Është ndoshta mashtruesi më famëkeq në trojet shqiptare, çuditërisht ende i lirë nga drejtësia.

Muajt e fundit ka nisur të maskohet si doktor, me mjekër të lyer, kapele dhe rroba firmato, ndërsa shfaqet në një emision televiziv duke pretenduar se shëron çdo sëmundje, duke nisur nga sëmundjet e pashërueshme deri më sot për mjekësinë moderne, sëmundjet e rralla deri tek të zakonshmet.

Bëhet fjalë për njëfarë Rruzhdi Metali, i cili mashtron njerëz, kryesisht shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke pretenduar se shëron kancerin me disa pika uji, vajguri, shenja horoskopi, truke, magji, baltë në kokë dhe energjie që posedon.

Thotë se përlan deri në 100 mijë euro, por pikat e ujit i shet duke nisur nga 1 500 euro.
Vite më parë, Rruzhdi Metali u denoncuar nga disa familjarë, pasi të afërmit e tyre kishin ndërruar jetë pasi kishin shkuar të shëroheshin tek Rruzhdiu.
Në atë kohë, doktor Adhamudhi shfaqej në një lokal në ish Bllok, ku takonte njerëz, duke u marrë miliona euro për t’i ‘shëruar’ me magjitë e tij.

Produktet i porosit online, të cilat më pas ua shet viktimave të tij të mashtrimet me çmime të çmendura. Nëse një produkt e blen online me 7-8 euro, doktor Adhamudhi e shet deri në 2 mijë euro gjoja si ilaç çudibërës.
Nga halli që i ka zënë të sëmurët i japin paratë me shpresë se do shërohen. Por rruga e mashtrimit është gjithnjë e shkurtër.
Pas disa denoncimime, doktor Adhamudhi u fsheh për gati 6 vite.
Befas muajt e fundit, në emisionin Zonë e Lirë të Arian Çanit, ka nisur të shfaqet një personazh, i cili pretendon se shëron mbi 90 sëmundje, duke nisur nga më të rëndat.

Personazhi shfaqet i kuruar, me mjekër të lyer me bojë, me kapele dhe rroba të shtrenjta, ku flet me bindje dhe kompetencë.
Vetëm një sy i mbrehtë e bën dallimin dhe e kupton se ky personazh është pikërisht mashtruesi Ruzhdi Metali, por me një pamje të ndryshuar.

Metani ka ndryshuar edhe qendrën e zhvatjes dhe mashtrimit me pasoja të rënda, nga ish Blloku në një zonë pranë TEG.

Është totalisht ilegal, ku qarkullon miliona euro i paregjistruar, pa licencë, pa paguar taksa, pa bërë deklarime etj.
Paratë e përfituara përmes mashtrimit i ka investuar në pasuri të paluajtshme.
Denoncuesit
Një prej ankuesve është Muhamer Rizvani, i cili tregon se pasi djalit i ishte shfaqur një lloj kanceri në kokë, ai e kishte kuruar fillimisht në Maqedoni dhe në Turqi.
Më pas, nëpërmjet televizorit dhe internetit kishte mësuar se në Tiranë ndodhej një mjek popullor, i cili shëronte kancerin. Ai është Ruzhdi Metali, të cilit i ka gjetur kontaktet dhe kishte udhëtuar nga Struga drejt Tiranës me shpresën për t’i ardhur në ndihmë.

Ai shpjegon se mjeku popullor Ruzhdi Metali i ka garantuar shërimin e djalit nëpërmjet kurave të tij. Për këtë shërbim i ka marrë 1500 euro për tri kura. Sipas tij, kura e fundit ka qenë vdekjeprurëse për të birin.
Mjeku popullor i ka dhënë një lëng, të cilin duhej ta konsumonte disa herë në ditë për 41-42 ditë dhe nuk duhet të hante dhe të pinte asgjë. Djali i tij ka ndërruar jetë 22 ditë pasi kishte nisur këtë kurë.
Po ashtu “viktimë” e mashtrimit ka rënë edhe Jehona Nasufi (Dauti), e cila ka çuar nënën, po të sëmurë me sëmundje kancerogjene.
Ajo shpjegon se nëna e saj e ka bërë kurën e plotë, por kur ka bërë analizat, gjendja e saj ka dalë e përkeqësuar.
Madje, mjeku popullor ka kërkuar që ajo të ndërpriste ilaçet që kishte marrë nga spitali dhe të merrte vetëm ilaçet që përgatiste ai. Pas disa ditësh, nëna e saj ka ndërruar jetë.
Në prezantimin e vet, Metali thotë se është doktor Kiroprator-Bioenergji që nga viti 1991 e deri më sot.
Ai pretendon se “duke vënë re praninë e biorrymës që natyra e ka pajisur, ai ka mbaruar studimet për bioenergjinë në Onikava të Japonisë, ku dha ka bërë praktikë për një kohë të gjatë. Madje ai pretendon se ka punuar dhe në Athinë dhe më pas është kthyer në Tiranë, ku vazhdon me sukses.
Ndërkaq, ai rendit mbi 96 sëmundje të ndryshme për të cilat thotë se mund t’i shërojë. Nga bisedat, ai tregon se ka marrë vlera të ndryshme parash për kurimin e pacientëve, duke pretenduar se tek ai kanë shkuar dhe figura të politikës shqiptare.
Por si i realizon ai këto kura, biseda dhe sa kërkon për të shëruar kancerin?
Disa vite më parë, Fiks Fare shkoi në lokalin, ku doktori pret pacientët, bisedon për sëmundjen, bën pazaret dhe më pas përgatit kurën e radhës.
Në bisedën e parë, bashkëpunëtorët e Fiks Fare i thonë se kanë fëmijën e një miku të tyre në Prizren dhe se duan t’u japë garanci për shërimin e tij nga kanceri.
Mjeku popullor kërkon që ta sjellim fëmijën në Tiranë, pasi atij i kushton shumë dita për të shkuar për ta parë në Prizren, pasi ai do 1500 euro në ditë vetëm për të lëvizur nga Tirana.
Madje ai thotë se është aq i kërkuar saqë tek ai ka shkuar dhe ish-kryeministri, të cilit i kishte kërkuar 200 mijë euro për ta shëruar.
Një emigranti në Gjermani i ka kërkuar 100 mijë euro, por ai jep garanci për shërimin e kancerit, nëse nuk është bërë kimioterapi.
Në bisedën e dytë, bashkëpunëtorja e Fiks Fare i thotë doktorit se ka mamin e sëmurë me kancer.
Ai i thotë se do 1480 euro për kurën e parë, por nuk ka nevojë ta shohë mamin e saj. Ai i thotë se mamin do e shohë kur të shërohet.
Ai tregon se përdor kura të forta me dietë për 42 ditë dhe me balta në kokë që e zhdukin kancerin. Për këto kura ai merr çmime të ndryshme.
Ai i përgatit edhe ilaçin e tij për të nisur kurën. Gjithashtu ai shprehet se nuk pranon të punojë me shqiptarë të Shqipërisë.