Kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli dhe oligarku Bashkim Ulaj janë përfshirë në një skemë flagrante korrupsioni me paratë publike, cila vijon të sfidojë SPAK-un. Dokumentet tregojnë se Dritan Agolli, si kryetar i FSHZH, i ka dhënë kompanisë Gener 2 të Bashkim Ulajt, të paktën 14 milionë euro tendera publikë. 14 milionë euro tendera i ka përfituar nga FSHZH, me firmën e Dritan Agollit, kompania 4 A-M shpk, me pronar në letra Ardit Metaliaj, i cili dyshohet se është maskë e Bashkim Ulajt.
Në këmbim, bashkëshortja dhe djali i Dritan Agollit, Rovena dhe Flladi Agolli, kanë marrë zyra dhe apartamente te kullat në digën e liqenit, të ndërtuar nga firma “Gener 2” e Bashkim Ulajt. Në këtë firmë ka qenë i punësuar edhe vetë Dritan Agolli për një kohë të gjatë para se të emërohej në krye të FSHZH. Pra, në krye të FSHZH është vendosur një ish punonjë i Bashkim Ulajt, i cili nisi t’i jepte tendera ish pronarit të tij.
Rrethanat faktike
Në janar të vitit 2019, Edi Rama emëroi Dritan Agollin drejtor të përgjithshëm të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Ky fond tenderon në vit rreth 250 milionë euro. Në 10 dhjetor të vitit 2020, Fondi Shqiptar i Zhvillimit me në krye Dritan Agollin shpall fituese kompaninë Gener 2 të Bashkim Ulajt për tenderin ‘Rikualifikimi urban pranë qendrës së qytetit Vlorë, Zona A drejtimi i kullës së Sahatit, Kulla e Sahatit dhe Sheshi i Flamurit’, me vlerë rreth 7 milionë euro.

Tre vjet më vonë, në dhjetor 2023, bashkëshortja e Dritan Agollit, Rovena Agolli, themelon kompaninë Agolli Audit & Consulting, me nipt M32405037S Emri i Subjektit: Agolli Audit & Consulting, me objekt auditim ligjor dhe joligjor të pasqyrave financiare për Institucione me interes publik, OJF, shoqëri tregtare, mbajtja e llogarive kontabël etj. Zyrat e kësaj kompanie rezultojnë pikërisht te kullat e Bashkim Ulajt, te diga e Liqenit në Tiranë. Bëhet fjalë për zyra luksoze, qiraja e të cilave kushton mijëra euro në muaj.

Faksimile: Bashkëshortja Dritan Agollit ka marrë zyra te pallatet e “Gener 2”
Ky nuk është episodi i vetëm. Në qershor të vitit 2020, djali i Dritan Agollit, Flladi Agolli, themelon kompaninë HMS, me adresë “Rruga e Kosovarëve, kompleksi rezidencial ‘Lake View’, ap. B202/2”, pra te kullat e Bashkim Ulajt. Kjo firmë ka si veprimtari menaxhimin e ambienteve publike dhe private, komplekseve turistike, pushuese dhe banimi. Madje, edhe administrim të sipërfaqeve publike dhe private ranore, plazhe dhe çdo shërbim i lidhur ngushtësisht me to.

Tre muaj më pas, në shtator 2020, Fondi Shqiptar i Zhvillimit me në krye Dritan Agollin ka shpallur fituese kompaninë Gener 2 të oligarkut Bashkim Ulajt për tenderin me objekt ‘Ndërtimi i Rrjetit Rrugor dhe Infrastrukturës Urbane të Zonës 1, Njësia Administrative Thumane”, Njësia Administrative Thumane, Bashkia Krujë’, me vlerë rreth 5 milionë euro.

Skema e korrupsionit është e qartë. Dritan Agolli ka punuar më parë për kompaninë e Bashkim Ulajt. Pasi Agolli bëhet drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit i jep Bashkim Ulajt 14 milionë euro tendera. Nga ana e tij, Bashkim Ulaj i jep zyra Dritan Agollit për bizneset e gruas dhe të djalit, Rovena dhe Flladi Agolli.
Qoka për djalin dhe gruan me fondet publike
Flladi Agolli, djali i Dritan Agolli është pronar i një biznesi në Hamallaj, restorant.

Në foto: Restoranti i Flladi Agollit në Hamallaj. Në vitin 2023 ka dalë me humbje!
Nga të dhënat rezulton se kjo firmë, bashkë me restorantin “BEDOUIN”, janë në funksion të shfrytëzimit të një sipërfaqeje në plazhin e Hamallajt. Por, në bilancet e publikuara, rezulton se restoranti doli me humbje në vitin 2023! Një paradoks i madh, pasi është një nga vendet më luksoze dhe të shtrenjta në Hamallaj. Ndërkohë, firma HMS i doli me një fitim 2.3 milionë Agollit.Sipas të dhënave në QKB, “BEDOUIN” ka dy vende të ushtrimit të aktivitetit, e para në Hamallaj në kompleksin “Vala Mar” dhe e dyta në rezidencën “Longhill”, Tiranë. Dy prej rezidencave luksoze, të cilat rrugët apo gjithçka tjetër po e bën Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Nga njëra anë babai jep miliona euro në shërbim të këtyre resorteve, nga ana tjetër djali zhvillon aktivitetet e biznesit në këto ambiente, teksa gruaja e tij bën bilance ligjore dhe jo ligjore!

Faksimile: Gruaja e Dritan Agollit është bashkëpronare në një firmë me gruan e Dashamir Pezës
Ndërkohë, biznesi i parë që ka pasur familja Agolli ka qenë “FASHION SILOUHETTE”, një biznes i ndarë me 50 % të aksioneve nga Rovena Agolli dhe 50 % nga Entela Peza, bashkëshortja e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Dashamir Peza. Objekti i biznesit është tregti me shumicë e pakicë, import-eksport të materialeve industriale, ushqimore dhe makinerive në fushën e ndërtimit, agjenci turistike, hoteleri, bar, kafe etj.Nisur nga bizneset e familjes, s’do mend që dy tenderët e FSHZH-së për të bërë restorante të kenë pasur ndikim.
Fondi po bën me paratë e shtetit një restorant në zonën e Petrelës. Ndërkohë, FSHZH shpalli tenderin me vlerë 2 milionë euro për bare, restorante brenda Zonës së Mbrojtur të llixhave të Bënjës. Në atë vend bëri punime sporadike firma “Fusha”, të cilat po “mbulohen” nga fondi i majmë i akorduar nga Dritan Agolli. Të dhënat flasin se Fondi është kthyer në një “qokë” të madhe për familjen apo edhe për disa biznese të lidhur ngushtë me to.
Valter Begaj e Vis Berberi në burg, Dritan Agolli u jep tender me FSHZH
Biznesmeni Valter Begaj, ortak i ish kreut të ARSH-së Evis Berberi, konsiderohet nga SPAK-u si personi kyç që ka shërbyer për të pastruar paratë e përfituar përmes tenderave të paligjshëm nga ish kreu i ARRSH-së. Sipas dosjes së SPAK-ut, njohjet mes Berberit dhe Begajt janë shumë të hershme, përpara se ish drejtori i ARRSH-së të merrte detyra në ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës. Me marrjen e kësaj detyre, Berberi i shiti aksionet e kompanisë DAAM te shtetasi Valter Begaj, për vlerën e 1.7 milionë eurove, ndërsa i kishte blerë për vetëm 800 euro.
Përveç aksioneve të DAAM, Begaj ishte zotërues dhe i kompanisë NET-GROUP (ish “B-VAAL ENGINEERING”), e cila rezulton që të jetë dhe kompania që ka fituar tenderat në mënyrë jo të ligjshme nga ana e Berberit. Në mars të këtij viti, me kërkesë të SPAK u arrestua Ervis Berberi bashkë me dy miqtë e tij Valter Begaj dhe Ervis Lami për korrupsion dhe pastrim parash.
Pas arrestimit, tre shokët nisën të kalojnë kompanitë në emrin e grave, por duke mos hequr dorë nga tenderat edhe në burg. Valter Begaj është themelues dhe pronar (deri në 10 dhjetor 2024) i kompanisë NET-GROUP (ish “B-VAAL ENGINEERING”), pjesë e dosjes së SPAK-ut.

Në 3 dhjetor 2024, drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, i përfshirë në afera flagrante korruptive me oligarkët Bashkim Ulaj dhe Shkëlqim Fusha, i ka dhënë një tender me vlerë 70 mijë euro kompanisë NET-GROUP. Bëhet fjalë për tenderin e shërbimit të mbikqyrjes së punimeve për investime për infrastrukturën e tregjeve, hapësirave tregtare, multifunksionale, rrugë tregetare në zona model zhvillimi, etj. Faza II, etj.


Në kohën kur Dritan Agolli ka firmosur tenderin për kompaninë NET-GROUP, Valter Begaj rezulton pronar në kompaninë fituese, edhe pse kishte disa muaj në burg për korrupsion me tendera dhe pastrim parash. Shatë ditë pasi fitoi tenderin nga FSHZH, Valter Begaj e ka kaluar kompaninë në emrin e bashkëshortes së tij, Loreta Vallja.
