Prapaskena

Kryesore

Monika Kryemadhi nis mbledhjen e firmave për të rrëzuar Bilushin, komplot Metës jashtë burgut, projekton të birin në krye të partisë, disa mesazhe dhe lëvizje

Publikuar: 09/12/2024

Disa ditë më parë, deputetja Monika Kryemadhi, nën akuzë nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash, tha se mund të mos kandidojë për deputete në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, duke sinjalizuar kësisoj largimin nga politika, por shtoi se do të bëjë çdo gjë që të mos kandidojnë njerëzit jo të duhur.

Unë nuk merrem më me politikë, unë do të merrem me sensibilizimin e opinionit publik përsa i përket manipulimit dhe luftës së tretë botërore që është fake news. Se kam ndarë mendjen, s’kam dëshirë për të kandiduar por do bëj çdo gjë që të mos kandidojnë njerëzit jo të duhur”, tha Kryemadhi.

E vërteta është se kandidimi ose jo si deputete në zgjedhjet e 2025 nuk është në dorën e zonjës Kryemadhi. Kandidimi i saj si deputete është në dorën e Ilir Metës, i cili ka zgjedhur si strategji fajësimin e Kryemadhit për gjëmën që u bëri SPAK-u, pasi Kryemadhi nuk ishte treguar e kujdesshme për të fshehur provat e korrupsionit.

Edhe pse SPAK dhe opinioni publik nuk e ‘hëngrën’ alibinë e Metës, ky i fundit duket se është i vendosur për t’a vijuar këtë strategji mbrojtëse deri në fund. Dhe për t’a bërë sa më të besueshëm ndarjen me Monikën, Meta pritet të mos e përfshijë në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 2025.

Por, meqenëse Meta është në burg, vendimi për nxjerrjen e Monikës nga politika do të merret formalisht nga një personazh butaforik që Meta ka lënë te selia e partisë në ish Bllok. Bëhet fjalë për Tedi Blushin, i njohur ndryshe si Bilushi i Metës, në rolin e Sanço Panços.

Dikur Bilushi i Metës i mbante si çirak çadrën dhe çantën Monika Kryemadhi, tashmë me porosi të Metës do t’a përjashtojë Monikën nga lista e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 2025.

Jo vetëm kaq. Por, Monika duhet t’i marrë leje Bilushit të Metës edhe për të hyrë në selinë e partisë, një tjetër pronë e çiftit, produkt i aferave korruptive, kamufluar në emrin e shokut të Metës, Muharrem Berisha.

Monika Kryemadhi mori pjesë as në protestën me në krye Bilushin para SPAK në mbështetje të ish burrit të saj, Ilir Meta, duke refuzuar të shfaqej si vartëse e Bilushit.

Po a do të pranojë Monika Kryemadhi të lërë fatin e saj politik në duart e Bilushit të Metës?

Prapaskena mëson se Monika Kryemadhi, bashkë me të besuarit e saj Endrit Braimllari, Kërpaçi etj., ka nisur lëvizjet në heshtje për të rrëzuar Bilushin e Metës dhe për të rimarrë partinë. Në një kohë kur Meta pritet të kalojë të paktën disa vite në burg, Monika Kryemadhi ka nisur mbledhjen e firmave, për të krijuar rreth vetes një shumicë numrash, me qëllim largimin e Bilushit, rimarrjen e selisë dhe vendosjes në krye të partisë të të birit, Besat Meta.

Përmes katapultimit të të birit në krye të partisë, Monika Kryemadhi çarmatos Ilir Metën nga njëra anë dhe nga ana tjetër mundëson kontrollin mbi partinë.

Komploti ndaj Metës dhe Bilushit pritet të finalizohet para afatit të dorëzimit në KQZ të listave të kandidatëve për deputetë.

Krahas nisjes së zbatimit të këtij plani në terren, Monika Kryemadhi ka nisur rivendosjen e kontakteve me Sali Berishën, i cili tashmë ka nisur të harrojë aleatin e tij të forntit anti-amerikan dhe anti-SPAK, Ilir Metën.

Si Sali Berisha, ashtu edhe Monika Kryemadhi u distancuan nga protesta e organizuar nga Bilushi me urdhër të Metës para SPAK. Nuk dihet nëse refuzimi për të marrë pjesë në protestën e organiuzar nga Bilushi para SPAK ishte apo jo i koordinuar nga Berisha dhe Kryemadhi, por qëndrimi është një mesazh i qartë për një linjë të përbashkët.



Më të lexuarat