Çmontohet më tej si një trillim dashakeq dosja e noterit violinist me pallat Ols Dado kundër Erion Veliajt, pasi ky i fundit nuk e reflektoi plotësisht kërkesën e Dados kur i dha lejen për pallat në Tiranë. Përpos shënimit “i dënuar” që në krye të dosjes, një gafë në kufijtë e mashtrimit, Ols Dado ka sajuar rrethana të rreme për të rënduar pozitat e Veliajt. Që në krye të dosjes, Ols Dado shkruan se Erion Veliaj ka firmosur tendera për disa biznesmenë, të cilët më pas kanë kaluar para në llogaritë e Ajola Xoxës.
Ky pretendim është një mashtrim i rëndë dhe madje kriminal. Erion Veliaj nuk ka firmosur asnjë tender, për shembull, për kompaninë Agikons. Tenderat janë firmosur nga funksionarë të tjerë të bashkisë. Së dyti, Agikons ka fituar e vetme vetëm tre tendera nga Bashkia e Tiranës. Tenderat e tjerë janë fituar në bashkëpunim me kompani të tjera, ku në shumë rasta grupi fitues përbëhej me tre dhe katër kompani. Së treti, nuk ka pasur asnjë ankesë apo pretendim nga kompanitë e skualifikuara, pjesëmarrëse në garë.
Ky mashtrim i noterit që u katapultua në mënyrë të paligjshme prokuror, Ols Dado, është konstatuar edhe nga një prej analistëve më kritikë ndaj Erion Veliajt, Andi Bushati.
“Në dosjen voluminoze zor se gjen prova për ndonjë tender të dhënë në mënyrë të jashtë ligjshme, zor se gjen ndonjë leje ndërtimi të firmosur në tejkalim të normave. Po, ka shumë dyshime, për lidhje me biznesmenë, që me siguri kanë qenë klientë dhe pagatorë të Erionit, por jo fakte. Po të bësh krahasime me dosje të ngjashme, ajo e Veliajt duket edhe më e dobët se ato të Berishës apo Metës. Tek ajo e ish kryeministrit, për klubin Partizani, përpos akuzave për ndryshim të ligjeve, flitet dhe për akte konkrete, se si Berisha është përpjekur për të liruar sa më shpejt pronën që do të merrte dhëndërri i tij. Tek ajo për Metën aludohet për tratativat që ka bërë ish bashkëshortja, për të kaluar një ligji, për suksesin e të cilit mendohej se do të përfitonte një vilë. Në këto dy dosje, ku prokurorët që nuk i kanë argumentuar dot në mënyrë bindëse masat e marra ndaj ‘të paprekshmëve”, ka pasur së paku tentativa të SPAK-ut për të ndërlidhur përfitimin e nxjerrë me veprimet konkrete që ka bërë politikani i lartë. Tek Veliaj qoftë edhe kjo mungon. Kryebashkiaku i portretizuar nga prokurorët ngjan si një ëngjëll, në raport me grabitësin frenetik që ekziston në mendjet e kritikëve dhe kundërshtarëve të tij“, shkruan Bushati.
Në dosjen kundër Veliajt, Ols Dado, duke iu referuar një dëshmitari dhe disa lodra fëmijësh, se Veliaj fsheh një vilë në Golem në emerim e vjehrrit. Sipas Dados, vjehrri i ndjerë i Veliajt Arben Xoxa nuk ka qenë ndonjëherë tek vila. Disa foto të publikuara tregonin Arben Xoxën tek vila e tij. Ky fakt tregoi kundërtën dhe rrëzoi pretendimin e Ols Dados.
Po aq vulgar është edhe pretendimi i gënjeshtër, sipas të cilit Erion Veliaj i ka dhënë OJF-së së Ajola Xoxe, pra bashkëshortes së tij, para për projekte artistike. Projektet artistike i miraton një Këshill Artistik me nëntë anëtarë. Këshilli Artistik është zgjedhur nga Këshilli Bashkiak.