SPAK nis hetimet për hotelin e Xhelal Mziut dhe Arbër Abazit në Golem. Dyshohet se po ndërtohet me paratë e koncensionit 14 milionë euro të plehrave. Dokumentet që i çojnë drejt burgut

Investigim

Publikuar: 10/06/2024

SPAK nis hetimet për hotelin e Xhelal Mziut dhe Arbër Abazit në Golem. Dyshohet se po ndërtohet me paratë e koncensionit 14 milionë euro të plehrave. Dokumentet që i çojnë drejt burgut

Pas sinjalizimit nga Prapaskena, SPAK ka nisur zyrtarisht hetimet rreth këtij hoteli në ndërtim e sipër në Golem, një investim me vlerë miliona euro, para të cilat dyshohet se burojnë nga koncensioni korruptiv dhe i paracaktuar sipas KLSH-së, për pastrimin e Kamzës, me vlerë 14 milionë euro.

Përfshirja në hetime e hotelit me burim të dyshimtë parash po kryhet në kuadër të një hetimi pasuror që SPAK ka nisur për deputetin e PD, Xhelal Mziu, i cili ka drejtuar për 12 vite Bashkinë e Kamzës 2007-2019, ku në korrik 2019, pas mbarimit të mandatit, tentoi të qëndronte në zyrë me forcë.

Hetimet po ndiqen nga prokurori i SPAK, Elvin Gokaj, i cili ka hetuar bandat e Burrelit të viteve 1997-1998. Veprime intensive hetimore po kryhen nga një ekip i Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Në letra, hoteli luksoz po ndërtohet nga Arbër Abazi, nipi i ish deputetit të PS, Sadri Abazi, i cili (Sadriu) është një përfitues epik i pasurive dhe parave publike, pjesë e raporteve sekrete ndërkombëtare për krimin dhe korrupsionin me kollare në Shqipëri.

Arbër Abazi besohet gjerësisht se është thjeshtë një maskë, pas të cilës fshihen dyshja Sadri Abazi dhe Xhelal Mziu, të cilët nga kundërshtarë politikë në zonën e Kamzës, u bashkuan në pazare për të përvetësuar dhe ndarë paratë e Bashkisë Kamëz si dhe u kthyen në ortakë të komufluar në biznes.

Fakte dhe rrethana rënduese

Nipi i ish deputetit të PS, Sadri Abazi, Arbër Abazi është përfaqësues dhe administrator i kompanisë ALKO-IMPEX General Construcion (K91326028I), gjoja degë e një kompanie të huaj në Kosovë.

Alko Impex, e cila ka fituar tendera me vlerë mbi 110 milionë euro, dyshohet se ka si pronar fakt Sadri Abazin.

Në gusht 2022, në kuadër të e-mail-eve që i janë drejtuar Kryeministrit Edi Rama, u publikua edhe një e-mail që Sadri Abazi i kishte dërguar Ramës, ku ankohej se ARRSH-ja nuk i kishte dhënë Alko Impex tenderin e mirëmbajtjes së rrugëve në 4 rajonet e vendit. Letra nuk lë vend për dyshime se kush është pronari real i Alko Impex.

Nëse nuk do kishte interes, nuk kishte arsye që Sadri Abazi t’i shkruante Ramës për tenderin që duhet të merrte Alkon Impex.

Ndërkaq, në maj të vitit 2018, një vit para se të largohej si kryebashkiak i Kamzës, Xhelal Mziu nënshkroi kontratën e koncensionit të pastrimit me Alko Impex dhe kompaninë 2T të Artan Sakos, vëllai i ish drejtuesit të Gardës, Gramoz Sako, përmes kompanisë koncensionare ECO CLEANING. Kontrata u firmos për një afat prej 12 vitesh.

Prapaskena mëson se sipas pazarit, Xhelal Mziu do të fitonte nga ky koncension 4 milionë euro, Sadri Abazi do të fitonte 4 milionë euro të tjera, ndërsa 6 milionë euro do të shkonin për zbatimin e kontratës dhe për të papritura që mund të dilnin gjatë rrugës.

Pjesë e pazarit dyshohet se ishte edhe pastrimi i parave, duke i investuar në këtë hotel në Golem. Të presim hetimet nga SPAK për mënyrën se si paratë janë hedhur për ndërtimin e pallatit dhe skemën se si Mziu dhe Abazi do t’a ndanin hotelin. Prapaskena mëson se mes Mziut dhe Abazit ka pasur edhe një sherr deri në përleshje fizike për shkak të mosmarrveshjeve për paratë e hedhura secili dhe ndarjen e hotelit.

KLSH: Koncensioni i plehrave korruptiv

PPP-ja e plehrave nuk ka vetëm problematikat e moralit politik në mes. Konstrolli i Lartë i Shtetit përmes një auditimi ka konstatuar se koncesioni është korruptiv dhe fituesi është diktuar përmes kritereve të vendosura nga Xhelal Mziu të përshtatshme për Alko Impex dhe për të skualifikuar operatorë të tjerë, të cilët nuk ishin pjesë e pazarit.

Auditi ka zbuluar se kriteret e vendosura dëmtojnë konkurrencën dhe përjashtojnë me pa të drejtë kompanitë e tjera. Në dukje janë detaje, por që në të tilla procedura përcaktojnë fituesin.

Si shembull, një nga kriteret kualifikuese në tender ishte përcaktimi që Drejtuesi Teknik i operatorit ekonomik duhet të figurojë në listë-pagesat e kompanisë të paktën 6 muajt e fundit. Vendosja e kriterit mbi eksperiencën në shoqëri është pa arsye në objektin e prokurimit me qëllim s’kualifikimin apo shmangien nga tenderimi e sa më shumë operatorëve ekonomikë.

Po ashtu, në lidhje me eksperiencën në shërbimin e pastrimit, Bashkia Kamzës ka përcaktuar se Drejtuesi Teknik i kompanive pjesëmarrëse në tender duhet të kishte eksperiencë jo më pak se 5 vite në fushën e ofrimit të shërbimit të pastrimit.

Por, personi, i cili fiton statusin e Drejtuesit Teknik në një shoqëri ka tagrin e plotë të realizojë çdo kontratë në fushën për të cilën është diplomuar dhe për të cilin ka funksionin e Drejtuesit Teknik. Pra, nuk mund të përjashtohet nga procedurat e prokurimit një operator ekonomik i cili ka drejtues teknik për të realizuar këtë kontratë që prokurohet, por nuk plotëson kriteret që drejtuesi nuk ka punuar 5 vite eksperience pune.

Për të shmangur çdo surprizë në garën dukshëm të paracaktuar, Xhelal Mziu përfshin mes kritereve edhe kërkesën që kompania të ketë disa inxhinierë të punësuar në 6 muajt e fundit dhe ta vërtetojë këtë përmes listëpagesave.

Mashtrim me zbatimin e kontratës

Alko Impex menaxhon edhe mbetjet e Tiranës, në zonën 3, që përfshin Kombinatin dhe rrethinat e saj. Makineritë e tij të pastrimit kalojnë edhe në zonën e Kamzës për të mbledhur mbetjet, i bëjnë bashkë dhe i depozitojnë në Sharrë duke i deklaruar sikur janë të Kombinatit.

Koncensioni është kaq korruptiv saqë nga frika e SPAK, Alko Impex dhe 2T, janë hequr nga kontrata para afatit të mbarimit.

Xhelal Mziu, pasuri me ‘punë krahu’

Xhelal Mziu, i cili një vit kalon me PD-në e Bashës dhe vitin tjetër me linjën e nongratës (Rithemelimit), ka deklaruar si pasuri një shtëpi në Kodër Kamëz, me vlerë 5.7 milionë lekë.

Si burim të ardhurash Mziu deklaron të ardhura nga puna si emigrant në Greqi nga viti 1992 deri në 1995, punë të ndryshme krahu, ndihmë nga të afërmit e tij, para të kursyera nga paga e tij më vonë dhe e bashkëshortes, si dhe një kredi 2.8 milionë lekë.

Mziu ka marrë dërgesa bankare prej më shumë se 74 mijë eurosh nga vëllai në Angli dhe kunati në Greqi gjatë viteve të deklarimit të pasurisë si kryetar i Bashkisë Kamëz për 3 mandate.

Kjo është pasuria e deklaruar. Prapaskena mëson se pasuria e reale dhe e kamufluar e Xhelal Mziut përfshinë pallate, apartamente, lokale, biznese si dhe këtë hotel me vlerë miliona euro në Golem.

Në 20 dhjetor 2013, Xhelal Mziu u arrestua për korrupsion me tendera. Arrestimi ishte si ato provat në teatrin amator. Grupi i PD rrethoi vendin ku ishte izoluar Xhelal Mziu. Gati sa nuk shkulën telat, duke e konsideruar arrestimin si politik dhe revansh të pushtetit të ri.

Doktor Mziu doli pas disa ditësh nga qelia. Mziu u dënua më vonë me dy vite burg, por edhe ky dënim ishte thjeshtë një ‘mastrubim’ i drejtësisë së Adriatik Llallës dhe Gjin Gjonëve të Ilir Metës dhe Sali Berishës. Xhelal Mziu mori lehtësisht pafajësinë në Apel.

Mziu u shpall i pafajshëm nga ‘kamikazja’ e PD, gjyqtarja Fatmira Hajdari, e shkarkuar më pas nga të dy shkallët e Vetingut për 1 milionë euro pasuri të pajustifikuar dhe që kishte fshehur faktin se Ambasada Amerikane i kishte hequr vizën amerikane si e korruptuar. Zonja Hajdari kishte ndërtuar një pallat në Tiranë me para të pajustifikuara dhe madje mbi tokë publike të grabitur.

Sot, SPAK dhe GJKKO nuk kanë lidhje me drejtësinë që palosi Vetingu. Nëse SPAK do të hapë letrat e këtij hoteli dhe të ndjekë rrugën e parave, doktor Mziu mund t’i bjerë daulles te 313!