Vila luksoze e Baton Haxhiut në Qerret. E deklaroi 80 mijë euro. Beu i tokave në bregdet 17 mijë euro rrogë në muaj nga oligarkët. Pagesat nga iceneratorët. Spiun i Millosheviçit?

Krim & Korrupsion

Publikuar: 04/05/2024

Vila luksoze e Baton Haxhiut në Qerret. E deklaroi 80 mijë euro. Beu i tokave në bregdet 17 mijë euro rrogë në muaj nga oligarkët. Pagesat nga iceneratorët. Spiun i Millosheviçit?

Çeta e analistëve që japin pretenca në darkë në banaqet televizive rezultojnë pronarë vilash në bregdet dhe Tiranë, kanë pallate, makina luksoze, biznese të dyshimta, frekuentojnë ‘Peshqirat’ dhe kazinotë jashtë vendit, kanë përfituar para publike përmes familjarëve dhe kompanive guacka, leje ndërtimi dhe licenca, dalin nëpër dosje të SPAK dhe përgjime, bëjnë emisione dhe sondazhe me porosi, shfaqen si sekserë nëpër zyra shteti dhe mejhane, pastrojnë para, numërojnë zarfe etj.

Baton Haxhiu është një nga analistët që flet për korrupsionin nëpër banaqe televizive, ndërsa mburret për miqësinë që ka me Ilir Metën, kandidat për non grata dhe nën hetim nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash.

Disa ditë më parë, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj akuzoi indirekt Baton Haxhiun se kishte kërkuar para për të bërë sondazhe me porosi, thua se sondazhet janë këmisha dhe pantallona.

E di ai tjetri çfarë ka kërkuar për sondazhe që nuk i bën dhe faturon shifra të panevojshme. Dhe kur nuk e duan në Kosovë, në Shqipëri e shofin akoma me përbuzje. Dhe prandaj Tirana vlerësohet edhe në Kosovë. Se njerëzit më të poshtër që ata i kanë përzënë, nuk qasen në Bashkinë e Tiranës dhe nuk kanë pikë aksesi”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës.

Analisti hodhi poshtë këtë pretendim, ndërsa akuzoi Veliajn se është maja e një sistemi korrupsioni.

Në fakt, vizita e tij në SPAK dhe përfolja e shtuar publike e rasteve të korrupsionit brenda bashkisë është vetëm maja e ‘iceberg’-ut e një sistemi të frikshëm të vjedhjes sistematike, shkëmbimit të shërbimeve për interesave të ngushta dhe dhënies së favoreve ekonomike në këmbim të mbështetjes ekonomike të udhëhequr nga Erion Veliaj”, thuhet ndër rreshta në përgjigjen e Baton Haxhiut.

Si Veliaj, ashtu edhe Haxhiu, nuk mbështetën në fakte pretendimet e tyre.

Prapaskena sjell sot disa fakte kompromentuese për figurën e analistit Baton Haxhiu. Janë evidenca për zhytjen e tij në llumin e interesave dhe pazareve të Tiranës.

Fakti I, Batoni mori para nga inceneratorët

Erion Veliaj ishte në SPAK për çështjen e inceneratorëve. Deri më sot nuk ka dalë ndonjë dokument, provë apo fakt që të tregojë se Veliaj ka përfituar para nga inceneratorët. Po të kishte, do t’a kishte tundur provën Belind Këlliçi. Por, deri më sot nuk ka.

Ndërkaq, Baton Haxhiu është në listën e personave kanë marrë para nga inceneratorët. Analisti është paguar me 4400 euro në muaj përmes kompanisë së tij Albania Post.

Faktin që Batoni ka marrë para nga inceneratorët ia ka përmendur edhe Belind Këlliçi në sy.

Ti z. Baton e di shumë mirë që ke marrë para nga inceneratorët. Nuk e di se për çfarë ka marrë para një portal përveç se për të censuruar faktorë opozitarë. Kjo është logjika ime. Ka marrë 8 pagesa, i kanë kaluar lekët, në vlerë 4 milionë Lekë në muaj, nga inceneratorët”, u shpreh Këlliçi.

Fakti II, Batoni me vilë në Qerret

Analisti Baton Haxhiu rezulton pronar i një vile në Qerret. Vila rrethohet nga një sipërfaqe trualli 1446 m2. Bëhet fjalë për një pasuri me vlerë qindra mijëra euro, por që Baton Haxhiu e ka deklaruar 80 mijë euro në vitin 2021.

Nisur nga vlera reale e vilës, ngrihen dyshime të forta për pastrim parash. Gjithsesi, kjo i mbetet organeve ligjzbatuese.

Por, kjo nuk është pasuria e vetme e Baton Haxhiut. Vitet e fundit, Baton Haxhiu është bërë pronar i disa sipërfaqeve toke nga bregdeti në Tiranë, duke i deklaruar gjithnjë në vlera të ulëta.

Nga një verifikim në rregjistrat e pasurive, Bato Haxhiu vizatohet si beu më i ri i tokave në Golem.

Pasuritë besohet se Haxhiu i ka blerë me paratë që ka marrë personazhe që kanë përfituar tendera dhe koncensione publike, disa nga të cilat po hetohen nga SPAK si korruptive.

Fakti III, Baton Haxhiu 17 mijë euro rrogë nga oligarkët

Publikimi i listës së pagave në vitin 2022,  zbuloi se analisti Baton Haxhiu paguhej me një rrogë rreth 17 mijë euro në muaj nga kompania e një oligarku, gjoja si agjent marketingu.

Ka dy versione të dyshuara:

1. Baton Haxhiu ka përdorur oligarkët për t’i pastruar. Haxhiu ka pasur para cash, të cilat ua ka dhënë dorazi oligarkëve. Këta të fundit ia kanë kthyer me përmes sistemit bankar, duke sajuar shërbime.

2. Oligarkët kanë përdorur Batonin si sekser për të mbyllur ndonjë pazar apo për ndonjë favor dhe në këbim i kanë lidhur një pagë të tillë mujore, duke legalizuar pagesën e korrupsionit.

Baton Haxhiu spiun i Millosheviçit?

Në përgjigjen e tij ndaj Erion Veliajt, Baton Haxhiu përdori si mburojë masakrat e Millosheviçit dhe rregjimit të tij gjakatar ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Madje analisti foli edhe për një luftë që kishte fituar me regjimin e Beogradit.

Unë e kam bërë një luftë goxha të gjatë në Kosovë për të qenë i lirë, për të ma ndaluar dikush se ku të shkoj, e aq më pak Erion Veliaj. E unë atë luftë e kam fituar, dhe kur e kam fituar atë luftë me atë armik të fortë, mundesh me marrë me mend se sa i llogaris të tjerët që përdorin të njëjtën gjuhë. Gjuha ime nuk ka fjali për tu ballafaquar me një gjë të tillë“, tha ndër të tjera Baton Haxhiu.

Më shumë se sa një luftëtar lirie në betejë apo prapavijë, Baton Haxhiu perceptohet si spiun dhe bashkëpunëtor i Millosheviçit.

Nuk po i referohemi akuzave të Sali Berishës, të cilit edhe ndonjë e vërtetë i humbet në pyllin e shpifje.

Por, po i referohemi opinionistit Gani Mehmetaj, i cili përmes një shkrimi thotë se Kasapi i Ballkanit kishte shantazhuar Baton Haxhiun në Hagë.

“Kasapi i Ballkanit e frikësoi keqas Batonin, e frikësoi edhe Bakallin, duke ua bërë me dije publikisht se ishin bashkëpunëtorë të Sigurimit Serb, prandaj s’kishin ç’të dëshmonin pos qyqarisë së tyre”.

Analisti dhe politikani Veton Surroi ka deklaruar se Baton Haxhiu ka qenë spiun i shërbimit sekret serb.

Ish diplomati Shaban Murati ka shkruar se Baton Haxhiut i është dhënë nga Shqipëria shtetësia shqiptare në kundërshtim me procedurat ligjore dhe duke shmangur informatat mbi bashkëpunimin e tij me shërbimin sekret serb, ndërsa gjithçka është kaluar në heshtje nga kryeministri shqiptar.

Profesori Enver Bytyçi ka deklaruar se “Baton Haxhiu është një spiun dhe tradhtar në rolin e korrierit, në rolin e dhelprës dhe të majmunit”, duke shtuar se analisti pastron para.

Ende mungojnë dokumentet, por dyshimet dhe akuzat se Baton Haxhiu ka qenë spiun i Beogradit, janë të shumta.