Kryetari i Bashkisë së Bulqizës nuk u tregua i vëmendshëm dhe publikoi një foto nga punimet e ujësjellësit në ndërtim e sipër, ku shfaqej një punëtor me logon e kopanisë “2AF” në veshjen e tij, në një kohë kur tenderin e ujësjellësit e kishin fituar dy kompani të tjera. Pas kësaj gafe të tij, grupet e vëzhgimit zbarkuan në terren.
Në fund të hetimeve, Lefter Alla u arrestua me kërkesë të SPAK-ut bashkë me 12 zyrtarë të tjerë për parregullsi dhe abuzim në tenderin e ndërtimit të ujësjellësit Lagja e Vjetër, Bulqizë, me vlerë rreth 3 milionë euro. Fotoja “e mallkuar” është publikuar nga Alla më 11 qershor të vitit 2021, ku ai kërkonte të mburrej me ndërtimin e ujësjellësit, por në të vërtetë ra në grackë.
Ndërkohë, në hetime është zbuluar gjithashtu se Lefter Alla ka udhëtuar jashtë vendit me makinën e kompanisë “2 AF ALBANIA GROUP”, që është në pronësi të Munir dhe Aqif Koneshës, me të cilin ka edhe një lidhje farefisnore, si dhe janë shokë të ngushtë me njëri-tjetrin. Në udhëtimin jashtë vendit, Alla ka qenë bashkë me Aqif Koneshën.
Më 3 mars 2022, Lefter Alla ka dalë nga Bashkia Bulqizë dhe ka hyrë në lokalin ‘Vip Beer’. Në orën 16 dhe 39 minuta aty vjen edhe Aqif Konesha, administratori i kompanisë që po zbatonte kontratën, që në letra ishte lidhur me kompanitë e Rasim Dacit dhe Hamz Ismailajt.
Më pas, Lefter Alla dhe Aqif Konesha hipin në një makinë ‘Range Rover’ dhe nisen në drejtim të Qafës së Buallit. Kryebashkiaku ishte ulur në vendin e parë. Gjatë rrugës ndalin makinën dhe në sediljen e pasme hipën edhe Alban Konesha.
Makina ‘Range Rover’ vazhdon rrugën dytësore me çakëll dhe hyn në një tunel të ndërtuar gjatë regjimit komunist. Ky është pikërisht momenti kur grupi hetues ka humbur gjurmët e Allës dhe Koneshës. Nuk dihet se çfarë kanë bërë Lefter Alla, Aqif Konesha dhe Alban Konesha në tunelin e braktisur.
Kur Alla dhe Konesha kanë kuptuar se po hetoheshin nga SPAK-u kanë nxituar të nënshkruajnë një marrëveshje me kompanitë fituese për ta bërë të ligjshme këtë lëvizje të tyre. SPAK-u ka faktuar disa vepra penale si shpërdorim detyre, shkelje të barazisë në tendera dhe falsifikim dokumentesh.
Tenderin e kanë fituar formalisht me letra kompanitë ‘Egland shpk’ dhe ‘BE-IS shpk’, ndërsa punimet i ka kryer me një kosto shumë më të ulët se sa vlera e tenderit kompania “2 AF ALBANIA GROUP” e lidhur me Lefter Allën. Si rrjedhojë dyshohet se palët kanë ndarë paratë publike sipas roleve të tyre në këtë aferë.
Nga ana tjetër, në gjyq Lefter Alla ka vendosur të mbrohet politikisht dhe jo të arsyetojë faktet e dhëna nga Prokuroria e Posaçme. Ai ka deklaruar se kjo është një goditje e përgatitur për ta mënjanuar. “Më mirë të më thonin hap krahun”, mësohet të ketë thënë mes të tjerash kryetari i bashkisë së Bulqizës.