Blushi sulmon SPAK: Dumani vegël qorre e Ramës, nuk hetoi krimet elektorale

Politikë

Publikuar: 25/01/2025

Blushi sulmon SPAK: Dumani vegël qorre e Ramës, nuk hetoi krimet elektorale

Teksa fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit po afron, partia e Lirisë ka nisur takimet në bazë pa prezencën e kryetarit të saj Ilir Meta, i cili qëndron në paraburgim prej 21 Tetorit 2024, kur u arrestua me urdhër të SPAK për tre vepra penale.

Sekretari i Përgjithshëm i PL, Tedi Blushi, ishte sot në një takim me strukturat në Elbasan, ku nuk i ndali akuzat jo vetëm ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, por edhe ndaj SPAK-ut dhe drejtuesit të saj, Altin Dumani.

“Sepse Prokuroria me qëllim nuk i heton krimet zgjedhore, sepse kërkon që nëpërmjet mosndëshkimit të bandave të lidhura me pushtetin të mund t’i garantojë sërish Edi Ramës edhe një mandat tjetër 4-vjecar në kurrizin tuaj në këmbim të një mandati tjetër të përjetshëm për këta drejtues mercenarë në krye të SPAK, si vegla qorre e Edi Ramës që quhet Altin Dumani”.

Blushi tha se ky SPAK nuk hetoi as krimet elektorale në Elbasan më 2021 sepse për deputet kandidonte vëllai i prokurorit të qytetit.

“Ky në fakt është edhe një tregues se si “Drejtësia e Re” që i ka tanimë të gjitha provat se kush e komandon krimin dhe trafikun e drogës në Elbasanin dhe nuk vepron”, tha Blushi. Ai shtoi se “edhe këtë organizatë do e kemi kundër nesh, pasi mbron pandëshkueshmërinë”.