Kreu i Gardës Gramos Sako i arrestuar për prostitucion dhe orgji në vilën e Berishës, ka ndryshuar emrin dhe përlan 100 milionë euro para publike. Pastrim parash dhe fshehje pasurie 

Krim & Korrupsion

Publikuar: 04/05/2023

Kreu i Gardës Gramos Sako i arrestuar për prostitucion dhe orgji në vilën e Berishës, ka ndryshuar emrin dhe përlan 100 milionë euro para publike. Pastrim parash dhe fshehje pasurie 

Prostitucion, orgji, korrupsion me tendera, shpërndarje zarfesh përmes një pseudo gazetari fundërrinë, pastrim parash, fshehje pasurie, mashtrim me pasurinë, ndryshim emri dhe futje duarsh në paratë publike.

Në mendje ju vjen ndonjë anëtar i bandave kriminale, por në fakt bëhet fjalë për Gramos Sakon, në krye të Gardës së Republikës që nga viti 2013. Shqipëria vendi i paradokseve!

Siç edhe e deklaron dhe pranon edhe vetë, kreu i Gardës Gamos Sako është arrestuar në dhjetor të vitit 1996 për shfrytëzim prostitucioni në vilat qeveritare në Vlorë.

Në atë kohë, Sako ishte roje e vilave ku çlodheshin Sali Berisha me shpurën e tij.

Sipas dosjes, e cila do të mbyllej më pas për shkak se dëmtohej rëndë imazhi i pushtetit dhe implikoheshin zyrtarë, Gramos Sako dhe persona të tjerë, mbushnin me vajza vilat qeveritare, duke i shfrytëzuar si prostituta.

Vilat qeveritare në Vlorë ishin kthyer sipas policisë në shtëpi publike. Ndërsa Berisha shtypte opozitën me SHIK-un e Gazidedes, luftonte me SHBA-të dhe flirtonte me iranianët, vilat qeveritare shfrytëzoheshin për orgji, harbime dhe festa të çmendura.

Për të mbuluar këtë damkë, duket se Sako ka ndryshuar më pas emrin dhe mbiemrin, nga Gramoz Saka në Gramos Sako.

Si për ironi, 10 vite më vonë, Sako ose Saka do të nderohej me medalje nga Presidenti Alfred Moisiu “Për shërbime ushtarake”.

100 milionë euro tendera

Gramos Sako fshihet pas kompanisë së ndërtimit 2T, me nipt K01731001M, simbol i mekanizmit të vjedhjes së parave publike falë lidhjeve klienteliste me pushtetin dhe i mosveprimit të SPAK.

Administrator i kompanisë është formalisht vëllai i Gramos Sakos, Artan Sako.

Themi formalisht, pasi kompania nisi të marrë dhjetëra milionë euro nga paratë publike, pikërisht pas ndryshimit të pushtetit në 2013 dhe besohet nën ndikimin e Gramos Sakos, i cili duke qenë kreu i Gardës, që kujdesej për sigurinë e pushtetarëve dhe banesave të tyre, e kishte të lehtë për të hyrë në pazare me ministra, kryebashkiakë dhe drejtorë.

Së dyti, Gramos Sako, një pjesë të parave që kompania 2T ka fituar me kontratat publike, i ka futur në xhep, përmes familjarëve të tij.

Vetëm në një rast, kompania 2T i ka kaluar gruas dentiste të Gramos Sakos një shumë 63 mijë euro, në formë borxhi. Por, ky nuk është rasti i vetëm, edhe pse do të mjaftonte për të nisur hetimet për një skemë flagrante korrupsioni.

Shuma të tjera parash, Artan Sako ia ka kaluar Gramos Sakos në formë dhurimesh, ndërsa miliona euro dyshohet se janë kaluar cash, ku kreu i Gardës i ka investuar në pasuri të palujtshme të fshehura në emra të tjerë.

Vetëm gjatë viteve të fundit, kompania e komandantit të Gardës, kamufluar nën emrin e të vëllait, ka marrë rreth 70 tendera me vlerë mbi 100 milionë euro, kryesisht me flamuj të kuq korrupsioni, me oferta gati sa fondi limit, me garë formale dhe pa garë fare, me një pjesë të dokumentacionit false dhe gjithnjë duke manipuluar me volumin e punimeve.

Tenderat e paracaktuar i ka marrë për pastrim të plehrave, ndërtim rrugësh, mirëmbajtje rrugësh, ujësjellësa, kanalizime, rehabilitim digash, sheshe ndërtimi, rivitalizim parqesh etj.

Skandali me vetingun

Vetingu në polici konstatoi se kreu i Gardës, Gramos Sako, kishte fshehur pasurinë, se kishte punësuar mbesën e tij si juriste dhe se po përlante paratë publike me tendera, me kompaninë që ka kaluar në emër të të vëllait. Megjithatë, Sako u konfirmua në detyrë, duke zhbërë kështu procesin e Vetingut në Polici, i cili u braktis nga ndërkombëtarët.

Vetingu ndaj Sakos ishte shpartallim dhe rënie e Vetingut në polici. Damkën e qokës për Artan Sakon e mban trupa e vlerësimit e përbërë nga Mirela Ujkani (Miti), Alban Laska dhe Artur Baku.

Nga verifikimi rezultoi se Sako kishte marrë një kredi prej 30 milionë lekësh për 20 vite, por e kishte shlyer për 3 vite.

Sako ka pastruar para edhe me një makinë, të cilën e kishte blerë 450 mijë lekë dhe e kishte shitur 15 mijë euro. Me kalimin e kohës makinës i bie vlera, por për Sakon ka ndodhur e kundërta.

Nga verifikimi rezultoi se Sako ka shfrytëzuar postin për rritje gradash pa kriter dhe ka abuzuar me dietat. Komisioni kostatoi parregullsi edhe me etikën profesionale.

Gjatë viteve 2015-2019, mbesa e Sakos, vajza e motrës së tij është punësuar si juriste pranë Gardës së Republikës, në konflikt flagrant intetesi dhe duke kompromentuar rëndë figurën e tij, pasi Garda e Republikën nuk është kompania familjare 2T, por institucion publik.

Fshehje pasurie dhe pastrim parash

Komisioni i Vetingut ka konstatuar që Gramos Sako ka fshehur në ILDKPKI një bar kafe. Këtu kemi të bëjmë me vepër penale të fshehjes së pasurisë dhe pastrim parash. Prokuroria duhet të kishte nisur hetimet kryesisht.

Jo vetëm kaq. Sako nuk ka deklaruar në ILDKKI blerjen e një apartamenti. Ai ka mashtruar edhe me deklarimin e klinikës dentare ku punon bashkëshortja e tij.

Komisioni ka konstatuar se Sako nuk ka deklaruar burimin financiar të udhëtimeve jashtë vendit.

Për turpin e tij dhe të shtetit, Komisioni i Vetingut, e konfirmoi në detyrë Sakon, duke konfirmuar se ky proces ishte një makiazh.

Po të zbatohej standardi i vetingut në drejtësi, do të mjaftonte vetëm fshehja e lokalit, që Sako të shkarkohej nga detyra dhe të referohej në prokurori.

A do të nisë prokuroria hetim pas gjithë këtyre fakteve penale apo do të presë kallëzim penal?