Zyrtari i lartë i DASH Richard Verma mbërrin në Shqipëri, tregon arsyet e vizitës

Politikë

Publikuar: 08/01/2025

Zyrtari i lartë i DASH Richard Verma mbërrin në Shqipëri, tregon arsyet e vizitës

Zëvendës sekretari i Shtetit Amerikan për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma, ka mbërritur sot në Shqipëri, duke nisur vizitën e tij në tre shtetet e Ballkanit, Shqipëri, Kosovë dhe Serbi.

Me të arritur në Tiranë, Verma ka publikuar fotografi mbi të cilat ka shkruar se ka zbarkuar në “Shqipërinë e bukur”, ndërsa tregoi edhe për qëllimin e vizitës së tij.

“Zbarkova në Shqipërinë e bukur! I lumtur të nis vizitën time dhe të punoj me partnerët tanë për forcimin e demokracisë, sigurisë dhe mbështetjen e atyre në nevojë”, shkroi ai.

Në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi ai do të qëndrojë nga 7 deri më 11 janar.

Siç kishte bërë të ditur Departamenti amerikan i shtetit, në Tiranë, ai do të diskutojë përparimin demokratik të Shqipërisë, aftësitë mbrojtëse dhe thellimin e lidhjeve ekonomike me Shtetet e Bashkuara dhe do të falënderojë “Qeverinë e Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj aleatëve tanë afganë”.