Marrë nga Voxnews, rubrika satirike
Me një çehre të përzishme, veshje të përshtatshme për rastin dhe një qëndrim të trishtuar, kryetari i Partisë Demokratike bëri bujë këtë javë me praninë e tij të beftë në krye të ceremonisë solemne për t’i dhënë lamtumirën e fundit kryepeshkopit ortodoks, Anastasit, duke prishur protokollin dhe ulur në rreshtin e parë, në vend të ministrit Dendias.
Duke shtyrë majtas dhe djathtas, por sidomos majtas, të gjitha pengesat që i dolën përpara, si policët, truprojat e dy kryeministrave – Qirjakos dhe Edit –, përgjegjësit e protokollit dhe pasi rrëzoi nga shkallët disa priftërinj që e shihnin si të shastisur, Doktori shkoi e u ngul majë arkivolit të të ndjerit, duke vështruar me mallëngjim turmën e madhe të besimtarëve të thjeshtë dhe dinjitarëve, i bindur se ata ishin mbledhur për të.
Edhe pse fjalimi elektoral që kishte përgatitur për rastin, nuk u mbajt sepse priftërinjtë filluan të këndonin për përcjelljen në parajsë të kryepeshkopit – a thua se Shën Pjetri nuk do ta pranonte në mbretërinë qiellore pa muzikë – prania e Doktorit në këtë tubim kundër narko-diktaturës, u cilësua si sukses i padiskutueshëm nga Partia Demokratike.