Ish-Ministrja Majlinda Bregu ka marrë pjesë sot mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit, ku fokusi ishte procesi i Berlinit dhe tregu i përbashkët rajonal. Por ish-ministrja e Berishës nuk “u ka shpëtuar” pyetjeve rreth situatës së Partisë Demokratike.
“Deri diku besoja se ai shembulli i keq i dhënë në momentin kur Lulzim Basha mori një parti dhuratë dhe nuk diti ta menaxhonte, përveçse e shkatërroi, do të ndalej me të, por mesa duket nuk u ndal. Domethënë partia dhuratë që mori Lulzim Basha i shkoi dhuratë Enkelejd Alibeajt dhe ja ku jemi.
Nuk të bën logoja kryetar, sikurse nuk të bën kryetar as vetëm vula. Por ky nuk është problemi kryesor, nuk është problemi për të gjetur fajtorin sot, nuk është problemi për t’i thënë dikujt ti nuk je i zoti, apo pse u katandis partia me 11 kandidatë. Problemet janë aq të mëdha në PD, të strukturuara vit pas viti, sa sot është tërësisht e vështirë dhe fatkeqësisht mesa duket do të duhet të bëhet ende më keq për t’u bërë nesër më mirë”, u shpreh Bregu.
Përsa i përket debateve mes dy kampeve, Brehgu nuk mban një anë, por që sheh një dritë në fund të tunelit, edhe pse rruga drejt bashkimit duket e vështirë.
Ajo është shprehur mes të tjerave se nuk mund ta mendonte se partia që solli pluralizmin në vend, do të arrinte në ditën që të regjistronte vetëm 11 kandidatë , për zgjedhjet vendore të 14 majit.