Dora nongrata që komandon drejtorët e doganave, Alban Dushku i Morinës fshihet pas magazinës me mallra kontrabandë në Tiranë, i arrestuar për zhvatje pronash. Pjesë e klanit Agim Rakipi dhe 2 Ergysët famëkeqë

Krim & Korrupsion

Publikuar: 30/09/2023

Dora nongrata që komandon drejtorët e doganave, Alban Dushku i Morinës fshihet pas magazinës me mallra kontrabandë në Tiranë, i arrestuar për zhvatje pronash. Pjesë e klanit Agim Rakipi dhe 2 Ergysët famëkeqë

Një figurë e rëndësishme e krimit, shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me influencë në Kuvend, pushtetin qëndror dhe vendor, kontrollon disa nga drejtuesit e degëve doganore në vend, duke komanduar si rrjedhojë kontrabandën e mallrave dhe ndoshta edhe trafiqet.

Drejtori i Doganës Morinë, Alban Dushku konsiderohet lidhje e fortë varësie e personazhit nongrata.

Dushku, i skeduar për falsifikime dhe dallavere, është arrestuar në vitin 2015 për grabitjen e 4 mijë m2 tokë në Lundër të Tiranës, me vlerë 600 mijë euro, ndërsa posedon pasuri të paluajtshme me bazë financiare të dyshimtë.

Dushku, jo vetëm i shpëtoi veprimit ligjor për tjetërsimin e pronës, por u emëruar përgjegjës i Sektorit të Antikontrabandës Tokësore, më pas i Antikontrabandës Detare dhe më vonë në krye të Doganës së Morinës.

Disa ditë më parë, policia njoftoi se kishte zbuluar një magazinë në Tiranë me mallra kontrabandë me vlerë 160 mijë euro.

Subjekti ishte i paregjistruar në organet tatimore. Policia njoftoi arrestimin e administratorit të magazinës Gentian Plaku, 31 vjeç, magazinierin Ledio Kamberi 41 vjeç dhe Etmir Dogjani, shitës dyqani, 40 vjeç.

Prapaskena mëson se tre të arrestuarit dyshohet se janë mbulesë e Alban Dushkut dhe se malllrat janë futur kontrabandë në doganën e Morinës.

Sipas burimeve, magazina e mallrave kontrabandë në Tiranë është e Alban Dushkut. Si rrjedhojë e implikimit të tij, tre të arrestuarit po lirohen, ndërsa krimi ekonomik po paraqitet më shumë si një keqkuptim.

(Prapaskena fton SPAK të monitorojë se si tre të arrestuarit po lirohen, ndërsa hetimi është stopuar për të mos dokumentuar se kush qëndron pas tyre).

Ndërkaq, Edi Rama ka mbyllur njërin sy para kapjes së doganave nga krimi dhe korrupsioni, deri kur ndonjë skandal të plasë ndonjë ditë në publik.

Ambasadat dhe shërbimet inteligjente janë kanë informacion të detajuar për dorën e krimit që komandon Doganën e Morinës dhe disa degë të tjera doganore.

Të njëjtës dorë i përket edhe Fajon Shehu, drejtor i anti-kontrabandës, bashkë me Agim Rakipin, shef i operacionales.

Dyshja mbulon veprimtarinë e paligjshme në dogana, ndërsa raporton vetëm tek shefi i tyre nongrata, në restorantet luksoze të Tiranës.

Pjesë e këtij rrjeti është edhe Herkul Marku, drejtor i Doganës së Kapshticës, i shkarkuar ditët e fundit pasi pritet të arrestohet për kontrabandë masive dhe flagrante të cigareve dhe mallrave të tjerë.

Drejtori i Doganës së Qafë Thanës, Gentian Berberi, është gjithashtu pjesë e këtij karteli.

Dogana e Qafë Thanës është një nga nyjet kryesore të kontrabandës, ndërsa herë pas here në pranga bien vetëm ‘cironkat’ si doganierët Arian Hajrulla, Fisnik Mahmutllari, Vladimir Bardhi, Julian Poce, Stefan Hila, Anesti Tushinka, Ilir Spahiu, Lefter Duraj, Mikel Goxharaj etj.

Pjesë e këtij grupi që komandohet nga e njëjta dorë është edhe Ergys Kateshi, drejtor i anti-kontrabandës së Elbasanit. Kateshi është akuzuar për krime zgjedhore dhe pastrim parash.

Ky grup nuk do të kishte kuptim pa famëkeqin Ergys Hoxha, nëndrejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Doganave

Ergys Hoxha, i njohur si Gysi i drogës, ka në varësi pikërisht Drejtorinë Hetimore dhe atë Operacionale, duke mbuluar veprimtarinë e kartelit të deganierëve të dorës nongrata.

Po kush është Gysi i drogës?

Ditët e para të 2023, Ergys Hoxha, i etiketuar në media si ‘Gysi i drogës’, u emërua nëndrejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Doganave, duke pasur në varësi Drejtorinë Hetimore dhe atë Operacionale.

Më herët, Ergys Hoxha ishte drejtor i Antikorrupsionit në Kryeministri.

Edhe njerëzit më të afërt të Edi Ramës vijojnë të jenë të habitur se si i ka besuar një personazhi problematik si Gysi dy funksione kaq të rëndësishme në Kryeministri dhe më pas në dogana.

Edhe pse për aktivitetin e zi të Ergys Hoxhës, përfaqësitë e huaja diplomatike kanë informacion të detajuar, Rama, çuditërisht, vijon ta mbajë, ndoshta duke pritur ndonjë njoftim nga SPAK-u.

Ergys Hoxha nuk është lakuar ndonjëherë për ndonjë arritje në punë, aksion, reformë etj., por vetëm për karagjozllëqe, provokime, skandale dhe paligjshmëri.

Në 2013, poshtë makinës së Ergys Hoxhës, te dera e Kryeministrisë, u zbulua një minë “C4”, por u sajua sikur makina ishte e Besnik Dervishit, një personazh paqësor, pa asnjë implikim dhe konflikt. Mina ishte mesazh për Gysin.

Në maj të vitit 2014, Ergys Hoxha u pezulluar nga detyra pasi u përfshi në një konflikt verbal me efektivët të Rrugores, duke i fyer dhe sharë. I gjithë debati mes tyre ishte rregjistruar nga kamerat e instaluara në makinën e patrullës.

Ai lëvizte me një Audi me targs false.

Targa AA 375 DB, të cilën e mbante mjeti tip “Audi A5” i Hoxhës, në sistem i korrespondonte një mjeti tjetër, tip “Fiat Punto” me ngjyrë gri, pronari i të cilit është një person nga Laçi.

Në momentin kur efektivët e Qarkullimit V. B. dhe E. J. i kanë kërkuar shpjegime Ergys Hoxhës për targën e mjetit që rezultonte e parregullt, ai ka nisur t’i fyejë, madje edhe t’i kërcënojë se do t’i hiqte nga puna. Njërit prej efektivëve ai i ka përplasur në fytyrë dokumentin e identifikimit me logon e Kryeministrisë.

Dy efektivët u tradhtuan nga shefat e tyre, të cilët kishin lidhje me Gysin.

Në gusht të vitit 2015, Ergys Hoxha ka pasur një tjetër incident, kësaj radhe me ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Në kampin socialsit të Jalë, thuhet se ka pasur një përplasje fizike, ku Ergys Hoxha ka goditur ish ministrin Saimir Tahiri. Nuk dihet se kush ishte shkaku i përplasjes.

Më 12 tetor 2016, Gysi u kap rastësisht nga policia në një makinë vrasësi e trafikanti, por ngjarja u fsheh pasi në pah do të dilnin lidhje dhe pazare me pasoja për politikanë të rëndësishëm.

Në një raport të datës 10 maj 2018, SHISH informoi Edi Ramën, Prokurorinë dhe Ministrinë e Brendshme, se Gysi i famshëm, duke shfrytëzuar postin në kryeministri, ishte përfshirë dhunshëm e pa asnjë tagër ligjor, në aksionet e ALUIZNI e IKMT në Tiranë, Durrës, Kavajë, Shëngjin, e Vlorë, duke diktuar se cilët objekte duheshin rrafshuar e cilët jo.

Sipas burimeve, Gysi ka pasur përplasje edhe me të dënuarin për përdhunim në grup, Ervis Roshi, me disa emra, ish kryetar i Bashkisë Kavajë.

Ergys Hoxha dhe Rroshi besohet se kanë qenë bashkëpunëtorë në punë të zeza dhe biznese. Dyshja është akuzuar edhe nga shteasi Dritan Kanapari se i kanë vendosur tritol.

Gysi dhe Roshi dyshohet se qëndrojnë pas një resorti me vlerë 6 milionë euro në Kavajë, siç është ‘Supreme Hotel&Spa’, ndërtuar me para të dyshimta.

Për t’i shpëtuar veprimit të ligjit, hotelin e kanë kaluar në emër të një italiani. Roshi dhe Hoxha kanë pasuri të pajustifikuar, me vlerë miliona euro, në emër të tyre dhe të afërmve.

Në dorën e këtyre personazheve kanë rënë sot degët e doganës shqiptare. Edi Rama, edhe është në dijeni, nuk lëviz me sa duket për të mos prishur disa aleanca.

Opozita ka degraduar, pasi jo vetëm që nuk denoncon, por segmente të saj marrin bakshishe nga karteli i doganeve dhe klanet e tjera të pushtetit.

Prokuroria e zakonshme nuk ka vullnet dhe interes për të goditur këtë kartel, ndërsa SPAK dhe BKH ende nuk i kanë kthyer sytë nga kapja e doganave nga korrupsioni dhe krimi.