Së fundmi është zbardhur një material ‘Memo’ në lidhje me një grup pune të ngritur me urdhrin e Ministrit të Financave dhe Ekonomisë nr.207, datë 16.11.2021, “Për negocimin e saktësimit dhe/ose ndryshimin e kontratës së koncesionit nr.15326, datë 21.08.2019, “Për shërbimin e kontrollit ligjor të instrumenteve matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumentave të shpërndarjes së karburantit dhe gazit të lëngshëm”.

Kjo Memo i është drejtuar për miratim Znj. Delina Ibrahimaj Ministre e Financave dhe Ekonomisë.
Në material referohet se shoqëria koncesionare NOA Inspect sh.p.k ka përcjellë disa shkresa pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë lidhur me nevojën e amendimit të kontratës së koncesionit si rezultat i ndryshimeve të parashikuara në projektligjin “Për Metrologjinë” asokohe (viti 2020).
Ndërkohë Autoriteti Kontraktor ka specifikuar se këto kërkesa do të adresohen vetëm pas miratimit në kuvend të projektligjit ‘Për Metrologjinë’.
Megjithatë, ligji nr.126/2020 “Për metrologjinë” është publikuar në Fletoren Zyrtare Nr. 222 datë 18.12.2020 dhe ka hyrë në fuqi më datë 03.01.2021 dhe që prej asaj kohe, sipas legjislacionit në fuqi duhet që të gjitha aktet nënligjore të miratoheshin brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi, pra brenda muajit Qershor 2021 (sipas përcaktimeve të ligjit).
Por siç duket, ende nuk ka një saktësim apo amendim të kontratës së koncesionit të miratuar dhe të publikuar (ATRAKO e ka detyrim ligjor publikimin e amendimeve të Kontratave të Koncesionit apo PPP-ve) gjë që tregon që ky proces nuk është përmbushur ende pavarësisht afateve ligjore të detyrueshme për tu zbatuar, dhe pavarësisht kërkesës së shoqërisë koncesionare.
Në këtë Memo paraqitet gjithashtu edhe vlerësimi i grupit të punës lidhur me çështjet e parashtruara.
Për të gjitha çështjet e pretenduara dhe të listuara në material, Grupi i Punës duke u bazuar edhe në opinionin e ekspertëve teknikë por edhe tek vlerësimi i Avokaturës së Shtetit është shprehur dakort që kërkesat të reflektohen në Kontratën e Koncesionit në formën e Amendimit të Kontratës, pasi janë pasojë vetëm e ndryshimeve ligjore.
Por pavarësisht qëndrimit pozitiv të Grupit të Punës, mesa duket ky proces nuk është finalizuar ende.
Një proces që duhej të ishte mbyllur që prej muajit Qershor 2021 sipas detyrimeve ligjore, vazhdon të jetë i pafinalizuar, duke bërë që Ministria e Financave dhe Ekonomisë të jetë në shkelje të afateve dhe detyrimeve kontraktuale dhe ligjore.
Në këto kushte, shoqërisë koncesionare i lind e drejta e aplikimit të mekanizmit të arbitrazhit, duke i shtuar kështu edhe një detyrim tjetër kontigjent Buxhetit të Shtetit, vetëm si pasojë e mosveprimit në kohë e Ministres së Financave dhe Ekonomisë.
Në këto kushte, jemi përpara faktit që Znj. Delina Ibrahimaj është në shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit pasi po pengon prej më shumë se një viti amendimin e kontratës së koncesionit dhe miratimin e akteve nënligjore derivat i ligjit nr.126/2020 ‘Për Metrologjinë’.
Kontrolli i Lartë i Shtetit që auditon performancën e institucioneve shtetërore dhe drejtuesve publikë duhet të ndërhyjë menjëherë në hetimin dhe vlerësimin e kësaj situate dhe raportimin e saj në Strukturën e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar SPAK.
Autoritetet Shtetërore dhe drejtuesit e tyre duhet të mbajnë përgjegjësi për kostot e krijuara shtetit shqiptar, koncesionarit por edhe të gjithë taksapaguesve të cilët marrin shërbimin e ofruar, vetëm si rezultat i mosveprimit të tyre dhe i moskryerjes së detyrës për të cilën ato janë zgjedhur për të qënë në pushtet.
Raporti i plotë i grupit të punës:
Vendim_Grupi_datë_29062022_230610_181301