“Spiuni” Agron Nezaj trazoi jo pak politikën shqiptare dhe amerikane bashkë, me prezencën e tij kudo.
Doli në takime dhe allishverishe në Shqipëri, në SHBA, në Austri dhe Kosovë, me të gjithë aktorët e mundshëm filluar nga kundërzbuluesi McConigal deri te Rama kryministri i Shqipërisë.
Dhjetëra lajme ndërkombëtare e nxorën figurën e tij si një ish agjent kundërzbulimi të sherbimeve sekrete shqiptare.
Ndërkohë, Irakli Kocollari, ish shefi i SHIK ne 1991 tha për median se “Agron Nezaj ishte një inspektor i thjeshtë, periferik, i panjohur fare, në Vlorë pasi kishte mbaruar shkollën e sigurimit”.
Në zhargonin e shqiptarëve të zakonshëm të kohës së komunizmit, ky lloj operativi quhej fuks, sidomos ai që punonte në Vlorë në vitin 1991.
Agron Nezaj largohet për në SHBA në vitin 1993, me ndihmën e miqve të babait ish komunistit dhe Sekretarit të parë të Rrethit Tropojë, Bajram Nezaj.
Pasi paraqitet me identitetin e një kuksiani, pavarësisht se është tropojan, Agron Nezaj, bëhet “amerikani” Agron Neza.
I martuar me tropojanen Drita Nezaj (Dollapaj), Agroni i ‘FBI-së’ ka dy fëmijë, Skiviana dhe Adonisa, të dyja shtetase amerikane, por me mbiemer Neza.
Mbiemrin real të familjes e mbajti vetëm Bajram Nezaj, i cili u shpërngul në SHBA në 1995 dhe ndërroi jetë në vitin 2019, ku prehet në “Kensico Cemetery, Valhalla” të New Yorkut.
Interesant është fakti se, Drita Nezaj ka qëndruar dhe punuar në Tiranë tek Autoriteti Shendetësor Rajonal deri në verën e vitit 2019 kur largohet përfundimisht për në SHBA.
Drita është e motra e ish prokurorit të njohur Arben Dollapaj të cilin KPA e ka shkarkuar nga detyra në vitin 2020, pasi kaloi me sukses shkallën e parë të vettingut në KPK.
Dollapaj ishte edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë kur u shkarkua.
Në vendimin e KPA-së u shënua “Është konfuz edhe arsyetimi i prokurorit mbi dhuratat e marra nga motrat gjatë një vizitë në SHBA”.
Nuk dihet sa ka ndikuar kunati “spiun” në përplasjen që pati KPK me KPA për të shkarkuar në fund Arben Dollapaj, një prokuror karriere që gëzonte një emër të mirë në radhët e sistemit të drejtësisë.
Ajo që dihet me siguri është se Agron Nezaj (Neza) nga “fuks” i vogël shqiptar u bë një “aset” amerikan me famë ndërkombëtare.