Deputetja Monika Kryemadhi, nën akuzë nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash, tha disa ditë më parë se mund të mos kandidojë për deputete në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, duke sinjalizuar kësisoj largimin nga politika.
“Unë nuk merrem më me politik, unë do të merrem me sensibilizimin e opinionit publik përsa i përket manipulimit dhe luftës së tretë botërore që është fake news. Se kam ndarë mendjen, s’kam dëshirë për të kandiduar por do bëj çdo gjë që të mos kandidojnë njerëzit jo të duhur”, tha Kryemadhi.
E vërteta është se kandidimi ose jo si deputete në zgjedhjet e 2025 nuk është në dorën e zonjës Kryemadhi. Kandidimi i saj si deputete është në dorën e Ilir Metës, i cili ka zgjedhur si strategji fajësimin e Kryemadhit për gjëmën që u bëri SPAK-u, pasi Kryemadhi nuk ishte treguar e kujdesshme për të fshehur provat e korrupsionit.
Edhe pse SPAK dhe opinioni publik nuk e ‘hëngrën’ alibinë e Metës, ky i fundit duket se është i vendosur për t’a vijuar këtë strategji mbrojtëse deri në fund. Dhe për t’a bërë sa më të besueshëm ndarjen me Monikën, Meta pritet të mos e përfshijë në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 2025.
Por, meqenëse Meta është në burg, vendimi për nxjerrjen e Monikës nga politika do të merret formalisht nga një personazh butaforik që Meta ka lënë te selia e partisë në ish Bllok. Bëhet fjalë për Tedi Blushin, i njohur ndryshe si Bilushi i Metës, në rolin e Sanço Panços.
Jeta ka kthesa të befasishme. Dikur Bilushi i Metës i mbante si çirak çadrën dhe çantën Monika Kryemadhi, tashmë me porosi të Metës do t’a përjashtojë Monikën nga lista e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 2025.
Jo vetëm kaq. Por, Monika duhet t’i marrë leje Bilushit të Metës edhe për të hyrë në selinë e partisë, një tjetër pronë e çiftit, produkt i aferave korruptive, kamufluar në emrin e shokut të Metës, Muharrem Berisha.