë” në një tavolinë me Presidentin e Amerikës. Lindur në Markaj të Tropojës, Nuredini gjysmën e jetës e kaloi bjeshkëve, si Dritani, ne filmin “Komisari Dritёs”, sa në Hidrocentralin e Fierzës, sa në Nënstacionet Elektrike të veriut. I martuar me Ajshe Secin, pati tre fёmijё.

Pas vitit 1990, Nuredin Seci angazhohet në strukturat e PD megjithëse rridhte nga një familje komunistësh. Pasi u shpërngul familjarisht në Tiranë, fillimisht u emërua në Ministrinë e Arsimit, e më pas në Drejtorinë e Auditit në KESH, aty ku qëndroi deri në vitin 2003, aty ku punon edhe vёllai i tij, Murat Seci. Nuredin Seci u largua familjarisht në fund të 2003 për në USA.

Akil dhe Bekim Seci, janë nipat e Nuredinit. Të dy djemtë e motrës se tij, Nuredini i tërhoqi në SHBA dhe janё tё lidhur ngushtё me djalin e tij Valdrin Seci. “Seci Construction, Inc” në New Jersey ka si pronar Akil Secin dhe Valdrin Secin.

Valbona Seci, agjentja imobiliare, që “gjeti” selinё qёndrore tё “Make Albania Great Again”, ёshtё kushërirë e parë e Nuredinit. Edhe kjo e ndihmuar nga Nuredini, pёr tё emigruar bashkë me vëllezërit Qamil dhe Bledar Seci në SHBA. Valbona ёshtё motra e Aida Berishёs, emigrante nё Austri.

Rrethi i Nuredin Secit, me kushërinj të shumtë nga Markaj dhe Dragobia e Tropojës, krijoi një komunitet “patriotësh” në New Jersey dhe një komunitet në Shqipëri për të vazhduar punët “opozitare”.

Amerikano-shqiptarët Akil dhe Valdrin Seci, bashkë me disa kushërinj të Shqipërisë, janë djemtë e shkathët të familjes. Ata mbajnë lidhjet me Shkëlzen Berishën dhe bizneset bashkë me shoqatat e kamufluara të bamirësisë në emrin e tyre, në Amerikë dhe Shqipëri, si ёshtё shoqata “Seci Foundation”, simotёr e fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”, tё Liri Berishes.

Kontrata apo vaksina e Nongratës?!

Marco Rubio, Sekretar i Shtetit, dhe Susan Wiles, shefe e kabinetit të Presidencës Trump, janë “objektivat” për të arritur të çbëhet nongrata e Berishës. Kontrata e lobimit me kompaninë “Continental Strategy LLC”, me fije tё lidhura me dy emrat e rëndësishëm, është instrumenti.

Nga ana ligjore, kontrata e lobimit është e sinqertë. Amerikanët nuk gënjejnë kurrë me letra. Në njërin nga tre sherbimet që “Continental Strategy LLC” do t’i japë PD-së, del qartë impenjimi për heqjen e nongratës:

“Firma pranon të ofrojë përdorimin e përvojës së gjerë në marrëdhëniet me qeverinë, avokimin e politikave, adresimeve ligjore dhe angazhimin e palëve të interesuara në linjë me objektivat e PD-së e të koalicionit Aleanca për Shqipërinë Madhështore.”

Flam(o)ur Noka “koka e turkut”

Pas ditës së diel, 11 maj 2025, ASHM-ja si koalicion mbaron, nuk ka më asnjë vlerë; mbetet vetëm PD-ja dhe nongrata e Sali Berishёs. Por Flamur Noka nuk u arriti t`u thotё lobistëve që të heqin këtë akronim nga kontrata, as tё ankohej pёr emrin qё t’ia shkruanin siç duhet: Flamur e jo Flamour. Sepse Flamuri nuk e ka lexuar fare kontratën, ashtu si garantori i saj, Nuredin Seci.

PD-ja e ka blerë shërbimin e lobimit anti-nongrata: 250 mijë $ në muaj, por ka pёr tё paguar edhe shpenzime shtesë që do bëhen çdo muaj.

Në kontratë thuhet:

Firma do t’i faturojë Klientit çdo muaj kosto të arsyeshme që lidhen me angazhimin, duke përfshirë, por pa u kufizuar në para, shpenzimet e udhëtimit të rëna dakord si hoteli, biletat e fluturimit, shërbimet e makinave dhe ushqimi, duke përjashtuar kostot që lidhen zakonisht me funksionimin e një zyre si shpenzimet e përgjithshme, stafi dhe pajisje.”

Pёrveҫ kontratёs kryesore tё lobimit, Flamuri do firmosё edhe njё tjetёr, e kjo thuhet nё njё pasazh tё kontratёs:

Klienti bie dakord të firmosë një kontratë shtesë me kompaninë ligjore që suporton ligjërisht kompaninë “Continental PLLC”, me qëllim që të marrë shërbime për zbulime dhe kërkime që do mbështesin këtë Marrëveshje Lobimi“.

Pra, për shërbime shtesë, përveç 250 mijë $ në muaj, PD-ja do të paguajë edhe rreth 50 mijë të tjera për dreka, darka, udhëtime, ushqime të lobistëve. Këto dollarё shtesё do të faturohen dhe do të paguhen duke filluar nga 4 korriku 2025, pёr ҫdo muaj.

Çfarë çmimi do të ketë kontrata me firmën ligjore që ka zgjedhur “Continental PLLC” për të bërë siç duhet lobimin e saj? 3 milion $?

Nëse ёshtё kaq, atёherё kontrata e lobimit me gjithё kostot shtesё e çojnë shifrën në 10 milion $.

Tё gjitha pagesat janё llogaritur të kryhen brenda në SHBA, nëpërmjet llogarisë së fondacionit “Make Albania Great Again”, tё Nuredin Secit.

Nuredini, gruaja Ajshe dhe djali i tij Valdrin — themeluesit e fondacionit — do garantojnë 300 deri 500 mijë $ shpenzime në muaj, për një shumë rreth 10 milionë $ në 2 vjet, nëse PD nuk i përgjigjet me para amerikanëve.

A i kanë kaq para “patriotët” e familjes Seci, nёse Flamur Noka nuk ia del tё paguajё?

Me siguri që amerikanët e kontratës kanë parë që Nuredini dhe klani i tij kanë prona, si vila 2 milionë dollarëshe ku ёshtё krijuar MAGA shqiptare nё “65 Woodland Road Woodcliff Lake, New Jersey 07677”.

A kushton 10 milion $ “vaksina” që do shërojë familjen Berisha nga nongrata?

Janë shumë pak, po të imagjinosh se në negociatat poshtë kontratës së lobimit, janë pёrfshirё të tjerë “patriotë” shqiptarë dhe lobistë amerikanë që duan pjesën e tyre të tortës.

Sa do të kushtojë deri në fund “torta” Nongrata, kjo mbetet pёr t’u parё…



Më të lexuarat