Ridvan Bode skemë korrupsioni përmes të birit dhe të bijës, 500 mijë euro pasuri të paligjshme, vijon të sfidojë SPAK

Investigim

Publikuar: 26/01/2025

Ridvan Bode skemë korrupsioni përmes të birit dhe të bijës, 500 mijë euro pasuri të paligjshme, vijon të sfidojë SPAK

Ridvan Bode, ish ministri simbol i qeverisje 8-vjeçare të Sali Berishës, emri i të cilit lidhet pothuajse me të gjitha krimet madhore financiare të pushtetit të Sali Berishës, rezulton se ka përfituar dhjetëra mijëra euro përmes të birit Eraldo Bode nga kompani, të cilat kanë përfituar para dhe pasuri publike nga Bode kur ishte ministër i Financave.

Bode ka qenë ministër Financash gjatë viteve 2005-2013. Ministria e Financave ka qenë dhe është aksionere me 2.5 % te Telekom Albania, sot One Albania. Telekom Albania rezulton se i ka paguar djalit të Bodes dhjetëra mijëra euro, përmes një kontrate qiraje me vlerë mbi tregun e qirave.

Ndërkaq, pas largimit të Bodes si ministër i Financave, fëmijët e tij Adela Bode dhe Eraldo Bode kanë marrë pagesa me vlerë dhjetëra mijëra euro nga kompani që kanë përfituar koncensione publike nga Ministria e Financave, kur drejtohej nga Bode. Një hetim nga SPAK mund të zbulojë edhe përfitime të tjera të paligjshme nga Ridvan Bode, për shkak të vendimarrjeve të tij si ish ministër Financash.

Ndërkaq, dhëndri i Bodes, Ali Vishaj dhe i biri Eraldo Bode, krijuan një aktivitet për dhënie kredish, me shuma të konsiderueshme parash dhe në shkelje me ligjin. Ata krijuan AvA Consulting për të lëvruar mikrokredi me interesa tepër të larta, kur Bode ishte ende ministër Financash. Nga kjo skemë kanë përfituar të ardhura Eraldo Bode, Adela Bode dhe bashkëshorti i Adelës, Ali Vishaj.

500 mijë euro pasuri korrupsioni

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e kallëzoi Ridvan Boden në prill 2015 për fsheje pasurie dhe pastrim parash. Sipas ILDKPKI, Bode nuk justifikonte një pasuri me vlerë 500 mijë euro.

Ky institucion e kishte thirrur ish ministrin e Financave disa herë për të dhënë shpjegime dhe justifikuar pasurinë, por Bode, me arrogancë, kishte refuzuar, duke sfiduar ligjin.

Pas kallëzimit, Bode tha se po sulmohej politikisht. Në fakt, koha tregoi se Edi Rama, jo vetëm që nuk e ka sulmuar politikisht, por në dhjetor të 2018, Rama emëroi përmes Parlamentit Ridvan Boden anëtar të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, ku është punësuar edhe e bija, Adela Bode, pra babë e bijë në një institucion publik, në konflikt interesi. Madje dhëndri i Bodes, Ali Vishaj, ishte aksioner në një bankë, ndërsa i biri jepte kredi përmes një kompanie financiare.

Mbylljen e dosjes së pasurisë së Ridvan Bides e ka firmosur prokurori biznesmen Arqile Koça, i cili edhe pse pranon se Ridvan Bode nuk e ka deklaruar një pjesë të pasurisë sipas ligjit, ky fakt, sipas tij, nuk përbën vepër penale.

Arqile Koça, i njohur si një prokuror biznesmen për shkak të pasurisë që posedonte, përfshirë të paktën 5 apartamente, u shkarkua nga shkalla e parë e Vetingut në mars të vitit 2019 për shkak të disa problemeve me pasurinë, por u rikthye më pas në detyrë nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit.