U kontrollua nga BKH, Luan Tabaku ndau 10 milionë euro me hajdutin Eral Myftarajn, ortak me trafikantin Nazif Bajrami, si e ka kapur krimi dhe korrupsioni Elbasanin

Investigim

Publikuar: 12/04/2025

U kontrollua nga BKH,  Luan Tabaku ndau 10 milionë euro me hajdutin Eral Myftarajn, ortak me trafikantin Nazif Bajrami, si e ka kapur krimi dhe korrupsioni Elbasanin

Me urdhër të kreut të SPAK Altin Dumani dhe prokurorit Vladimir Mara, një skuadër e BKH ka ushtruar dje kontolle në ambientet e biznesmenëve Nafiz Bajrami dhe Mariglen Çoku si dhe të drejtorit aktual të Ujësjellës Kanalizimeve në Elbasan Luan Tabaku, për gjetjen e provave të implikimit në afera korruptive dhe veprimtari kriminale. Nisur nga komunikimet në SkyEcc, dyshohet se këta persona kanë lidhje me organizatën kriminale të Suel Çelës. Kreu i Ujësjellësit Luan Tabaku dyshohet se është rekrutuar dhe kontrollohet nga Suel Çela, me qëllim diktimin e tenderave të ujësjellësit për njerëzit e Çelës, ku më pas paratë publike përzihen me para të pista.

Prapaskena ka denoncuar prej dy vitesh me fakte dhe prova se si grupet kriminale kanë kapur Bashkinë e Elbasanit, Ujësjellësin, spitalet dhe çdo ent publik në Elbasan. Raportimet e Prapaskenës u konfirmuan edhe nga komunikimet në SkyEcc. Në 20 prill 2020, ushtari i Suel Çelës, Klaus Matishi (Kledian Çopja), komunikon në SkyEcc me vajzën e gjyqtares Pajtime Fetah, Megi Fetah, ku e informon këtë të fundit për ‘ndarjen e detyrave’ me Suel Çelën për kapjen e plotë të Elbasanit, duke emëruar drejtorët në polici, shëndetësi etj., duke diktuar fituesit e tenderave për anëtarët e grupit të tij kriminal, duke kontrolluar shpërndarjen e drogës dhe aktivitetet e tjera kriminale.

…Ndam ca detyra ne qytet. Sa te marojm gjygjet i kerkova spitalet e el… Do ve luanin drrejtor…Do kerkoj dhe shefin e antidrroges. Dhe toni te shasi mall per te gjith pes main. Dhe cuna tonet… Naper qytet… Megi Fetah.… pse spitalet psh? Klaus Matishi… Po atje ks gen ja di ai…Ka dhe lek… Tendera… Me mjafton per vene pune te fus njerzit e mi… Plus kush shet mali do i perzem do bim ne… Ndifmoim cunat e jon… Dhe oaquim shefin… Dhe kemi me shum kontrroll ne qytet…Se malli ka thashetheme… Plus i inkursion cunat… Knagen brin nat lek… Ngjon… Afron njerez…“.

Dokumentet nxjerrin në pah edhe personazhet konkretë me të cilët drejtori i Ujësjellësit Luan Tabaku ka ndarë paratë publike, me sa duket me urdhër të Suel Çelës. Personazhi që ka përfituar miliona euro nga Ujësjellësi i Elbasanit dhe në tërësi nga bashkitë e qarkut është Eral Myftaraj, ortak i Nazif Bajramit, i pari i skeduar për afera korruptive, falsifikim dokumentesh dhe mashtrim me zbatimin e kontratave publike, ndërsa i dyti i sekduar për trafik droge në Zvicër, bashkëshortja e të cilit ka qenë nënkryetare e Bashkisë Elbasan. Myftaraj dhe Bajrami ‘zbatojnë’ bashkë kontratat publike me vlera të mëdha, duke mashtruar sistematikisht me volumin e punimeve.

Në 27 janar 2025, Eral Myftaraj, përmes kompanisë së tij AL-MEXWOOD shpk, ka marrë tenderin e radhës nga Ujësjellësi i Elbasanit me vlerë 2.5 milionë euro, për rikonstruksionin e ujësjellësit të fshatrave Trash,Karthnek, Njësia Administrative Sheze, Bashkia Peqin.

Tenderi është firmosur nga Luan Tabaku. Në tender ka marrë pjesë vetëm Eral Myftaraj. Oferta fituese është sa fondi limit. Kriteret janë përcaktuar sipas kompanisë së Myftarajt. Besohet se gjysma e fondit ndahet mes palëve.

Në korrik 2023, Luan Tabaku ka firmosur një tender 7 milionë euro për Eral Myftarajn për rikonstruksionin dhe ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të zonave informale: Harmës; pjesërisht Krastë e Vogël, pjesërisht Lagjja: Dyli Haxhire” dhe, pjesërisht Lagjja: Katund i Ri.

Për këtë tender, për të cilin dyshohet se Suel Çela ka urdhëruar që t’a fitojë Eral Myftaraj, është bërë një luftë e egër. Luan Tabaku ka rrezikuar jo pak. Ai ka skualifikuar çdo kompani tjetër, për t’i dhënë tenderin Eral Myftaraj, si gjithmonë me ofertë fituese sa fondi limit. Myftaraj e ka marrë tenderin përmes kompanisë tjetër Meteo shpk.

Pitoni i tenderave’ Eral Myftaraj ortak me Bajramin

Eral Myftaraj, i njohur si ‘pitoni i tenderave’ dhe ‘brejtësi i pyjeve’ është ortaku kryesor i Nazif Bajramit në aferat me tendera, plotësimin e dokumenteve dhe mashtrimin me zbatimin e kontratave.

Eral Myftaraj, siç e thamë më lart, është gllabëruesi më i madh i tenderave në Qarkun e Elbasanit. Herë duke u servilosur pas deputetëve, ish ministrave dhe drejtorëve, herë duke bërë pazare, herë me mashtrime dhe pothuajse në çdo rast duke dhënë ryshfet, Eral Myftaraj po përlan të gjithë tenderat e mëdhenj në Qarkun e Elbasanit, duke mashtruar me zbatimin e kontratave dhe manipuluar volumin e punimeve.

Gjatë 7 viteve të fundit, vetëm me kompaninë e ndërtimit Meteo, Myftaraj ka marrë rreth 50 milionë euro tendera. Mbi 8 milionë euro tendera i ka marrë me kompaninë AL-MEXWOOD, me objekt veprimtarie sudime dhe projektime në fushën e pyjeve.

‘Pitoni’ i tenderave kontrollon një kartel kompanish me veprimtari të dyshimtë, ku përfshihen Aga Solar Park Holding’s, Albanian Archives, ALMEX GREENWOOD etj.

Myftaraj ka krijuar lidhje klienteliste dhe korruptive me funksionarë publikë të Bashkisë Gramsh, Bashkisë Elbasan, Bashkisë Librazhd, disa drejtorive të Bashkisë Tiranë, Bashkisë Dimal, Rrogozhinë, Shijak, Ujësjellësit Belsh, Drejtoria e Parqeve Tiranë, Drejtoria e Arkivave, Spitali i Elbasanit, Bordi i Kullimit Korcë, Ministria e Bujqësisë etj.

Disa nga funksionarët publikë, të cilët kanë firmosur tenderat me flamur korrupsioni për Eral Myftarajn janë Erinda Fino, Tomorr Zaimaj, Luan Tabaku, Çlirim Puto, Dasantila Tahiraj, Irland Sina, Juliana Memaj, Antonela Dedej, Nuri Belba, Arben Asllani, Dritan Agolli i  FSHZH-së etj.

Shumica e tenderave janë me flamur të kuq korrupsioni, me oferta fituese gati sa fondi limit, me garë formale, me pazar në tavolinë dhe në disa raste me letra false.

Me paratë publike që ka përlarë me tenderat klientelistë Eral Myftaraj ka nisur të bëjë një jetë sheikësh, me vila, makina luksoze dhe skaf, pushime luksoze dhe argëtim në vende ekzotike, duke sfiduar drejtësinë dhe barazinë para ligjit.

Në maj 2023, Eral Myftaraj u përplas me grupin e mafies së druve Shaqir Alcani, për një tender me vlerë 853 mijë euro të Bashkisë Tiranë për furnizimin me lëndë drusore nëpër shkolla.

Si vidhen paratë

Përpos Gentian Sharrës, pjesë e bandës së Talo Çelës, në skenë del një tjetër personazh, Nazif Bajrami, i cili ka ‘futur në xhep’ kupolën e Bashkisë Elbasan.

Nazif Bajrami, i skeduar nga autoritetet zvicerane për trafik droge, ëshë themelues dhe pronar i kompnisë së ndërtimit Bajrami N. Përmes kësaj kompanie, Bajrami ka marrë rreth 75 milionë euro para publike.

Disa tendera me vlerë të mëdha i ka fituar bashkë me Eral Myftarajn, tregues i bashkëpunimit mes tyre.

Në dhjetor të vitit 2020, një shkresë e klasifikuar për 10 vjet nga Interpol Tirana, informon Departamentin e Policisë Kriminale mbi të dhënat e Interpol Bernës për aktivitetin e dyshimtë të Nazif Bajramit, një biznesmen i njohur në Elbasan.

Informacioni i referohet vitit 2019 e në vazhdim, ku zviceranët e konsiderojnë biznesmenin 55-vjeçar si një person të skeduar për trafik të lëndëve narkotike, në bashkëpunim.

Në shkresën e firmosur nga shefi i Interpol Tirana, zviceranët rendisin edhe emrat e bashkëpunëtorëve të biznesmenit, numrat e telefonit të secilit dhe vendet ku e zhvillojnë trafikun.

Si vidhen paratë (shembull)

Nënkryetarja e Bashkisë Elbasan Aulona Bylykbashi, mes shumë kontratash, ka firmosur për Nazif Bajramin edhe tenderin me vlerë 1.2 milionë euro për rikonstruksionin e shkollës mesme “Kostandin Kristoforidhi”, një tender ky me flamur të kuq korrupsioni, pasi janë skualifikuar të gjithë operatorët konkurrues përveç fituesit.

Procedura ka qenë formale pasi fituesi është diktuar si zakonisht me pazar në tavolinë, ku ndahen fitimet, në disa raste deri në 50 % të fondit limit, duke pasur parasysh se kompania e Bajramit, sipas disa raporteve të KLSH, mashtron me zbatimin e kontratave, duke firmosur situacione false për punime të pakryera.

Gjatë një auditimi të veprimtarisë së Bashkisë Elbasan për vitin 2022, Kontrolli i Lartë i Shtetit, përpos shumë gjetjeve të tjera, ka konstatuar se kompania Bajrami N shpk është shpallur fituese e tenderit
për rikonstruksionin e shkollës mesme “Kostandin Kristoforidhi”, pa plotësuar kriteret e vendosura nga autoriteti kontraktor (Bashkia e Elbasanit).

Jo vetëm kaq. Pasi lidhet kontrata në 27 qershor 2022, Nazif Bajrami dhe administratori Andon Prifti vjedhin paratë e tenderit përmes punimeve të pakryera, pra përmes mashtrimit me zbatimin e kontratës. Abuzimi konstatohet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Bashkëshortja e Bajramit, ish nënkreytare e Bashkisë Elbasan

Bashkëshortja e Nazif Bajramit, Anduena Bajrami (Prifti), ka qenë nënkryetare e Bashkisë Elbasan pas vitit 2013, pranë Lalë Qazimit dhe më pas Gledian Llatja.

Gjatë kohës kur gruaja ishte nënkryetare e Bashkisë Elbasan, bashkëshorti Nazifi merrte tendera nga Bashkia Elbasan.

Çifti i bënte procedurat në shtëpi, caktonin vetë fondin limit, kriteret dhe më pas shpallnin veten e tyre fitues. Vështirë të gjendet një skemë më flagrante korrupsioni, me kaq shumë fakte dhe lidhje konkrete.