Planet e Trump për të mbyllur USAID, punonjësit e Selisë Qendrore në Uashington njoftohen papritur të mos paraqiten në punë

Aktualitet

Publikuar: 03/02/2025

Planet e Trump për të mbyllur USAID, punonjësit e Selisë Qendrore në Uashington njoftohen papritur të mos paraqiten në punë

Zyra qendrore e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Uashington u mbyll papritur të hënën, dhe punonjësit u njoftuan me email pas mesnate që të mos shkonin në punë.

Sipas burimeve të CNN, personeli u njoftua të punojë nga distanca, përveç atyre që kryejnë funksione thelbësore në ndërtesë.

Kjo mbyllje vjen mes përpjekjeve të presidentit Donald Trump dhe Elon Musk për të reformuar qeverinë federale. Trump dhe aleatët e tij e kanë kritikuar USAID-in si të njëanshëm dhe që favorizon demokratët.

Sipërmarrësi i teknologjisë, Elon Musk deklaroi përmes X, se Trump bie dakord që agjencia duhet të “mbyllet” pas disa ditësh spekulimesh mbi të ardhmen e saj. Musk pohoi se kishte kontaktuar me Trump “disa herë” dhe ai konfirmoi se do ta mbyllë agjencinë, e cila shpërndan miliarda ndihma humanitare dhe fonde zhvillimi çdo vit. 

Nga ana tjetër, të dielën mbrëma, Trump u shpreh para gazetarëve se USAID ishte drejtuar nga “radikalë të çmendur” dhe se po i largonte për të vendosur për të ardhmen e agjencisë.

Ndërkohë, dy zyrtarë të sigurisë në USAID u pezulluan administrativisht pasi refuzuan t’u jepnin akses në sistemet e agjencisë anëtarëve të Departamentit të Efikasitetit Qeveritar (DOGE). Pas disa përpjekjeve, ata arritën të hynin në selinë e USAID dhe, sipas një postimi në X nga një zyrtare e emëruar nga Trump, materialet e klasifikuara u aksesuan vetëm nga persona me leje sigurie.