Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka konfirmuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Bujar Shegën, i njohur ndryshe edhe me emrin Marsel, i cili u ekstradua ditën e enjte nga Italia. Shega njihet si truri financiar i organizatës kriminale të Suel Çelës.
Emri i tij ishte mes 21 urdhër-arresteve të lëshuara nga Prokuroria e Posaçme për këtë organizatë dhe GJKKO caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në kuadër të organizatës.
52-vjeçari me dy emra, i njohur dhe si Marsel Shega është administrator i dy kompanive Viola Green dhe Wonder Green, përmes të cilave dyshohet se pastronte paratë e disa grupeve, përfshirë të organizatës së Suel Çelës dhe gjithashtu të një grupi me bazë në Dubai, që ka investuar në Tiranë në pasuri të paluajtshme.