Kompania e ndërtimit 2T, në pronësi të Artan Sakos, vëllait të kreut të Gardës, Gramos Sako, po lulzon nën pushtetin e Rilindjes, me tendera të dyshimtë dhe me hije të theksuar korrupsioni, gjithnjë duke i shpëtuar veprimit të ligjit.
Teksa vëllai i tij Gramos Sako, i arrestuar për vepra të turpshme në repartet ushtarake, siguron ruajtjen e pushtetarëve, familjeve të tyre dhe vilave, Artan Sako po bën kërdinë me paratë publike.
Nga verifiket që ka kryer Prapaskena rezulton se vetëm gjatë 7 viteve të fundit, kompania 2T ka marrë rreth 170 milionë euro para publike, me tendera me garë formale dhe pa konkurrencë fare, me pazar në tavolinë dhe në shumicën e rasteve me ofertë fituese sa fondi limit.
Një pjesë të parave, Artan Sako ia ka kaluar kunatës, bashkëshortes së Gramos Sakos, në formë huaje për të ngritur biznes dentar.
Ka një perceptim të fortë se pronari real i kompanisë është vetë Gramos Sako, ndërsa Artani është thjeshtë një maskë e tij, por le të bazohemi vetëm në fakte të dokumentuara.
Vitet e fundit, Artan Sako me komapninë 2T ka krijuar një kartel komanish të përbashkëta me Rrok Gjokën dhe Arbër Abazin, dy ‘peshkaqenët’ e buxhetit të shtetit, Rrok Gjoka që ka 12 vjet dhe nuk po hap dot një tunel, duke degraduar Rrugën e Arbërit pa e përfudnuar, si dhe Arbër Abazi që po arrin 100 milionë euro para publike, ndërsa po përlan edhe pronat e grabitura në Bërxullë.
Sako, Gjoka dhe Abazi kontrollojnë një rrjet kompanish me veprimtari të dyshimtë, mes të cilave edhe Diteko, Eco Cleaning, Rawafed Al-Torok, Jonit Venture 2B 1979 etj.
Që të tre, bëjnë marrëveshje të ndaluara, duke hyrë në tendera të mëdhenj, duke diktuar si fitues njërën prej tre kompanive 2T, Gjoka ose Alko Impex.
Ndërkaq, Artan Sako përmes 2T ka nisur të krijojë kompani edhe në vendet Arabe, me bashkëpronarë të paidentifikuar.
SPAK vazhdon të merret me korrupsion banal, me ryshfet 300 mijë lekë dhe qëngja, dhe nuk ndjek qoftë edhe një tender të madh se si diktohet fituesi, si bëhet mashtrimi me dokumentacionin, si manipulohet me zbatimin e kontratës, si bëhet mashtrimi me volumin e punimeve dhe si ndahen paratë me çanta.
2T ndërtoi pallatin e Linda Ramës
Publikime mediatike të disa viteve më parë e lidhnin emrin e Artan Sakos me ndërtimin e atij që Partia Demokratike e konsideronte si “pallati i Linda Ramës”, bashkëshortes së kryeministrit Edi Rama.
Në Janar të vitit 2013, Partia Demokratike dorëzoi një kallëzim penal për zyrtarët e Bashkisë së Tiranës. Objekt i kallëzimit ishte një leje ndërtimi, e dhënë në vitin 2006, kohë kur bashkia e kryeqytetit drejtohej nga Edi Rama.
Sipas kallëzimit, Bashkia i kishte dhënë leje ndërtimi familjes së Linda Basha (Rama), në atë kohë mikeshë dhe më pas bashkëshorte e Edi Ramës, në një territor i destinuar për lulishte, pranë zonës së Institutit të Higjenës në Tiranë.
Nga të dhënat e publikuara në vijim të këtij kallëzimi, rezultoi se prona që u zhvillua ishte në pronësi të vëllait dhe xhaxhait të Linda Basha (Rama).
Po, ashtu, në media të ndryshme u publikuan të dhëna se ndërtesa 5-katëshe ishte ndërtuar nga kompania “2T”, me administrator Artan Sako.
Zëra të ndryshëm opozitarë e lidhnin angazhimin e Artan Sakos tek pallati i familjarëve të Linda Ramës, si një nxitje për emërimin e vëllait të ndërtuesit, pra Gramos Sakos, në postin e Komandantit të Gardës së Republikës.
Mund të lexoni: