Ndarja e Farkës nga krimi, korrupsioni dhe pastrimi i parave, për të ndërtuar vila dhe resorte me para të dyshimta, nuk ndalet. Një krim i shumfishtë ka dyshime se po konsumohet në një nga zonat më të lakmueshme të Tiranës, zonën Mjull Bathore, mes TEG dhe Saukut.
Protagonistë të dyshuar janë mafiozi i naftës Behar Çukaj, i cili ka marrë 170 tendera publikë me vlerë miliona euro, si dhe disa funksionarë publikë.
Themi mafiozi, pasi për Behar Çukajn ka një sagë evidencash vendase dhe ndërkombëtare për kontrabandë nafte, vjedhje nga depozitat e Albpetrol dhe përzierje me në pikat e shitjes, theyerje embargo ndaj Rusisë, pastrim parash dhe afera me tendera, por i ka shpëtuar deri më sot veprimit ligjor për shkak të mungesës së drejtësisë.
Çukaj dyshohet se ka përfituar 35 mijë m2 tokë me letra false në Mjull Bathore, duke aplikuar më pas ndërtim vilash, një investim me vlerë miliona euro.
Në vitin 2011, Prokuroria e Tiranë referoi në gjykatë një dosje penale për falsifikim dokumentesh me qëllim tjetërsimin qindra mijëra m2 tokë në Mjull Bathore.
Mes të pandehurve ishin edhe Masar Dushku, Fiqiri Dallashi dhe Halil Teqja, përgjegjës për administrimin e tokave të ish Komunës Farkë.
Në dosjen e Prokurorisë dokumentohet batërdia me pronat publike dhe private në Mjull Bathore, ku disa prona më pas përfunduan edhe në duart e ish kryeprokurorit Adriatik Llalla, non grata nga SHBA dhe i dënuar për fshehje pasurie, dhe të ish drejtuesit të Prokurorisë Tiranë, Petrit Fusha, sot i pandehur për fshehje pasurie.
Burime për Prapaskenën thanë se edhe sipërfaqja prej 35 mijë m2 që ka marrë në pronësi Behar Çukaj bazohet në falsifikime dhe tjetërsime, fabrikim dhe zhdukje dokumentesh, edhe pse oligarku i naftës besohet se e ka blerë pronën.
Më pas Çukaj ka aplikuar për të ndërtuar një kompleks vilash, disa nga të cilat për politikanë, sekserë dhe zyrtarë të korruptuar, të cilët i kanë hapur rrugën oligarkut për të realizuar projektin. Vijon…

