Përmbushja e nevojave të mijëra qytetarëve të Tiranës dhe zgjidhja e problemeve që lidhen me parkimin në kryeqytet tashmë është në duart e protektorit të “mikrokredive”, Emin Barçit. Në amullinë që ka kapur Bashkinë e Tiranës, që prej thirrjes në SPAK e më pas të burgosjes së kryetarit të saj, Erjon Veliaj, ‘hienat’ e tipit Barçi u afruan për të shqyer copëza të pushtetit bashkiak.

“Tirana Parking” është një institucion në varësi të Bashkisë Tiranë që mbulon administrimin e shërbimit të parkimit publik me pagesë. Drejtor i përgjithshëm është emëruar Flavio Barçi. Asnjë nga drejtuesit e lartë të Bashkisë nuk e njeh pinjollin e Emin Barçit dhe nuk di të komentojë se si ky individ depërtoi në këtë sektor të rëndësishëm tё “qeverisë” së Tiranës.

Parkimet dhe transporti publik janë pjesë nevralgjike në kryeqytet dhe një pikë e debatit të nxehtë për banorët dhe vizitorët e shumtë të Tiranës, qofshin të djathtë e të majtë në bindje politike. Kjo pjesë delikate e jetës së përditshme të kryeqytetasve, i është besuar (kujt?) Flavio Emin Barçit, si për ironi të dhjetra viktimave të mikrokredive që banojnë në Tiranë, të cilët pasi humbën shtëpitë, tani nuk do gjejnë dot as vend parkimi, ku të fusin kokën si të pastrehë.

Në 2005, Emin Barçi ishte një nga goditësit më të flaktë të kryetarit të ri, të sapo zgjedhur të Partisë Socialiste, Edi Ramës, i cili sot është kryeministër dhe kryetar de facto i Bashkisë Tiranë. Në atë kohë Barçi si pupac i Fatos Nanos, pasi e denigronte rregullisht nëpër mediat e kohës figurën e Ramës, e cilësoi në një rast atë si lider me dy fytyra, për shkak të strategjisë politike që Rama po ndiqte në dëm të PS.
Tani pas 20 viteve, lëtyra e “mikrokredive”, jo vetëm që nuk e kritikon më Edi Ramën, por i kthyer në një prej ithtarëve të tij më të zellshëm, po “lёpin” gjithë pështymat e dikurshme, bashkë me ‘strategjinë’ e kryetarit të PS. Shpërblimi nuk vonoi, të birin e sistemoi drejtor me rëndësi në një prej sektorëve “me lekë” të Bashkisë Tiranë, njëkohësisht e katapultoi dhe drejtues politik në strukturat e Partisë Socialiste, ndërsa vetë bën analistin “e heshtur” mikrofinanciar dhe këshilltarin me rrogë pranë Bankës së Shqipërisë.
Me afrimin e Emin Barçit në strategjinë para zgjedhore të Partisë Socialiste, Edi Rama po vendos një urë lidhëse ndërmjet mijëra viktimave të mikrokredive dhe pushtetit të tij, duke pranuar në këtë mënyrë se, mashtrimi më i madh financiar që prej vitit 1997, ka ndodhur praktikisht nën hundën dhe bekimin e tij.
Praktikisht Edi Rama po bën “hara-kiri” publik duke afruar në gjirin e partisë që aspiron për mandatin e katërt qeverisës, armikun publik të mijëra viktimave të skemës shkatërruese të “mikrokredive”, të atij që vetëm disa muaj më parë, bëri avokatin televiziv të MCA dhe Final, për të shpëtuar bandën e mikrokredive nga hetimet e SPAK.

Jo vetëm kaq por, Edi Rama ka varur “mëlçitë” e Tirana Parking në qafën e Emin Barçit, krijuesit të mikrokredisë “FINAL”, shkatërruesit të “ATK” (Agjencia e Trajtimit të Kredive), falimentuesit të kompanisë së kredive shtetërore “AGROKREDIT” dhe mbrojtësit publik të skemës së “zhvatjes me mikrokredi”, skandal që shkaktoi së paku 100 mijë viktima sociale në gjithë Shqipërinë.
A do “parkohet” vota e mijëra viktimave të mikrokredive në kutinë e Partisë Socialiste?
Kjo është një pyetje që përgjigjen do ta marrë vetëm pas ditës së zgjedhjeve që do mbahen me 11 Maj 2025.