Partia Popullore Europiane kërkon nga Shqipëria që të respektojë shtetin e së drejtës dhe të drejtat e minoriteteve, duke lejuar kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës të kryejë betimin. Fredi Beleri është arrestuar me akuzën e blerjes së votave dhe Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK e ka lënë atë në qeli.
Demokracia e Re ka paraqitur sot në Bruksel një rezolutë të jashtëzakonshme, e cila është miratuar unanimisht nga të gjitha forcat politike të PPE.
“Konkretisht qendra e djathtë europiane e lidh arrestimin e Belerisit me respektimin e të drejtave themelore të minoritetit etnik grek të Shqipërisë, duke nënvizuar se asnjë vend që dëshiron të anëtarësohet në BE nuk duhet të veprojë në atë mënyrë”, raporton media greke Protothema për votimin në Bruksel sot.
Mirëpo, për këtë ngjarje ka reaguar vetë kryeministri Edi Rama, i cili e bën të qartë se institucionet e reja të drejtësisë e kanë marrë vendimin e tyre për Fredi Belerin. Kryeministri shqiptar thekson se ka qenë vetë Evropa dhe Amerika që e kanë mbështetur krijimin e këtyre institucioneve.
“Interesante! “Ne i bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare”… Një thirrje pa specifikuar se për cilat autoritete dhe, me siguri, pa qenë të informuar se në këtë rast problemi nuk është rezultati i zgjedhjeve, por i gjykatave, të cilat e kanë refuzuar një kërkesë të tillë.
E përdora “me siguri” sepse do të ishte vërtetë shqetësuese nëse Partia e madhe Popullore Europiane do të kalonte një rezolutë me titullin “Sundimi i Ligjit” për të kërkuar një rezultat tjetër nga ai që është vendosur nga Prokuroria Speciale për Korrupsionin e Krimin e Organizuar dhe Gjykatat Speciale me të njëjtën emër. Këto institucione u themeluan me mbështetje të plotë nga BE&SHBA dhe ndihmohen ngushtësisht nga SHBA&BE në punën e tyre deri këtu mbresëlënëse kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shkruan Edi Rama.
Më tej, kryeministri shqiptar thekson se ai është i gatshëm të ofrojë informacionin e nevojshëm që eurodeputetët të njihen me dojen e Fredi Belerit dhe akuzat për të cilat qëndron në qeli kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës.
“Nëse është e nevojshme, jemi më shumë se të gatshëm të sigurojmë udhëheqjen e lartë të EPP-së me informacion mbi këtë çështje në çdo format dhe në çdo kohë. S’ka dyshim, se të gjitha autoritetet shqiptare e presin me shumë besim mbështetjen e vazhdueshme të EPP-së, si një zë i fortë i Europës sonë gjatë kësaj faze ndryshimi historik për vendin tonë, ku më në fund, zyrtarët e lartë po hetohen me thellësi përtej anësive politike, çka shënon fundin e një epoke të gjatë të pandëshkueshmërisë”,përmbyll ai.