Ditët e fundit, Sali Berisha ka nisur një shantazh banal dhe qesharak ndaj kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, i shpallur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kampion i botës për luftën kundër korrupsionit. Berisha ka disa ditë tregon një fotografi të një kushëriri të bashkëshortes së Altin Dumanit, i cili kishte dalë në foto me Edi Ramën, duke e paraqitur si ‘provë’ të lidhjes mes Ramës dhe Dumanit. Lajmi nuk qëndron tek vulgariteti i ‘denoncimit’, por çfarë e shqetëson kaq shumë Sali Berishën, hall i cili e ka detyruar të shpërfytyrohet deri në këtë gradë, duke u marrë edhe me kushërinj të bashkëshortes së Altin Dumanit.
Koha ka treguar se sulmet e Sali Berishës ndaj SPAK-ut reflektojnë gjithnjë një rrezik që ai parandjen për një nga anëtarët e familjes së tij. Kujtojmë se Berisha sulmoi prokuroren e SPAK-uk Enkeleda Millonai gjashtë muaj para se të kërkonte arrestimin e dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi për dosjen e ish Klubit Partizani. A ka parandjerë Sali Berisha arrestimin e të birit Shkëlzen Berisha për dosjen e Gërdecit? SPAK ka hapur një fraksion hetimi për rolin e Shkëlzenit në biznesin vdekjeprurës të Gërdecit.
Një grup faktesh dhe provash tregojnë se Shkëlzen Berisha kishte lidhje të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë me të gjithë personazhet që kanë realizuar aferën e Gërdecit. Kishte lidhje me Mihal Delijorgjin që kishte marrë përsipër përgatitjen e terrenit për demontimin e armëve në Gërdec, kishte lidhje përmes ‘vëllait’ të tij Rrahman Selmanllarin, me kompaninë amerikane SAC të Patrik Henrit që ishte kontraktuar për demontimin e armëve, si dhe del në përgjimet e Efraim Diverolit, një trafikant armësh nga Florida, presidenti i kompanisë “AEY”, e cila blinte municione kineze në Shqipëri dhe u vendoste etiketa të tjera, për llogari të një tenderi të dhënë nga SHBA në vlerën 298 milionë dollarë. Shkëlzen Berisha është implikuar nga Kosta Trebicka, nga ish shefi i shtabit Luan Hoxha, nga ortaku i Efraim Diverolit, David Packouz, nga gazeta New York Times, nga gazetarë amerikanë etj.