Prapaskena

Krim & Korrupsion

Sa kushton korrupsioni? Mendohet se 575 milionë euro është kostoja e abuzimit ndër vite

Publikuar: 10/12/2024

Teksa kreu i SPAK, Altin Dumani u shpall kampion i antikorrupsionit nga Departamenti Amerikan i Shtetit, korrupsioni mbetet problem për Shqipërinë, me kosto të konsiderueshme për buxhetin e shtetit dhe xhepat e qytetarëve.

Por çfarë është korrupsioni në ekonomi?

Qendra studimore Altax ka vlerësuar në një raport se kosto e korrupsionit përllogaritet në rreth 10% të shpenzimeve publike. Në vitin 2022, korrupsioni na ka kushtuar 515 milionë euro, ndërkohë që është rritur në 575 milionë euro vitin e kaluar, paralelisht me rritjen e shpenzimeve që ka bërë qeveria.

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se vendet që mbledhin më shumë të ardhura perceptohen si më pak të korruptuara.

Shqipëria është vendi i parafundit në rajon për mbledhjen e të ardhurave me vetëm 27.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ne lëmë pas vetëm Kosovën, ndërsa vendet me nivelin më të lartë të të ardhurave janë Serbia dhe Mali i Zi.

Por si e ndikon korrupsioni ekonominë?

Le të shohim një skemë të thjeshtë. Një nivel i lartë korrupsioni çon në një keqpërdorim të taksave të qytetarëve, duke bërë që fondet publike të mos shkojnë në sektorë bazë, si arsimi dhe shëndetësia, por në duart të caktuara. Rrjedhimisht, buxheti do të ketë gjithmonë nevojë për para dhe kjo do të çojë në rritje të nivelit të taksave, barrë që bizneset do ua shkarkojnë qytetarëve me rritje të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve në treg, duke vënë në vështirësi pensionistët dhe konsumatorët.



Më të lexuarat