Tre persona ende të paidentifikuar kanë dhunuar mëngjesin e sotëm Sokol Mëngjesin, një nga avokatët e ish kryeministrit Sali Berishës dhe i inceneratorit të Tiranës.
Avokati është dhunuar rreth orës 08:50 minuta në zonën e ish Bllokut, me grushte, doreza hekuri dhe me levë.
Tre autorët, të cilët ende nuk janë identifikuar i kanë zënë pritë Mëngjesit pranë një kopshti, ku avokati kishte dërguar të bijën dhe e kanë goditur me grushte e sende të forta në fytyrë dhe trup.
Avokati u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës.
Nuk dihen ende rrethanat e ngjarjes, ndërsa policia ka nisur kërkimet për identifikimin dhe më pas kapjen e autorëve. Mëngjesi ushtron profesionin e avokatit prej vitesh, ndërkohë që ka zgjedhur të bëjë mbrojtjen e ish-kryeministrin Sali Berisha, në betejën ligjore me drejtësinë, pasi që prej dhjetorit të vitit të kaluar u la në arrest shtëpie pas hetimeve për privatizimin e ish-Kompleksit Sportiv, Partizani.
“Sot, rreth orës 08:50, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, persona ende të paidentifikuar kanë goditur shtetasin S. M., me profesion avokat. I dëmtuari është dërguar menjëherë në spital për dhënien e ndihmës mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe strukturat e Policisë së Shtetit janë angazhuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njofton Policia e Tiranës.