Ekskluzive / SPAK kërkon arrestimin e Arben Ahmetajt për 4 vepra penale. A do t’a vonojë Kuvendi si mandatin e Olta Xhaçkës? Provat që e fundosin, pritet prangosja e Artan Gjokajt

Aktualitet

Publikuar: 24/06/2023

Ekskluzive / SPAK kërkon arrestimin e Arben Ahmetajt për 4 vepra penale. A do t’a vonojë Kuvendi si mandatin e Olta Xhaçkës? Provat që e fundosin, pritet prangosja e Artan Gjokajt

Prapaskena mëson se SPAK, pas 3 muajsh hetime bazuar në kallëzimin e gazetarit Adriatik Doçi (shkurt 2023), ka përgatitur kërkesën për Kuvendin e Shqipërisë, për heqjen e imunitetit të deputetit dhe lejimin e arrestimit të Arben Ahmetajt, për katër akuza të rënda: korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie dhe shpërdorim detyre.

Kërkesa, bashkë me një relacion shjegues me rrethanat e çështjes për deputetët, pret firmën e kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, i cili është edhe prokuror i dosjes së Ahmetajt, pasi largoi prokurorin Klodian Braho, i cili kishte fshehur provat e korrpsionit të ish ministrit që në prilll të vitit 2022.

Kërkesa pritet të dërgohet në Kuvend në fillim të kësaj jave. Mbetet për t’u parë nëse mazhoranca do të procedojë me shpejtësi, nëse do t’a zvarrisë siç po bën me mandatin e Olta Xhaçkës apo do t’a mbrojë Ahmetajt siç bëri me Saimir Tahirin.

Bëhet fjalë për procedimin penal nr. 30, datë 24.02.2023, regjistruar nga SPAK, dy ditë pas kallëzimit penal, me fakte dhe prova konkrete, për korrupsionin e Arben Ahmetajt në çështjen e inceneratorëve.

Mes provave përfshihen pagesat korruptive të pronarit të kompanisë së inceneratorëve, Klodian Zoto, i cili i ka mbuluar Arben Ahmetajt dhe grave të tij shpenzimet për udhëtime dhe akomodim në hotele me 5 yje të Evropës nga viti 2013 deri në vitin 2018, ndërkohë që Ahmetaj ka firmosur për inceneratorët në cilësinë e ministrit në prill të vitit 2014.

Gjatë hetimeve, SPAK, përmes letërporosive, ka konfirmuar pagesat korruptive të Zotos në favor të Ahmetajt.

Mes provava, përfshihet vila F 22, në kompleksin “Valamar” që Klodin Zoto ka porostur dhe ia ka dhuruar Ahmetajt, ndërsa ky i fundit e ka kamufluar vilën me mikun e tin Gerian Kuke dhe bashkëjetuesen, Erjola Hoxha.

Besohet se Ahmetaj, për inceneratorin e Elbasnit dhe Fierit, ka marrë edhe 4 milionë euro nga Zoto, por nuk dihet nëse për këtë shumë, ka elemente provueshmërie në dosjen e SPAK-ut.

Ndërkaq, është e provuar se një nga njerëzit e besuar që Arben Ahmetaj ka përdorur për fshehjen e pasurive dhe pastrimin e parave është ish kêshilltari k tij, Artan Gjokaj, i cili me shumë gjasa do tê arrestohet këto ditë.

Artan Gjokaj u ka blerë një apartament me vlerë 130 mijë euro prindërve të Erjola Hoxhës në kompleksin Valamar, në Hamallaj, në 17 shkurt 2022. Këto para prindërit më pas gjoja ia kanë dhuruar Erjola Hoxhës, bashkëjetueses së Arben Ahmetajt. Zonja Hoxha thotë se këto para i ka përdorur për të blerë vilën që ka bllokuar SPAK-u, me vlerë 220 mijë euro, në 31 mars 2022.

Bëhet fjalë pikërisht për vilën që kishte porositur Klodian Zoto, pronari i kompanisë së inceneratorëve. Zoto e ka kaluar vilën tek Gerian Kuke, një biznesmen me lidhje të forta me Ahmetajn. Më pas Kuke e kaloi vilën në emrin e Erjola Hoxhës.

SPAK dyshon se vilën ia ka dhënë Klodian Zoto ish ministrit Arben Ahmetajt në formë shpërblimi korruptiv, për shak të rolit të Ahmetajt në çështjen e inceneratorëve si ministër Ekonomie, ku ka firmosur për procedurën në 14 prill 2014 dhe më pas si ministër Financash. Krahas vilës, Klodian Zoto i ka mbuluar udhëtimet jashtë vendit dhe akomodimet në hotele me 5 yje Arben Ahmetajt, nga viti 2013 deri në vitin 2018, rapor ky i faktuar me dokemente.

Artan Gjokaj ka qenë këshilltar i Arben Ahmetajt, kur ky i fundit ishte zëvëndëskryeministër dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave.

Gjokaj ka qenë këshilltar i Ahmetajt edhe në ministrinë e Financave, edhe pse arsimi i Gjokajt nuk ka asnjë lidhje as me financat dhe as me rindërtimin.

Artan Gjokaj rezulton se ndodhej edhe në makinë me Arben Ahmetajn kur ndodhi aksidenti në autostradën Tabanoc-Kumanovë, rruga që lidh Serbinë me Maqedoninë e Veriut.

Nga një mësues në Gjirokastër, Artan Gjokaj rezulton me biznese dhe që blen pasuri qindra mijëra euro, ndërsa emri i tij del në pah edhe në ndërmarrje shtetërore në varësi të Ministrisë së Financave.

Gjokaj është akuzuar edhe nga banorët e fshatit Picar të Gjirokastrës se fshihet pas një hidrocentrali.

Gjokaj, i cili nga sitemi TIMS rezulton se ka shoqëruar Ahmetajt në shumë udhëtime jashte vendit, dyshohet se mbulon bizneset dhe pasuritë e paligjshme të Arben Ahmetaj, dhe se është një nga nyjet e pastrimit të parave të ish ministrit.

Krahas dosjes së inceneratorëve, për të cilën prokurori Klodian Braho tentoi ta shpëtonte Arben Ahmetaj duke fshehur provat, Ahmetaj ka një tjetër dosje korrpsioni në SPAK.

Bëhet fjalë për dosjen ‘Buka’, të kalimit korruptiv të pronave publike në duart e biznesmenit dhe klinenti të tij, Lirim Fezollari.

Në pronat që ka marrë nga Arben Ahmetaj tek Unaza e Madhe dhe 4 Maj, Fezollari ka ngritur 2 qendra të mëdha tregtare, Latitude dhe Emerald.