Gllabëruesi i madh i fondeve publike Rrok Gjoka, ish klient i Berishës, i ‘ka bërë naftën’ Rrugës së Arbërit, duke u tallur me ëndrrën e dibranëve dhe projektuar vjedhjen e parave publike.
E parashikuar sipas kontratës koncesionare të lidhur me kompaninë Gjoka në 2018 që vepra të përfundonte plotësisht në prill të 2022, por problemet dhe kompleksiteti i tunelit të Murrizit kanë bërë që qeveria të shtyjë afatin edhe me 17 muaj të tjerë, duke e çuar përfundimin e saj në shtator të vitit të 2023.
Në këtë afat nuk ka asnjë gjasë të hapet tuneli. Madje tuneli mund të mos hapet as në vitin 2024. Shkak është vetëm korrupsioni, pasi edhe justifikimet për përbërjen gjeologjike, janë pjesë e korrupsionit, pasi për studimin gjeologjik janë paguar para dhe ka firma.
Por, afera nuk konsiston tek tuneli. Tuneli në mos në vitin 2024, do hapet në vitin 2025. Korrupsioni konsiston tek pjesa e përfunduar e rrugës.
Rruga e ndërtuar nga Rrok Gjoka, duhet bërë nga e para, pasi po degradon plotësisht. Në të gjithë segmentin e përfunduar duken gjurmët e vjedhjes, pasi ka ikur shtresa e asfaltit, për shkak të mungesës së shtresave.
Disa muaj më parë, 20 milionë euro janë tenderuar për skarpatet në dy segmente të saj, Shkalla e Tujanit dhe Plani i Bardhë.
Por, këto kosto nuk ngarkohen mbi koncesionarin që po ndërton rrugën.
Më herët, qeveria akordoi edhe një tjetër fond prej 20 milionë euro shtesë për të mbuluar defektet dhe për të përmbyllur punimet në Tunelin e Murrizit.
Disa tendera të tjerë janë planifikuar.
Koncesionari Rrok Gjoka dështoi në hapjen e tunelit dhe ka ndërtuar një rrugë alternative në një zonë shumë malore e cila gjatë dimrit bllokohet si nga rrëshqitjet e tokës nga shiu ashtu dhe nga dëbora dhe akulli në ditët me ngrica.
Rruga e Arbrit është kthyer në rrugën që nuk mbaron kurrë dhe që çdo vit gëlltit milionë euro nga paratë e shqiptarëve.
Qeveri po hedh para herë pas here për të mbuluar dështimin dhe korrupsionin e Rrok Gjokës, i cili paguan Ilir Metën dhe Sali Berishën që të mos flasin.
Degradimi i rrugës
Pjesa e rrugës e përfunduar është bërë e rrezikshme për t’u kaluar, pasi asfalti është çarë, ka humbur dhe shkitur, ura kryesore është çarë në mes.
Pjesa gjoja e përfunduar e Rrugës së Arbërit është një dëmshmi tronditëse korrupsioni mes halldupit të parave publike Rrok Gjoka dhe qeverisë.
Kompania Gjoka ka abuzuar me shtresat dhe ngjeshjen e bazamentit të rrugës, për të fituar sa më shumë para, aferë e cila ka sjellë degradimin e rrugës ende pa përfunduar.
Sipas inxhinerëve nuk ka terren më të përshtatshëm dhe të qëndrueshëm në Shqipëri se sa terreni ku kalon Rruga e Arbërit, por babëzia e Rrok Gjokës për të vjedhur dhe kapur punë sa më shumë, ka sjellë shkatërrimin e rrugës.
Kush kalon sot nga Rruga e Arbërit është i qartë për skandalin. Nuk dihet se çfarë mendon Altin Dumani kur kalon nga Rruga e Arbërit, kur sheh se një pjesë e rrugës ka ikur në drejtim të paditur.