Nga rakia te bandillët / Përplasje e fortë mes moderatores Alba Alishani dhe gazetarit Ylli Rakipi, dhe një dosje e Bashkim Ulajt para syve të SPAK

Krim & Korrupsion

Publikuar: 21/02/2025

Nga rakia te bandillët / Përplasje e fortë mes moderatores Alba Alishani dhe gazetarit Ylli Rakipi, dhe një dosje e Bashkim Ulajt para syve të SPAK

Alba Alishani, moderatorja në televizionin e oligarkut Bashkim Ulajt, përfituesi më i madh i të gjitha kohërave të parave dhe pasurive publike, ka ironizuar deri në fyerje emisionin TPZ të gazetarit Ylli Rakipi në MCN, duke iu referuar përplasjes mes ish deputetit Halit Valteri dhe gazetarit Enton Abilekaj. Me mbi 30 gabime ortografike, moderatoja kritikon nivelin e emisionit të Ylli Rakipit, gjithnjë pa i përmendur emrin, por duke postuar një video nga emisioni.

Ndërkaq, mbrëmë, ka ardhur një përgjigje me nota të forta kritike dhe me një aludim nga gazetari Ylli Rakipi, referuar në mënyrë të tërthortë moderatores Alba Alishani.

“Përshtypjen më të madhe më bëri një reagim tjetër ku një moderatore; moderatoret folëse në Shqipëri janë shumë, që nga folëse të rëndësishme që kanë qenë dikur janë kthyer në moderatore. Edhe unë nuk dua t’i jap shumë vëmendje, sepse është shumë e parëndësishme si njeri.

Sapo ajo bëri një status, shumë njerëz m’u drejtuan dhe më thanë se “është e Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë… Mos se është kështu dhe ashtu…Mos se e ka sjellë një miku ynë gazetar, e të gjitha… Por unë nuk merrem me këtë, me dinjitetin e njeriut, por merrem me të qenit një analfabet funksional të këtij njeriu.

E hapa dhe pashë që ishte një njeri që iu binte në qafë nja 20 gjuhëve, deri te gjuhët e vdekura, sanskritishtes, etj etj. Ishte një mbiemër shumë i njohur, biles as kosovarisht nuk dinte, pra as gjuhën kosovare nuk dinte a fliste dhe punon në një televizion që është edhe me emër shqiptar, edhe me emër të huaj. Ju doni emrin? Nuk e them, nuk e them por më vjen shumë keq se është gjynah.

Analfabetët funksionalë janë shtuar shumë, dhe analfabet funksonal do të thotë për njeriun që lexon atë që ka të shkruar por nuk e kupton.

Dhe kjo është një gjë shumë e rëndësishme dhe shumë e keqe. Janë shtuar shumë edhe në Shqipëri! Është zhdukur analfabetizmi klasik, ku njeriu ani di të shkruajë dhe të lexojë, por janë shtuar shumë analfabetët funksionalë. Dhe bën mirë që vetë vajza, femra, apo zonja që më vjen vërtetë keq për të”, u shpreh gazetari Ylli Rakipi.

Nuk dihet nëse kjo përplasje reflekton ndonjë mllef të vjetër të pronarit të A2 CNN Bashkim Ulajt. Kujtojmë që Ylli Rakipi, me emisionin e tij në News 24, në vitin 2018, denoncoi skandalin e vjedhjes së 29 milionë euro nga Bashkim Ulajt, me kompaninë fantazmë DH Albania, në bashkëpunim me ish kreu i ARRSH Afrim Qendro, ish kreu i OST Klodian Gradeci.

Afera korruptive nuk ishte e zakonshme, pasi ‘ustallarët shqiptarë’ kishin falsifikuar letrat sikur kompania e tyre ishte dega në Shqipëri e kompanisë amerikane Dunwell Haberman. (Për këtë marifet, Ulaj ka një llogari të hapur me amerikanët).

Kokat e kësaj skeme korrupsioni dhe falsifikimi, oligarku Bashkim Ulaj, Afrim Qendro që firmosi një nga tenderat 18 milionë euro dhe Klodian Gradeci i OST, shpëtuan pasi SPAK nuk ishte ngritur ende.

Dosjen për rolin e ARRSH dhe OST në skemën e korrupsionit e mbylli prokurori Gjergji Tako, në bashkëpunim me ish gjyqtarin Ardian Kalia, duke mbyllur sytë para fakteve flagrante që vishnin me përgjegjësi penale Afrim Qendron, në atë kohë kreu i ARRSH dhe Klodian Gradeci, në aty kohë kreu i OST, të cilët kishin firmosur 29 milionë euro tendera për një kompani që nuk plotësonte asnjë kriter. Pas Qendros dhe Gradecit qëndronte Bashkim Ulaj, faktuar me letra.

Historia u mbyll me dënimin me 6 muaj burg të sportelistit të Ulajt, Avdjol Dobi, i cili në fakt nuk bëri asnjë ditë. Kjo aferë korruptive është një sfidë për SPAK dhe Altin Dumanin, tashmë duke verifikuar edhe mekanizmin e mbylljes së dosjes nga Gjergji Tako dhe Ardian Kalia.