Valter Bami, u arrestua pasditen e djeshme nga Policia në Tiranë.
Ai u shoqërua në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur më datë 4 Korrik në Larushkë të Fushë-Krujës, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën dy të tjerë.
Kjo është hera e dytë që Valter Bami shoqërohet nga policia, fillimisht ai u shoqërua të martën, disa orë pas ngjarjes në fjalë, por u la i lirë.
Mirëpo, mbrëmjen e kaluar, u bë e ditur se Bami u arrestua dhe i ishin marrë shenjat e gishtave.
Nga ekspertiza rezultatet e të cilës dolën një ditë më parë doli se në dorën e majtë të Bamit janë konstatuar mbetje baruti, ç’ka nënkupton se ka shtënë me armë zjarri natën e vrasjes.
Gjatë marrjes në pyetje në drejtorinë e policisë së Tiranës, Bami ka thënë se kur ka ndodhur ngjarja ai po qëndronte në shtëpi.
Mirëpo, në dëshminë e tij, Bami deklaroi se nuk ka lidhje me ngjarjen, e se kishte salduar, ndaj kishte mbetje baruti, por hetuesit dyshojnë se është i përfshirë.
Deri me tani akuzën e ka për armëmbajtje deri në momentin që do i gjenden prova më të forta për ta fajësuar për atentatin.