Si po shtrembërohen përgjimet për Erion Veliajn: Rasti flagrant kur bënin vetë shkrime se gjyqtarit i ishin ofruar 2 milionë euro

Politikë

Publikuar: 05/04/2025

Si po shtrembërohen përgjimet për Erion Veliajn: Rasti flagrant kur bënin vetë shkrime se gjyqtarit i ishin ofruar 2 milionë euro

Prej disa ditësh, Elvi Fundo është duke publikuar në portalin e tij, disa përgjime që thuhet se tregojnë bisedat e Erion Veliajt në burg.

Dhe pastaj i boton edhe portali i familjes Berisha.

Interesant është, se shumica e përgjimeve interpretohen nga vetë portali në fjalë, pasi në ato që botohen, nuk ka shumë gjëra të qarta.

Fjala vjen, në përgjime përdorej emri Ardit, dhe direkt e bënë se Arditi është Ardit Gjebrea, duke abuzuar në mënyrë të tmerrshme me emrat e njerëzve.

Por kulmin e kanë arritur sot.

Akuzohet gazeta TemA dhe botuesi Mero Baze, se kanë botuar një gënjeshtër, ngjasme gjyqtari Engert Pëllumbi ishte paguar dy milionë euro për të liruar Erion Veliajn nga burgu.

E para, nuk ka logjikë, që gazeta TemA edhe të mbrojë Veliajn, edhe të zbulonte vetë se Veliaj paska paguar dy milionë euro për t’u liruar.

Kjo do ishte një çmenduri, pasi kështu nuk e paskemi mbrojtur Erionin, por e paskemi denoncuar.

E dyta, lajmi që i referohet Fundo dhe është botuar në portalin e familjes Berisha, flet vërtet për ato dy milionë euro

Por është një lajm që denoncon pikërisht portalin e familjes Berisha, se para gjyqit, ishte ai që aludoi me një lajm të pavërtetë që Veliaj ka paguar 2 milionë euro për t’u liruar.

Gazeta denoncoi këtë lajm, si shantazh publik që po i bëhej gjyqtarit për lirimin e tij.

“Erion Veliaj inskenoi pagesën 2 milionë euro. Si e ngriti gënjeshtrën me Mero Bazen”, shkruajnë sot, në mënyrë qesharake.

Vetëm se nëse e paskan inskenuar Veliaj me Mero Bazen, i bie që paskan përdorur Syri.net dhe disa portale të familjes Berisha, se ishin ato që e botuan lajmin!

Por, kështu është kur nuk i kuptojnë ato që botojnë dhe i shesin si përgjime.