Padia për shpifje, shtyhet gjyqi mes ish-drejtorit të Policisë së Shkodrës dhe Gazmend Bardhit

Politikë

Publikuar: 06/01/2025

Padia për shpifje, shtyhet gjyqi mes ish-drejtorit të Policisë së Shkodrës dhe Gazmend Bardhit

Gjykata e Posaçme antikorrupsion shtyu për në datën 13 janar gjyqin për padinë e shpifjes të bërë nga ish-Drejtori i Policisë Shkodër, Edmond Sulaj ndaj deputetit të PD, Gazmend Bardhi.

Gjyqtarja e çështjes e shtyu seancën për shkak se Gazmend Bardhi nuk kishte marrë dijeni për gjyqin e kësaj të hëne. I pranishëm sot ishte edhe Edmond Sulaj.

Seancën e kaluar, palët nuk pranuan ta zgjidhnin konfliktin me pajtim, gjë që bëri Gjykatën e Posacme të kalonte çështjen në seancë gjyqësore.

Edmond Sulaj paditi në GJKKO kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazmend Bardhi, pasi ky i fundit në datë 12 shtator, në foltoren e Kuvendit, hodhi akuza ndaj ish-Drejtorit të Policisë Shkodër duke cituar disa komunikime që kanë dalë nga aplikacioni Sky Ecc. 

Përveç kësaj çështje, Bardhi është paditur në GJKKO edhe nga OSHEE.